Momenti i së vërtetës për serbët e Kosovës

Sistemi zgjedhor dhe vendet e garantuara favorizojnë aktorë të rinj dhe të guximshëm të jo-mazhorancës me nivele qoftë edhe minimale të mbështetjes së votuesve, pavarësisht nga niveli i pjesëmarrjes serbe, dhe mund të bëhen politikisht relevantë në nivelin lokal dhe kombëtar. Bojkotet janë një strategji vetëshkatërruese dhe rezistenca civile është një strategji e mirë afatshkurtër për të mobilizuar dhe tërhequr vëmendjen, por nuk është një strategji që garanton zgjidhje. Viti zgjedhor 2025 është momenti i së vërtetës për serbët e Kosovës   

Koha e leximit: 10 minutes
/

Pak më shumë se një vit më parë, kur Marrëveshjet e Brukselit filluan të zbërtheheshin, nuk ishte e qartë se kush e kishte kontrollin efektiv mbi veriun e brishtë të Kosovës me shumicë serbe.  A e kishte Serbia përmes rrjeteve kriminale të Millan Radojçiqit, së bashku me institucionet shtetërore paralele të Serbisë që shpërndajnë shumicën e vendeve të punës dhe përfitimeve? A e kishte Qeveria e Kosovës me forcat e saj të Policisë Speciale që zbatonin ligjin e Kosovës bashkë me kryetarë të sapozgjedhur Shqiptarë të komunave (me 1-3% të votave), duke shfrytëzuar vakuumin e krijuar nga Serbët lokalë që braktisën institucionet. Apo e kishin misionet me status neutral të KFOR-it dhe EULEX-it, me operacionet e tyre tokësore dhe peshën diplomatike të ambasadave të tyre? 

 

Një rrugë përpara: Agjencia dhe pjesëmarrja e Sërbëve në Kosovë

Gara për të kontrolluar veriun u shënua nga sprovat dhe testimet e vazhdueshme të kufijve të këtij vakuumi të pushtetit nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë. Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq. Llogaria e tyre u ndikua gjithashtu nga pasiguria më e gjerë politike e krijuar si pasojë e luftës në Ukrainë, por gjithashtu nga nevoja për të qetësuar ankthin e audiencave nacionaliste.  Kjo periudhë e sprovimit dhe ngacmimit ndaj anës tjetër mori fund shpejt me sulmin e Banjskës, rezultati përfundimtar i të cilit ishte një realitet plotësisht i ri në terren - shumë më i ndryshëm nga ai që kishin menduar sulmuesit. 

 

Kur rebelët serbë të udhëhequr nga Radojçiq u zmbrapsën shpejt nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me paqeruajtësit e NATO-s, disa e interpretuan këtë si një teprim të Vuçiqit në ambientin aktual gjeopolitik, duke rënë në kurthin e Kurtit dhe duke i falur atij një fitore politike. Pas Banjskës, Vuçiqi u nënshtrua dhe synoi të riparonte imazhin e tij të dëmtuar në sytë e Perëndimit. Strukturat e sigurisë së Kosovës e përdorën këtë për të kaluar efektivisht nëpër dyert e hapura në Veri, duke vendosur kontrollin e tyre të plotë mbi territorin dhe duke çmontuar pothuajse të gjitha institucionet paralele serbe (me përjashtim të atyre shëndetësore dhe arsimore) pa shumë përgjigje nga Beogradi.     

 

Megjithatë, përshkrimi i këtij realiteti të ri si një fitore për sovranitetin e Kosovës është një detyrë e vështirë sepse situata mbetet e paqëndrueshme dhe joproduktive në planin afatgjatë. Territoret nuk mund të kontrollohen në mënyrë efektive dhe të drejtë nëse shumica e popullsisë i shohin institucionet në pushtet si të paligjshme dhe janë armiqësor ndaj tyre. Klima aktuale e mosbesimit është një recetë për tensione dhe incidente të vazhdueshme, siç e kemi parë tashmë me protestat e komunitetit serb dhe reagimet e tepërta të policisë që shpesh e agravojnë më tej situatën. Serbët e Kosovës nga Veriu janë kapur në këtë lavjerrës të përpjekjeve të Kurtit dhe Vuçiqit për të shënuar fitore politike, dhe të ndryshimit të vazhdueshëm të rrethanave gjeopolitike të dekadës së kaluar. Gjatë vitit të kaluar ata kanë qenë objekt të përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për të imponuar sovranitetin përmes një qasjeje të sekuritizuar e cila, ngjashëm me kimioterapinë, vret shumë qeliza pozitive të nevojshme për integrimin e synuar. 

