Moria e rrëfimeve të ndërthurura brenda një shëtitjeje relativisht të shkurtër nëpër sheshet dhe hapësirat publike në Prishtinë e ilustron dinamikën e ndarjes së pushtetit në politikat e kujtesës pas konfliktit dhe përbën pasqyrimin e politikave zyrtare të memorializimit në Kosovë. Megjithatë, zërat dhe perspektivat civile, rrëfimet që nuk i mbështesin ideologjitë politike, lëvizjet shoqërore (studentët, gratë, lëvizjet e punëtorëve dhe rezistenca civile), fushatat e pajtimit, të burgosurit politikë ose viktimat civile janë shpërfillur krejtësisht dhe mungojnë.
Në vitin 2017, projekti “Trashëgimia e Kujtesës së Kosovës” parashikonte kapjen e peizazheve përkujtimore në Kosovë. Rezultatet e projektit arritën kulmin në një platformë të burimeve onlajn dhe në një monografi të fotografive, duke i treguar dhe shfaqur natyrat e ndryshme të kujtesës në Kosovë dhe në këtë mënyrë eksploruan kulturën e kujtesës së një sërë episodeve historike të paraqitura përmes rreth 100 monumenteve. Këto monumente përfshijnë objekte arkeologjike, xhami, kisha katolike e ortodokse, teqe, hamame, sahat kulla, muze, kulla të fortifikuara, kala, ndërtesa të shkollave, biblioteka, shtëpi të personaliteteve, monumente socialiste (1945-1989), të pasuara nga ato të rezistencës paqësore (1989- 1998) dhe të rezistencës së armatosur (1998-1999).
Në studimin tonë të shkurtër, vërejmë se rrëfimet që e rrethojnë memorializimin në Kosovë janë të rrënjosura thellë në kulturë, fe dhe histori, dhe janë në përgjithësi të përshtatura në mënyrë konservatore dhe egocentrike, duke mishëruar kështu një ndjenjë të lavdisë, besnikërisë, fitores dhe sakrificës, nga njëra anë, dhe të vuajtjes, persekutimit, terrorit dhe viktimizimit, nga ana tjetër.
Peizazhet e kujtesës së Kosovës përmes historisë dhe rrëfimeve
Një ekzaminim i boshtit kryesor hapësinor të qendrës së qytetit të Prishtinës na ballafaqon me aspekte të ndryshme të historisë, rrëfimeve të kaluara dhe të tashme socio-politike të Kosovës. Sheshi Adem Jashari (ish-sheshi Vëllazërim - Bashkim) ndodhet ndërmjet ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe ndërtesës së kuvendit të komunës së Prishtinës. Aty e gjejmë një obelisk 22 metra të gjatë dhe një skulpturë të luftëtarëve partizanë, “Monumenti i Heronjve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare”, të ndërtuar në vitin 1961 nga Miodrag Zhivkoviq.
Pak metra më tutje, në oborrin e Kuvendit të Kosovës e shohim monumentin prej mermeri dy metra të lartë, të titulluar “Atyre që na mungojnë”. Monumenti u ngrit si rezultat i një nisme të udhëhequr nga shoqëria civile, e cila e sfidonte heqjen e rrethojave që e rrethonin ndërtesën e parlamentit, në të cilat ishin të vendosura fotografitë e personave të zhdukur gjatë kohës së luftës.
Monumenti i personave të zhdukur qëndron në sheshin Ibrahim Rugova dhe përballet me shtatoren 4.2 metra të lartë të Ibrahim Rugovës, të ngritur më 28 shtator 2013 – derisa pasardhësit e tij të Lidhjes Demokratike të Kosovës qeverisnin me komunën e Prishtinës.
Në sheshin Skënderbe (ish-rrugët Mareshali Tito dhe Vidovdan), përballë ish-Hotelit Union, i ndërtuar në vitin 1927 nga arkitekti austriak Andrija Kremer, ndodhet shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, me qëndrim krenar, dhe e kalit të tij, e ndërtuar nga skulptori shqiptar Janaq Paço, e inauguruar në vitin 2001.
Duke u nisur në drejtim të sheshit Nënë Tereza, në anën e djathtë të rrugës, mezi mund ta shohim pllakën që përkujton vdekjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të vrarë nga policia rumune e UNMIK-ut gjatë demonstratave kundër negociatave Kosovë - Serbi dhe Pakos së Ahtisarit.
