Të panikuar rreth gjinisë: Migrimi i populizmit kundër-gjinor në Kosovë

Pra, anti-elitizmi kulturor është gjetur si terren fertil për të mbjellur frikë që më pas korret si mbështetje oportuniste për të djathtën ekstreme. Ajo plasohet si një forcë rezistuese dhe reaksionare ndaj ndryshimeve të cilat i lëvizin themelet e asaj se çka prezantohet në një moment të ketë qenë si respektueshmëria dhe moraliteti i së kaluarës - i dëshirueshëm dhe i duhur. Transformimet e shpejta  dhe të kërkuara nga lëvizja feministe dhe ajo LGBTIQ+ e vendosë në sprovë identitetin shoqëror të projektuar - i cili në preznatimin zyrtar është homogjen dhe përjashtues, që sipëron identitete dhe narrativa të burrave të pushtetshëm, duke vendosur në skaje identitete, raporte dhe subjektivitete të cilat e sfidojnë rendin hierarkik të gjinisë dhe shoqërisë. Andaj edhe duhet luftuar.

HBS

Me 1 tetor të këtij viti, deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica e braktisën Lëvizjen Vetëvendosje!. Ata, ndër të tjerë, kumtuan se në zgjedhjet e shkurtit 2025 do të hyjnë si pjesë e një force të re politike -Koalicionit Lista për Familjen. Në një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ata e shpallën betejën për mbrojtjen e familjes tradicionale si kauzë të tyre dhe veten si burra të përkushtuar për shpëtimin e saj nga projektet degjeneruese gjinore. 

 

Ani pse lindja e kësaj force politike ka nxitur panikë në disa qarqe për zbarkimin e të djathtës  ekstreme, ky populizëm që i kundërvihet kauzave gjinore apo siç artikulohet gjerësisht si “populizëm kundër-gjinor” nuk është kaq jetëshkurtër sa është Koalicioni Lista për Familjen. Ai është artikuluar edhe më parë nga subjekte si Partia e Drejtësisë në krye me Ferid Aganin dhe Partinë Fjala të drejtuar nga Gëzim Kelmendi. Po ashtu, edhe ky Koalicioni nuk është prurje e re. Ky koalicion është produkt i populizmit të Vetëvendosjes. Ka qenë angazhimi i Vetëvendosjes për rritje të pakompromis që prej zgjedhjeve të vitit 2019 që ka fuqizuar politikisht Rrahmanin dhe Korenicën e të tjerë konservatorë duke i nominuar si kandidatë për deputetë. Ata nuk janë shndërruar në konservatorë të djathtë brenda natës. Ata kanë hyrë të tillë dhe kanë propaganduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës kundër Kodit Civil dhe të drejtës për martesë në mes të gjinive të njëjta si dhe Projekt-Ligjit për Fertilizim të Asistuar.

 

Të zëhëm në media, anëtarë të Koalicionit të burrave për familjen shfaqin ankthe shoqërore për degjenerim shoqëror, shthurje dhe mospërfaqësimin të mjaftueshëm politik të së djathtës konservatore deri tani në politikën formale që t’i bëjë ballë sulmeve nga idetë përparimtare gjinore. Ani pse në ligjërimin e tyre, gjinia shpallet si pikë degjeneruese dhe fushëbetejë, vetë korpusi i saj është i brumosur nga ideologjia gjinore. Çështja qëndron cila ideologji gjinore i udhëheqë ata dhe pse në këtë moment politik gjinia është bërë pikë mobilizimi për të djathtën ekstreme në Kosovë.

 

Kënd nga kush po e mbron Koalicioni për Familjen?

Lista për Familjen e ka kapur çështjen gjinore në stil populist. Ata synojnë ta ndajnë një ndarje moraliste të shoqërisë, duke e kornizuar veten si zgjatim të vullnetit të përgjithshëm të popullatës të nëpërkëmbur. Rogers Brubaker ka argumentuar se populizmi është një reportar ligjërimor dhe stilistik i cili synon të mbledhë pushtet politik në emër të popullit dhe përmes ndarjes në ne dhe ata. Në këtë rast vijë demarkuese bëhet gjinia, performimet e duhura të së cilës e ndajnë popullin në dy taborre. Masa e përgjithshme prezantohet si viktimë dhe subjekt i cili ka nevojë për mbrojtje nga kapërdirja e manipulimit që i bëhet nga elitat e korruptuara që duan ta degradojnë shoqërinë dhe ta zhbëjnë familjen dhe vlerat tradicionale të shoqërisë. Pra, në njërën anë janë masa e pafajshme, e pastërt, e viktimizuar por prapë e lartësuar, dhe në anën tjetër janë elitat -të korruptuara, manipuluese dhe satelite të agjendave të huaja. 

 

Kauza për familje do fitojë. Agjenda, financimet, angazhimet për shkatërrimin e familjes kanë dështuar dhe do të dështojnë. Populli është me familjen dhe për FAMILJE tradicionale. -Eman Rrahmani

 

Megjithatë, ky populizëm nuk është origjinal dhe as përgjigje autentike nga krizat dhe nevojat lokale të popullësisë kosovare ku apelon Koalicioni. Terreni politik mbi të cilin po ushqehet e djathta ekstreme në konsolidim e sipër në Kosovë mund të lexohet si reflektim i frymës populiste e cila ka përshkuar dhe është duke rikonfiguruar gjeografi, ideologji dhe sisteme politike anembanë botës. Ligjërimet kundër kauzave gjinore të cilat janë duke u pahësuar me intensitet çdo herë e më të lartë që nga ekstremi i djathtë deri te ai i qendrës në Kosovë, janë diskurse udhëtare të cilat janë duke migruar me shpejtësi të madhe teksa suksesshëm po përthithin progresivisht terrene politike. Pra, shpallja e alarmit dhe krizave të identitetit që për shkaktar kanë përpjekjet për barazi gjinore janë në modë. Çështja është kush dhe me çfarë shpejtësie e kapë trendin dhe përfiton nga ai. Kësisoj, ligjërimet aktuale populiste të së djathtës populiste kosovare mbi gjininë duhet lexuar si shpërdorime oportuniste të gjinisë dhe përpjekjeve politike për drejtësi dhe barazi gjinore për të fituar terren dhe pushtet politik.