 

Për shembull, në emër të betejës për të vendosur sundimin e ligjit, qeveria dhe ndërmjetësit e saj kanë sulmuar ose shpërfillur rregullisht shqetësimet e grupeve të shoqërisë civile të Serbëve të Kosovës që merren me bashkëpunimin ndëretnik dhe kanë dhënë leksione patronizuese se kush dhe si duhet të përfaqësojë interesat e komunitetit serb. Qeveria gjithashtu ka ndikuar në mënyrë të pakujdesshme në jetesën e qytetarëve të zakonshëm që përfitojnë nga pensionet e shtetit serb, pa ofruar zgjidhje alternative. Gjestet simbolike si heqja e shkronjave cirilike nga tabelat (e drejtë kushtetuese) dhe promovimi triumfues i veprimeve të tilla në media kanë sinjalizuar te serbët më shumë dëshirën për mbizotërim shqiptar sesa vendosjen e sundimit të ligjit. 

 

Kjo qasje ndoshta nuk është formula më e mirë për të fituar zemrat dhe mendjet dhe për të sinjalizuar një hapje për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë. Kjo strategji, si e tillë, nuk është një strategji e qëndrueshme për përpjekjet e Kosovës për të imponuar sovranitetin e saj, i cili përfundimisht varet nga vullneti i popullit për ta legjitimuar atë. Të mos përmendim koston e madhe ndërkombëtare që kjo strategji i ka bërë Kosovës, duke dëmtuar kredibilitetin e saj me aleatët dhe duke ndikuar në përpjekjet e saj për t'iu bashkuar institucioneve ndërkombëtare. Sido që të jetë, kjo qasje i ka ngulitur serbët e Kosovës edhe më tej drejt Beogradit si burim mbrojtjeje dhe mbështetjeje. Serbët e Kosovës ndoshta nuk do të mund të marrin përfitimet e tyre nga qeveria serbe brenda Kosovës, tani kur institucionet si banka e kursimeve postare nuk janë më në funksion. Por, në përgjigje të situatës Beogradi ka rritur konsiderueshëm shumat që mund të tërhiqen në objektet e reja shumë afër pas kufirit. 

 

Navigimi ndaj presioneve nga Beogradi dhe Prishtina

Pavarësisht nga "realiteti i ri", një tipar kryesor i realitetit të vjetër vazhdon: Serbët e Kosovës mbeten të bllokuar mes interesave të një Beogradi që luan lojëra hegjemoniste rajonale mbi kurrizin e tyre dhe presioneve nga një qeveri në Prishtinë që është e hapur vetëm për serbët të cilët ajo i sheh si plotësisht besnike dhe të shkëputur prej çdo ndikimi nga Beogradi (numri i të cilëve është margjinal). Shumica e serbëve të Kosovës, veçanërisht ata në veri, kanë ndjerë për një kohë shumë të gjatë se nuk kanë asnjë kontroll apo pushtet mbi zhvillimet e tyre dhe – veçanërisht pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit – nuk kanë pasur figura me autoritet të mjaftueshëm moral për të rikthyer atë kontroll. Vrasja e Ivanoviqit dhe frikësimi i rregullt i serbëve që guxojnë t’i dalin kundër Beogradit ka qenë një pengesë e qartë për këdo që ka guxuar të ndjekë një kurs të pavarur. Kjo ka bindur shumicën e serbëve të Kosovës se e vetmja mënyrë e mundshme për ta që të marrin pjesë është përfshirja e Beogradit i cili do të mbështeste një pjesëmarrje të tillë.   

 

Megjithatë, qëndrimi i përhapur në mesin e shumë shqiptarëve që serbët e Kosovës ngurojnë të marrin pjesë në jetën institucionale të Kosovës vetëm për shkak të presioneve nga Beogradi është gjithashtu një farë iluzioni. Armiqësia ndaj Kosovës si shtet është rrënjosur thellë dhe është një sentiment bazik, sidomos në Veri. Në fakt, një pjesë e ankesës së Veriut ndaj Beogradit është se i ka detyruar ata që të integrohen në institucionet e Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013. Braktisja e fundit e institucioneve të sigurisë në vitin 2022 ishte edhe kërkesë nga poshtë-lart nga serbët lokalë të acaruar me fuqitë pushtuese të Prishtinës, por edhe një vendim politik nga Beogradi. 