Shtatorja e Nënë Terezës, një projekt i porositur nga diaspora shqiptare, e inauguruar në vitin 2002, qëndron në sheshin që mban emrin e saj, duke e zëvendësuar shtatoren e dikurshme si shatërvan të “Vajzës së Kosovës - 1389”.
Një shtatore socialiste-realiste e Zahir Pajazitit qëndron në sheshin që mban emrin e tij, ndërmjet fotografisë ikonike të Ibrahim Rugovës që e mbulon një pjesë të ndërtesës në anën e saj të djathtë dhe ndërtesës së arkitekturës jugosllave të Hotelit Grand, në anën e saj të majtë. Shtatorja, tejet e mashkullarizuar dhe militariste, u ngrit në vitin 2000 për ta lartësuar rezistencën e armatosur të fundit të viteve 1990-të.
Në rrugën përballë sheshit Zahir Pajaziti gjenden skulptura tipografike “NEWBORN” – e inauguruar në ditën kur Kosova e shpalli pavarësinë (17 shkurt 2008) dhe “Heroinat”, e ndërtuar nga Ilir Blakqori dhe e inauguruar në vitin 2015, që i përkujton vuajtjet e grave të mbijetuara të dhunës seksuale.
Një mori rrëfimesh përkujtimore në hapësirën publike
Moria e rrëfimeve të ndërthurura brenda një shëtitjeje relativisht të shkurtër nëpër sheshet dhe hapësirat publike në Prishtinë e ilustron dinamikën e ndarjes së pushtetit në politikat e kujtesës pas konfliktit dhe përbën pasqyrimin e politikave zyrtare të memorializimit në Kosovë. Megjithatë, zërat dhe perspektivat civile, rrëfimet që nuk i mbështesin ideologjitë politike, lëvizjet shoqërore (studentët, gratë, lëvizjet e punëtorëve dhe rezistenca civile), fushatat e pajtimit, të burgosurit politikë ose viktimat civile janë shpërfillur krejtësisht dhe mungojnë.
Konteksti politik i pas konfliktit margjinalizoi grupe specifike dhe i përjashtoi nga diskutimi mbi praktikat përkujtimore në Kosovë. Rrëfimet mbi ngjarjet e viteve 1990-të janë në përgjithësi të errëta, të pastudiuara dhe të nënpërfaqësuara. Vitet 1990-të e kanë potencialin për ta eksploruar marrëdhënien e paqartë të shqiptarëve me socializmin, si dhe kalimin e tij nga socializmi në një demokraci liberale përmes një konflikti të dhunshëm, luftës për pavarësi dhe një procesi në vazhdim e sipër të shtet ndërtimit.
Monumentet kushtuar Lëvizjes Popullore Çlirimtare dhe luftës antifashiste, të ndërtuara në tërë Kosovën, paraqesin kryevepra të rëndësishme artistike, arkitekturore dhe përkujtimore. Nga fundi i viteve 1990-të, përpjekjet e qëllimshme për t’i shkatërruar monumentet dhe trashëgiminë socialiste ishin praktikë e zakonshme. Fshirja e kujtesës së bashkëjetesës dhe luftës antifashiste, një bazë e përbashkët që i bashkoi njerëzit në Jugosllavi, pasqyrohet me vandalizmin që pamë në Varrezat e Dëshmorëve Partizanë, me heqjen e bustit të Boro Vukmiroviqit nga Ramiz Sadiku në parkun përkujtimor të qytetit, me vendosjen e dinamitit në bazën e “Monumentit të Heronjve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare” ose me lyerjen e luftëtarëve partizanë me flamuj të aleatëve që e përkrahën çlirimin e Kosovës. Shembull i shkatërrimit dhe fshirjes së përgjithshme është ai i kompleksit memorial Boro dhe Ramizi në Landovicë.
Përveç distancimit nga trashëgimia socialiste, një praktikë mbizotëruese është zëvendësimi ose përjashtimi i rrëfimeve që burojnë nga kjo periudhë. Rrugët dhe sheshet e emërtuara sipas vëllazërim - bashkimit, luftës antifashiste apo kohërave jugosllave tani janë zëvendësuar me emra të personaliteteve apo të ngjarjeve nga fundi i viteve 1990-të. Shkollat, rrugët, sallat e kulturës dhe të sportit të emëruara Boro dhe Ramizi sot e mbajnë vetëm emrin e Ramiz Sadikut, kurse trashëgimia e Boro Vukmiroviqit është fshirë.
