Në kërkim të një imagjinate të re politike

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë nuk solli ndonjë ndryshim përmbajtësor. Balanci i fuqisë të cilin e kishte në Kuvend Lëvizja Vetëvendosje u dobësua, por partitë opozitare nuk fituan shumicë. Gjithçka u kthye pothuajse në pikën ku ishim para një viti e gjysmë – me nevojën për konsensus në mes të partive të shumicës shqiptare.

/

Pas tre palë zgjedhjeve, akoma pa zgjidhje

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë nuk solli ndonjë ndryshim përmbajtësor. Balanci i fuqisë të cilin e kishte në Kuvend Lëvizja Vetëvendosje u dobësua, por partitë opozitare nuk fituan shumicë. Gjithçka u kthye pothuajse në pikën ku ishim para një viti e gjysmë – me nevojën për konsensus në mes të partive të shumicës shqiptare.

Situata mbetet edhe më statike te komuniteti serb. Lista Serbe vazhdon të jetë dominuese me 9 prej 10 ulëseve të rezervuara, ndërkohë që Nenad Rasic – deputeti serb i parapëlqyer i Albin Kurtit – vazhdon ta sigurojë një ulëse vendimtare për t’ia mundësuar atij hyrjen në qeveri.

Legjitimiteti i të dyja grupeve të serbëve perceptohet si i kontestueshëm nga pala tjetër. Në perceptimin e Kurtit dhe të një pjese të opinionit publik shqiptar, Lista Serbe i siguron votat përmes kontrollit dhe presionit mbi serbët lokalë. Në anën tjetër, në perceptimin e Listës Serbe dhe Beogradit, Kurti dhe VV përdorin instrumente të inxhinierisë elektorale për t’i siguruar Rasićit mandatin e vetëm.

Në fund të fundit, ajo që mbetet konstante është se serbët e Kosovës mbeten në sanduiç mes presioneve dhe ndikimit të dy qeverive qendrore, pa ndonjë agjenci të veten për t’i diktuar zhvillimet. Përpjekjet për të ndërtuar pol politik autonom vazhdojnë të jenë evazive. Në mesin e serbëve të Kosovës nuk ekziston një figurë politike me autoritet për të ndërtuar platformë e cila mund t’i rezistonte Beogradit. Njeriu i fundit që e kishte këtë mundësi – Oliver Ivanovic – u vra para shumë vitesh, me gjasë pikërisht për këtë arsye.

Por përgjegjësi për këtë situatë mban edhe qeveria dhe elita në Prishtinë, qasja e së cilës ndaj veriut – shpërfillëse ndaj shqetësimeve të popullsisë së atjeshme - e ka radikalizuar një pjesë të mirë të popullsisë serbe në raport me institucionet qëndrore, duke i shtyrë nën përqafimin e Beogradit, apo edhe duke i defaktorizuar dhe deligjitimuar në sytë e opinionit publik serb të Kosovës.

Merreni shembullin e ish liderit të Partisë Liberale Serbe, Petar Miletic – një prej figurave konstruktive dhe liberale të serbëve të Kosovës, i cili para më shumë se një dekade ishte partner qeverie me Hashim Thacin. Miletic u plagos në vitin 2010 nga serbët radikalë të veriut dhe u detyrua të largohej për në Beograd për shkak të presionit të atyre që ishin kundër integrimit të serbëve në sistem. Me ardhjen në fuqi të Albin Kurtit, Miletic bëhet këshilltar i tij i jashtëm (I mbështetur nga qeveria gjermane), por jep dorëheqje, kësaj here për shkak të mospërfilljes prej Kurtit, qasja e të cilt ndaj serbëve është patronizuese, dhe në kërkim të “serbëve të ndershëm”.

Se si do të përfshihen serbët në institucione, kjo pikë së pari varet nga lloji i konsensusit të cilin e arrijnë mes vete shqiptarët. Një qeveri e gjërë mund të marrë përsiper detyrime mbi dialogun me serbinë të cilat do të kërkojnë shumicë të dysfishtë të pakicave në kuvend, ku vota e vetme e Rasicit nuk do të jetë e mjaftueshme. Arritja e ndonjë koalicioni 4 vjecar mes partive shqitpare me mandat për të shtyrë përpara Marrëveshjet si ajo e Ohrit do të nënkuptonte edhe gjetjen e ndonjë formule të bashkëpunimit me Listen Serbe, nëse jo në qeveri atëherë se paku në kuvend.

Bashkëpunimi varet edhe nga mënyrë se si sillet Lista Serbe. Formalisht ajo i ka ndërmarrë disa hapa që në letër duken moderuese, duke e përfshirë për shembull ish aktivisten e shoqërisë civile Jovana Radosavljevic në listë për deputetë. Por Lista Serbe do ta ketë të vështirë ta heq nga vetja njollën e të qenit instrument i Milan Radojcicit – zbatuesit kryesor të agresionit ndaj Kosovës, dhe deri më tani nuk ka dhënë ndonjë indikacion (qoftë edhe retorik) se me ndryshimin e emrave do të ndryshojë edhe përmbajtja e politikave të saja të reshtuara me Beogradin.

Marrëdhëniet ndëretnike mbeten, kësisoj, peng i politikave të mëdha – jo vetëm Prishtinës dhe Beogradit dhe retorikave polarizuese mbi baza etnike – por edhe dinamikave të jashtme që e kanë lënë pezull dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve. Edhe Kosova edhe Serbia sikur po presin që diçka të vijë nga jashtë – ose që njëra palë të lodhet dhe të heq dorë nga detyrimet e Marrëveshjeve si ajo e Ohrit, ose që të vijë një forcë e madhe dhe të imponojë zgjidhje.

