Në Kosovë, një vel heshtjeje ka fshehur sistematikisht realitetin e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa vetëm pak iniciativa përkujtimore kanë synuar të ekspozojnë këto krime dhe të afirmojnë përvojat e të mbijetuarave.
Në pasditen e 27 qershorit 1999, Zekë Çeku hyri në Hotelin Grand të Prishtinës për herë të parë pas gati dhjetë vitesh. Lufta kishte përfunduar zyrtarisht dy javë më herët, pas 78 sulmeve ajrore të NATO-s, të synuara për të ndalur mizoritë dhe spastrimin etnik të civilëve që kryheshin nga forcat serbe në luftën e tyre brutale kundër guerilëve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Si ish-punonjës i hotelit, Çeku ishte kthyer për të marrë drejtimin e ndërmarrjes publike hoteliere nga stafi serb që kishte mbetur. Pas një shëtitjeje të shkurtër nëpër shumicën e kateve të hotelit, ai zbriti në sallën e sportit dhe pingpongut.
“Në atë dhomë kishte shumë të brendshme grash, njolla të shumta gjaku, disa shishe alkooli, bishta cigaresh dhe litarë,” kujton ai. “Ishte e qartë se aty kishte ndodhur dhunë seksuale.”
Por nga ajo që ai pa nuk ka mbetur asnjë provë — as edhe një fotografi. “Vendi u pastrua nga ushtarët e KFOR-it. Sigurisht që ata i kanë provat,” thotë Çeku.
Këtë vit, për herë të parë, komanda e misionit paqeruajtës në Kosovë njoftoi se, me vendim të selisë së NATO-s, arkivat do t’u hapen institucioneve të Kosovës. Çeku beson se këto prova duhet të kërkohen dhe të ruhen për qëllime përkujtimore.
Vendet e traumës dhe mungesa e kujtesës
Ashtu si në Hotelin Grand, edhe në qindra vende të tjera ku të mbijetuar dhe dëshmitarë raportuan dhunë seksuale masive dhe skllavëri seksuale, nuk gjendet asnjë gjurmë apo shenjë që përkujton atë që ka ndodhur. Pavarësisht përdorimit të gjerë të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998–99 në Kosovë, ajo rrallë është njohur në memorialet publike.
Praktikat dominuese të përkujtimit të luftës në masë heshtin për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin. Mes të mbijetuarave dhe në shoqëri, ajo mbetet e mbuluar nga një kulturë heshtjeje. Kjo situatë ishte pjesërisht rezultat i mënyrës se si përdhunimi perceptohej në shoqëri. Pas luftës, shumëkush, përfshirë politikanë dhe luftëtarë të UÇK-së, e shihnin atë si shenjë dobësie dhe burim turpi për familjet. Në një kontekst patriarkal, heshtja u bë mekanizëm për të fshehur atë që konsiderohej si njolla më e errët mbi lavdinë e luftës për liri.
Kadire Tahiraj, që drejton Qendrën për të Drejtat e Grave në Drenas, një organizatë që ofron mbështetje psikosociale dhe ekonomike për të mbijetuarat e dhunës seksuale, thotë se trauma për një kohë të gjatë është perceptuar si barrë private. “Dhuna që kanë përjetuar i bën ato ta shohin këtë traumë si diçka personale, një ndjenjë turpi që konsiderohet e papërshtatshme për përfaqësim ose përkujtim publik,” shpjegon ajo. Gjatë luftës, edhe ndërtesa të tjera publike u përdorën si vende torturash dhe dhune seksuale, duke lënë një gjurmë të përhershme tek ata që i mbijetuan këtyre mizorive.
H. B., një e mbijetuar e dhunës seksuale që dëshiron të identifikohet vetëm me inicialet e saj, kujton 16 prillin 1999, kur u dërgua në një fabrikë tekstili në Gjakovë. Aty hasi gra dhe vajza të tjera, përfshirë edhe të mitura.
“Nuk dua kurrë t’i afrohem asaj zone. Më kujton gjithmonë atë tmerr. Mundohem ta shmang sa më shumë,” thotë ajo.
Ajo shton se nuk do të dëshironte të shihte asnjë mbishkrim që shpjegon çfarë ka ndodhur aty. “Vetë ndërtesa ma kujton, lëre më ndonjë shpjegim.”
Ashtu si ajo, mijëra gra të tjera ishin viktima të dhunës seksuale të ushtruar nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës 1998–99. Deri më sot, 2,107 persona kanë aplikuar në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë për njohje zyrtare të statusit, por vetëm tre gra ndonjëherë kanë folur publikisht për përvojat e tyre. Shumë faktorë kontribuojnë në këtë konspiracion heshtjeje, veçanërisht stigma dhe mungesa e mbështetjes nga familja dhe rrethi i tyre. Në vitet e para pas luftës, ekzistonte një pakt heshtjeje, pasi shumë burra braktisnin gratë e tyre që ishin përdhunuar, duke çuar në shpërbërjen e shumë familjeve.
