Premtimi i të drejtave të njeriut
Nga viti 1948 kanë kaluar shtatë dekada. Edhe pse bëhet fjalë për ‘’kohën më të
shpejtë’’ në historinë e kohërave, këto shtatë dekada me siguri janë pak për të tërhequr
vijën dhe me të vërtetë për të rishqyrtuar rrënjësisht trashëgiminë e statutit më ambicioz
në historinë e të drejtave të njeriut. Tepër pak kohë ka kaluar për të kuptuar se si
të realizohet premtimi i Deklaratës universale: se paqja në botë është e domosdoshme
që çdo njeri në bashkësinë njerëzore të ketë të drejtë për të jetuar. Më në fund, është
e mundur që një kërkesë e tillë kurrë edhe nuk mund të shkojë përpara për realizimin
e premtimit, kurse dekadat që janë pas nesh ndoshta edhe nuk mund të dëshmojnë
që premtimi më shumë është si paralajmërim, sesa si ndonjë model për përdorim.
Shpeshherë Deklarata universale paraqitet si e fundit në një sërë të kartave të
mëdha të lirive. Gjuha dhe korniza e saj vërtet mbështeten në aspiratat të cilat formën
e vet për herë të parë e morën në Magna Carta, kurse më tej u artikuluan me deklarata
të famshme të shekullit XVII dhe XVIII. Preambula këtë edhe e pohon: në të gjejmë
pikëmbështetje të ndryshme të përpjekjeve të deriatëhershme që të arrihet deri te
formulimet obliguese të lirisë dhe barazisë – të drejtat e barabarta dhe të patjetërsueshme
të të gjithë anëtarëve të familjes të cilat merren si bazë të lirisë, drejtësisë dhe
paqes në botë; të drejtën për revoltë kundër tiranisë dhe shtypjes dhe kërkesën që të
drejtat e njeriut t’i mbrojë shteti ligjor; besimin në dinjitet dhe vlerë të brendshme të
njeriut dhe të drejtat e barabarta të burrave dhe grave. Konteksti në të cilin është e bërë
Deklarata universale ndikon që tashmë në preambulë të theksohet domosdoshmëria
e marrëdhënieve miqësore midis kombeve, por edhe liria nga frika dhe skamja, e cila
duhet t’i takojë çdo qenieje njerëzore. Fryma e vëllazërisë – fryma e Revolucionit Francez
- kumbon me nenin e parë. Neni i tretë i cili e konfirmon të drejtën për jetë, liri dhe
siguri personale, është variacion i formulimit të famshëm amerikan në të cilin në vendin
e fundit ishte kërkesa për gjetjen e lumturisë. Neni i katërt sikur konfirmon se
asnjëra nga këto tri të drejta nuk mund të realizohet në kushtet e robërisë, në kushtet
të cilat kanë qenë në fuqi në kohën e proklamimit të Deklaratës së pavarësisë.
Pra, Deklarata universale, paraqet shumën e të drejtave të ndryshme të cilat gjatë
historisë i kanë fituar vërtetimet e veta në luftërat për liri më të mëdha dhe në fushën
më të gjerë të barazisë. Në të janë ruajtur edhe shpresat e mëdha të asaj kohe: që shteti
ligjor është i arritshëm, që askush (më) nuk mund t’i nënshtrohet torturës, që kornizat
kombëtare dhe ndërkombëtare janë të përshkueshme, që njerëzit e kanë të drejtë të
migrojnë, të kenë ndonjë kombësi. Ky, gjithashtu, është regjistrim i lirive, të cilat qeniet
njerëzore do të duhej t’i gëzonin në kushtet për të cilat besohej se domosdoshmërisht fillojnë
pas vitit 1945, në kushtet e paqes së qëndrueshme.
Product details
Date of Publication
December 2018
Publisher
Heinrich Böll Foundation
Number of Pages
16
Licence
All rights reserved
Language of publication
Albanian