Brenda Kosovës, gjendja në terren është formalisht e qetë dhe pa incidente etnike – largimi i strukturave të Milan Radojcicit, proces ky i mbështetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ka qenë shumë pozitiv për të krijuar kushte për marrëveshje politike. Por nën sipërfaqe tensionet mbeten aty ku kanë qenë, dhe distanca mes komuniteteve duket sikur kurrë nuk ka qenë më e madhe, teksa serbët janë jashtë shumicës së institucioneve të rendit dhe sigurisë, me shërbime arsimore dhe shëndetësore që akoma operojnë nën sistemin e Serbisë – një miks toksik ky që e mban gjallë potencialin e shpërthimit të tensioneve.  

Nevoja për një imagjinatë të re politike

Sidoqoftë, momentet kur situata duket e pashpresë janë pikërisht ato kur piqen kushtet për çarje të reja diskursive dhe mundësi të reja politike. Përtej ndarjeve etnike, Kosova sot po përballet me një krizë të vërtetë të përfaqësimit politik – qoftë te shqiptrët, qoftë te serbët –  me partitë ekzistuese të dëshmuara të paafta për t’i zgjidhur problemet jetike, përfshi ato të marrëdhënieve ndëretnike dhe izolimit ndërkombëtar të Kosovës. Që këto dy problemet e fundit të mund të zgjidhen, do të duhen lëvizje të reja shoqërore dhe politike në të dyja komunitetet etnike.

Shumica shqiptare e Kosovës vazhdon të jetë e përfaqësuar në njërën anë nga një parti politike e cila e ka ndërtuar popullizmin e sotshëm dominues mbi kritikat ndaj të drejtave të pakicave dhe me tensionimin e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës. Në anën tjetër, si kundërshtare të VV janë parti opozitare të cilat po i nënshtrohen ligjërimit të saj dhe pasivisht po pranojnë të luajnë në territorin e saj popullist.

Çelësi për Kosovën me shumë gjasë do të jetë ndërtimi i një opsioni të ri politik - i spektrit të majtë/liberal - i cili e përmbys ligjerimin e deritashëm mbi Serbinë, duke e trajtuar çështjen e dialogut të normalizimit të marrëdhënieve brenda kornizave të dialogut të BE si prioritet dhe si një mundësi për Kosovën – e jo si një kërcënim. Një opsion i tillë politik – kushtimisht thënë “pol i tretë” – sot do t’i përgjigjej një mjedisi politik të stërlodhur nga krizat dhe një pjese të konsiderueshme të elektoratit i cili dëshiron të shikojë përpara dhe jo prapa. Një pol i tillë politik në të ardhmen e afërt do të mund të imponohej edhe si faktor përcaktues për krijim të institucioneve.

Ky pol i ri politik çelësin për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike do ta kërkonte te shumica, sepse përgjegjësinë dhe  lirinë e plotë për të qeverisur me Kosovën sot e kanë shqiptarët. Parakusht për çfarëdo integrimi të sukseshëm të serbëve në sistemin politik të Kosovës është që shumica shqiptare të mos sillet më si viktimë dhe si antagoniste në raport me ta, por si një palë me përgjegjësi e cila që e shtrin dorën dhe e kërkon formulën e bashkëjetesës politike - përkundër dallimeve të mëdha në qëndrime – për të zgjidhur probleme të shumta të përbashkëta.

Deri më sot kjo qasje politike prej Prishtinës ka munguar sepse është konsideruar si politikisht vetëvrasëse. Veriu është kthyer në një territor ku sinjalizohet fuqia dhe një kuptim miltarist i sovranitetit – dhe jo si një vend ku shkohet për të folur me njerëz. Qasjes së rrahjes së gjoksit me sovranizëm militarist tani po i del boja teksa po kuptohet se ky lloj sovraniteti shpërfillës ndaj njerëzve është i brishtë dhe, në rastin e Kosovës, vjen me kosto të lartë të izolimit ndërkombëtar.

Një pjesë e votusve në Kososvë me gjasë janë të gatshëm për të dëgjuar ide të reja përtej folklorit nacionalist. Moderimi i skenës politike shqiptare përtej popullizmit nacionalist do të duhej të ishte faktori kyç që do të mundësonte ndryshime të ngjashme përmbajtësore në ‘kampin serb’. Në fund të fundit, “do të duhen dy për tango”.

A kanë potencial serbët që të prodhojnë opsion politik me legjtimitet të mjaftueshëm të brendshëm i cili njëkohësisht të ardhmen do ta artikulonte hapur brenda rendit politik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës? Kthetrat e Beogradit janë të forta dhe interesi i Vucicit për t’i mbajtur serbët peng të interesave hegjemonike mbetet i njëjtë.

Por mundësitë dhe të drejtat që ekzistojnë për serbet brenda sistemit të Kosovës – bashkë me mekanizmat që mund të krijohen për integrimin brenda këtij sistemi të disa përfitimeve që i marrin nga Serbia – mund të japin shtysa të mjaftueshme për serbet që ta shohin përfundimisht të ardhmen e tyre të lidhur me Republikën e Kosovës.

Edhe në mesin e serbëve, ashtu sikurse te shqiptarët, popullizmi verbues nacionalist e ka kufizuar imagjinatën politike. Gjithsesi, në rrethanat e përshtatshme të jashtme – siç mund të jetë edhe rënia apo dobësimi i pushtetit të Vuçic në Beograd - nuk përjashtohet mundësia që edhe në mesin e serbëve të lind një lidership i ri dhe legjitim i do të guxojë ta thotë atë që sot duket vështirë e imagjinueshme. Përgjatë historisë politike të Ballkanit kanë ndodhur gjëra shumë herë më të pamundshme.