Përkujtimi i dhunës seksuale duhet pra të respektojë dëshirat e të mbijetuarave, duke njohur njëkohësisht se heshtja pasqyron zemërimin e tyre për mungesën e drejtësisë dhe stigmat që vazhdojnë t’i ndjekin. Për më tepër, memorialet e tilla nderojnë përvojat e të mbijetuarave dhe njohin pasojat ndërbreznore të kësaj dhune. Naime Sherifi, aktiviste e të drejtave të njeriut që ka punuar prej vitesh me të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe dhunës në familje, thekson se pak memoriale flasin për gratë, e aq më pak për luftën e tyre për drejtësi. “Mendoj që përkujtimi i dhunës seksuale duhet të jetë shumë i kujdesshëm që të mos i rëndojë viktimat, por duhet të mendojmë më gjerë për brezat e ardhshëm, për historinë,” thotë ajo.
Shumë memoriale në Kosovë përkujtojnë viktimat e luftës, por vetëm një u kushtohet posaçërisht një grupi të madh të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës.
Ky memorial, “Heroinat”, mbetet i vetmi monument publik i këtij lloji. Megjithatë, vitet e fundit ka pasur disa iniciativa përkujtimore jashtë hapësirave publike, si Muzeu “Çast” i Fondacionit Jahjaga, apo instalacioni i Alketa Xhafa Mripës, “Thinking of You”, i dedikuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, i ekspozuar për herë të parë në vitin 2015 në Prishtinë dhe më pas në Këshillin e Evropës.
Sjellja e historive të fshehura në hapësirën publike
Memoriali “Heroinat”, i përuruar më 12 qershor 2015, në përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë të çlirimit të Prishtinës, përbëhet nga 20,000 gjilpëra që formojnë fytyrën e një gruaje, simbol i të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999. Përdorimi i gjilpërave përfaqëson një largim nga ikonografia heroike tradicionale. Alma Lama, ish-deputete dhe diplomate, tani aktiviste e shoqërisë civile, e cila inicioi instalimin e memorialit “Heroinat”, thotë se përfaqësimi i viktimave të dhunës seksuale në memoriale sfidon një traditë të gjatë duke i dhënë dukshmëri grave.
“Prania e këtyre memorialeve në hapësirat publike jo vetëm që i inkurajon njerëzit ta njohin dhunën seksuale si një çështje që kërkon diskutim publik, por gjithashtu ndihmon në normalizimin e bisedave rreth dhunës seksuale në luftë”, shpjegon Lama. Por Lama thotë se memoriali në tërësi përfaqëson dhe njeh përvojat dhe kontributet e larmishme të grave për liri, jo vetëm ato që lidhen me dhunën seksuale. “Kërkova që të ndryshohet përkushtimi në pllakë, sepse i dedikohet të gjitha grave”, thotë ajo. Vitin e kaluar, përpjekjet për të përkujtuar përdhunimin gjatë luftës në Kosovë bënë një hap të rëndësishëm përpara me hapjen e Muzeut të të Mbijetuarve të Përdhunimit gjatë Luftës në Kosovë, në kryeqytet, Prishtinë, nga Fondacioni Jahjaga, themeluar nga ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. “Muzetë, memorialet dhe instalimet ofrojnë një mënyrë më të butë, por të fuqishme për të rritur ndërgjegjësimin në shoqëri rreth përdhunimit gjatë luftës, duke e bërë çështjen më të prekshme për ata që nuk e kanë përjetuar luftën”, tha koordinatorja e muzeut Bleona Hajdari.
Para dy vjetësh, Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Prishtinës, universiteti më i madh publik në vend, nisi një iniciativë për hapjen e një këndi përkujtimor të të mbijetuarave të dhunës seksuale brenda ndërtesës së fakultetit. Dekani, Avni Puka, shpjegoi se fakulteti po bashkëpunon me Ministrinë e Kulturës për krijimin e kësaj hapësire memoriale.
Për të sfiduar kulturën e heshtjes, ekspertët theksojnë se memorialet duhet të jenë qartë të dedikuara për parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës. Në Kosovë, si në shumicën e vendeve të pasluftës në ish-Jugosllavi, mekanizmat praktikë për përkujtimin, të udhëhequr nga të mbijetuarit, mbeten ende të pazhvilluar. Edhe në Bosnjë, pas tre dekadash, vetëm së fundmi janë shënuar vendet e dhunës seksuale: shtëpia në Rrugën “Pionirska” në Vishegrad, ku është ushtruar përdhunim sistematik, dhe palestra sportive “Partizan” në Foçë, e përdorur si kamp përdhunimi.
Arsim Bajrami, profesor i Drejtësisë në Universitetin e Londrës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, i cili ka qenë i përfshirë në disa nga institucionet e drejtësisë tranzicionale të vendit, thekson rëndësinë e kujtesës:
“Duke transformuar vendet e traumës në vende reflektimi dhe mbështetjeje, këto memoriale ndihmojnë në formësimin e një kujtese që i reziston zbehjes me kalimin e kohës”, thotë ai.