Dimensioni ekonomik në politikën e kujtesës është një fasadë që e tërheq edhe vëmendjen e publikut. Kosova e pasluftës karakterizohet nga një shpërthim i monumenteve socialiste-realiste, mashkullore, militariste që e lavdërojnë madhështinë e rezistencës së armatosur. Në një shkallë më të vogël, pllakat dhe përmendoret i përkujtojnë viktimat civile të fundit të viteve 1990-të. Këto janë kryesisht nisma private përkujtimore të ngritura pa ndonjë proces publik apo institucional. Këto nisma private janë kryesisht të familjarëve të dëshmorëve apo të viktimave civile, të cilët për shkak të gjendjes së tyre ekonomike mund ta financojnë dhe mbështesin ngritjen dhe mirëmbajtjen e një monumenti, ndërkohë që familjet me më pak ose pa mjete financiare janë të përjashtuara nga këto nisma.
Kush e zotëron kujtesën e Kosovës?
Konstruksionet heterogjene hapësinore dhe hapësirat publike në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën duken shumë të politizuara, duke ekspozuar nuanca të politikave të kujtesës që nuk e kanë origjinën në traumat kolektive të së kaluarës nën shqyrtimin e një konsensusi më të gjerë gjithëpërfshirës dhe kolektiv mbi praktikat e memorializimit. Ato përbëjnë një zhvendosje të dinamikës politike nga diskursi publik në arenën publike urbane dhe anasjelltas. Kjo tregon se si politika dhe ndarjet në kohezionin social ndikojnë në identitetet e grupit, duke e kompromentuar pjesëmarrjen dhe pronësinë më të gjerë shoqërore.
Peizazhet përkujtimore janë të rëndësishme për shkak të rrëfimeve, kuptimeve dhe vlerave që u kumtohen dhe që u janë bashkëngjitur atyre. Rrëfimet, kuptimet dhe vlerat nuk duhet të jenë të mirëqena dhe fakte, por më shumë si interpretime, perceptime dhe vlerësime të së kaluarës, duke na lënë të besojmë se materialiteti i tillë gjithmonë varet nga ai që e ndërton ose e porosit atë, nga ai që e interpreton atë, nga cili këndvështrim apo kontekst dhe për çfarë arsyesh. Ky dualizëm në rritje e sipër ndërmjet politikës së kujtesës dhe harresës është një mekanizëm ndikues për t’i dhënë formë kuptimit tonë për të kaluarën, si dhe perceptimit tonë për realitetet aktuale. Peizazhet e kujtesës shpesh ndihmojnë njëkohësisht si faktor bashkues dhe ndarës, që u shërbejnë veçorive të ndryshme prej formimit të kujtesës dhe identiteteve kolektive deri te artikulimi i epërsisë morale, legjitimimi i qëndrimeve të caktuara politike ose ruajtja e statukuosë për konfliktet strukturore dhe kulturore.
Shoqëritë duhet ta nxisin një kulturë të hulumtimit historik dhe aktivizmit të kujtesës, si mënyrë të rezistencës kundër një hegjemonie monolitike të kujtesës dhe politikës në rritje të përjashtimit dhe shpërfilljes. Duke u angazhuar gjerësisht me format simbolike të përfaqësimeve historike, kulturore dhe politike, si dhe duke hulumtuar dhe prodhuar njohuri për të kaluarën, ne e përmirësojmë ndërveprimin shoqëror dhe i hulumtojmë mënyrat në të cilat rrëfimet e përbashkëta mund të ndërtohen.
Është e domosdoshme të njihet dhe të kuptohet se peizazhet përkujtimore prodhohen, perceptohen dhe interpretohen vazhdimisht përmes prizmit të politikave identitare, dhe, në të njëjtën kohë, ato përdoren për ta përcaktuar atë identitet sipas nevojave aktuale të grupeve dhe individëve të veçantë.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e programit 'Landscapes of Repair', të implementuar nga Forum ZFD, Programi në Kosovë.