 

Megjithatë, viti i kaluar mund t'u ketë dhënë një mësim serbëve të Kosovës se sa i dëmshëm, impulsiv dhe vetëshkatërrues për interesat e tyre vetjake ka qenë vendimi për bojkotimin e institucioneve – përfshirë referendumin e fundit për të revokuar kryetarët shqiptarë të Veriut. Ideja që serbët e Kosovës mund të përsërisin rezistencën që shqiptarët e Kosovës bënë gjatë viteve të 90-ta kundër Serbisë, përmes një tërheqjeje të plotë nga sistemi, dhe të shpresojnë për të njëjtin rezultat, mund të funksionojë në afat të shkurtër për tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare në kauzën dhe ankesat e tyre. Por në shumë mënyra fundamentale, realiteti është i pakrahasueshëm sepse instrumentet formale të ndarjes së pushtetit që serbët e Kosovës tashmë i kanë në dorë nëse zgjedhin të marrin pjesë, si dhe ato që mund t'i marrin përmes dialogut të Brukselit, janë të pakrahasueshme me regjimin që ka instaluar Millosheviqi. Po ashtu të pakrahasueshme janë edhe instrumentet që kanë në dispozicion serbët e Kosovës për zbatimin e fuqive të tilla formale, kryesisht përmes instrumenteve të presionit të Perëndimit ndaj Kosovës. 

 

Pjesëmarrja e Sërbëve në Kosovë

Është shenjë e mirëpritur që disa aktorë të rinj politikë në Veri po e kuptojnë peshën e momentit aktual dhe po përpiqen të rivendosin kontrollin bazik lokal. Është gjithashtu e shëndetshme për demokracinë e Kosovës që po provokohet sistemi përmes protestave dhe aksioneve në rrugë, pavarësisht nga reagimet e tepruara të herëpashershme të policisë, pasi këto janë nga ato fërkime që me kalimin e kohës do ta bëjnë sistemin më të fortë. Megjithatë, në këtë pikë, përderisa është absolutisht e nevojshme që qeveria në Prishtinë t'u ofrojë serbëve të Kosovës hapësirë dhe siguri për angazhim publik, është po aq e rëndësishme që serbët e Kosovës – nëse duan të kenë një të ardhme në Kosovë – të artikulojnë një vizion pozitiv të kësaj së ardhmeje që është në përputhje me realitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe duke e pranuar këtë si një realitet të pakthyeshëm. 

 

Ashtu si vizioni i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut - apo të grupeve të tjera etnike në Ballkan që mendojnë se kanë ngecur në anën e gabuar kur historia i përcaktoi kufijtë shtetërorë - ky vizion nuk duhet të bazohet mbi dashurinë për shtetin, duke qenë se qartazi nuk ishte ai që dëshironin. Por mund të bëhet një shtet me të cilin ata vendosin një marrëdhënie të bazuar në respektin reciprok për dinjitetin e tyre dhe besimin se ata kanë interes në të. Mundësitë që ofron tashmë korniza kushtetuese e Kosovës dhe të drejtat shtesë që mund të fitohen përmes dialogut të Brukselit për të drejtuar shkollat ​​dhe spitalet, u ofrojnë hapësirë ​​të mjaftueshme serbëve të Kosovës që të jenë një komunitet i qëndrueshëm dhe të ndjehen se janë në krye të fatit të tyre duke qenë gjithashtu të lirë të ruajnë lidhjet e tyre me Serbinë (në fund të fundit ata janë qytetarë të dyfishtë). 

 

Gjithçka që u duhet serbëve të Kosovës tani është të tregojnë njëfarë aftësie politike dhe të marrin pjesë në të gjitha nivelet e institucioneve, duke filluar nga zgjedhjet kombëtare dhe lokale në vitin 2025, në të cilat ata duhet të artikulojnë një vizion pozitiv të asaj që duhet të ndodhë dhe të sinjalizojnë nisjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet etnike. Sistemi zgjedhor dhe vendet e garantuara favorizojnë aktorë të rinj dhe të guximshëm të jo-mazhorancës me nivele qoftë edhe minimale të mbështetjes së votuesve, pavarësisht nga niveli i pjesëmarrjes serbe, dhe mund të bëhen politikisht relevantë në nivelin lokal dhe kombëtar. Bojkotet janë një strategji vetëshkatërruese dhe rezistenca civile është një strategji e mirë afatshkurtër për të mobilizuar dhe tërhequr vëmendjen, por nuk është një strategji që garanton zgjidhje. Viti zgjedhor 2025 është momenti i së vërtetës për serbët e Kosovës.