 

Gjinia jo çuditërisht është në qendër të politikës së Koalicionit për Familjen dhe përgjithësisht trendeve të reja të populizmit të djathtë. Arsyet për këtë pozicion mund të gjenden te ndjesitë të cilat transformimet gjinore pas lufte të cilat mund të politizohen lehtësisht duke apeluar në ankthe për humbje pushteti mashkullor, rikonfigurim të familjes, kriza identitare të cilat i atribuohen ndryshimeve të shpejta. Këto ndryshime nga eksponentë të Koalicionit, siç është Ferid Agani i atribuohen transformimit neoliberal të pasluftës. Prapë, në trajtë populiste kundër-elitizmi i performuar bëhet veç në vija kulturore, duke e denoncuar neoliberalizmin për importim kulture dhe kauzat gjinore dhe LGBTIQ+ si pjesë thelbësore e këtij importi. Kështu, ata lënë selektivisht jashtë denoncimeve kritika strukturore për transformimin ekonomik të shoqëruar me privatizim, derregullim dhe gërryerje të sigurisë ekonomike  të cilat nuk janë popullore dhe nuk mobilizojnë edhe aq lehtë emocion.

 

Pra, anti-elitizmi kulturor është gjetur si terren fertil për të mbjellur frikë që më pas korret si mbështetje oportuniste për të djathtën ekstreme. Ajo plasohet si një forcë rezistuese dhe reaksionare ndaj ndryshimeve të cilat i lëvizin themelet e asaj se çka prezantohet në një moment të ketë qenë si respektueshmëria dhe moraliteti i së kaluarës - i dëshirueshëm dhe i duhur. Transformimet e shpejta  dhe të kërkuara nga lëvizja feministe dhe ajo LGBTIQ+ e vendosë në sprovë identitetin shoqëror të projektuar - i cili në preznatimin zyrtar është homogjen dhe përjashtues, që sipëron identitete dhe narrativa të burrave të pushtetshëm, duke vendosur në skaje identitete, raporte dhe subjektivitete të cilat e sfidojnë rendin hierarkik të gjinisë dhe shoqërisë. Andaj edhe duhet luftuar.

 

Nga cila ideologji gjinore udhëhiqet e djathta populiste kosovare?

Në imagjinatën politike të cilën po e imponon e ideologjia e gjinisë së Listës për Familjen qendërzohet një kuptim i shtrembëruar, djallëzuar i kauzave për barazi gjinore të cilat shpallen si egoiste, armike të familjes, vlerave tradicionale dhe për rrjedhojë edhe vazhdimësisë së kombit. Duke bërë kështu, ata pozicionohen kundër feminizmit, të majtës, modernizmit e herë-herë edhe neoliberalizmit. Duke bërë kështu, rreziqet identifikohen dhe gjykohen publikisht përmes mobilizimit politik të emocionit, frikës, pasigurisë dhe turbullimit që mund t’i mveshen ndryshimeve për të cilat janë artikuluar rryma e lëvizje politike përgjatë historisë së re në Kosovë, sidomos që pas luftës e tutje. 

 

Në ligjërimin politik dhe moralist të Koalicionit për Familjen kauzat për barazi gjinore, martesat mes gjinisë së njëjtë, fluiditeti gjinor dhe autonomia e grave mbi trupin e tyre e lëkundë rendin “natyror” të marrëdhënieve ndër-gjinore. Liria që gratë të vendosin për trupin dhe familjen që duan ta kenë shihet si sulm i drejtpërdrejtë në familjen tradicionale e cila domosdoshmërisht është heteroseksuale dhe ka burrin në krye. Të abonuarit në këto ide të rrezikshme e shpërbën familjen si institucioni kyç i cili është në bërthamë të shoqërisë dhe politikës në këtë imagjinatë. Këto ide, të ngjyrosura shpesh me nuanca religjioze i shpallin nismat për garantim të të drejtave ligjore dhe politike për gratë dhe personat LGBTIQ+ si luftë kundër zotit. Duke bërë kështu, trupat e gjinizuar dhe bartëset/it e këtyre kauzave djallëzohen dhe vendosen si rrezik ndaj të cilëve duhet ruajtur jo vetëm familjen, por të gjithë kombin. Duke e operacionalizuar një dikotomi të tillë, kauzat shoqërore prezantohen qëllimshëm si biopolitikë e cila për qëllim të fundëm ka menaxhimin e popullësisë, deri në shfarosje identitare.

 

Tutje, çka sipërohet si themeli ideologjik është politika identitare mashkulloriste: Një panikë që e kanë shoqëruar ligjërimin e Listës për Familjen edhe para së të ngjizej nga një grup burrash ishte figura e kontestuar e burrit në familje që flet për një figurë të dobësuar të tij edhe në politikë dhe përfaqësim. Birgit Sauer argumenton se populizmi i djathtë mund të interpretohet si një politikë identitare mashkulloriste, pra një përpjekje për ta rimëkëmbë autoritetin e burrit. Kjo rimëkëmbje mund të bëhet përmes shembjes së dinamikave aktuale të cilat i kanë turbulluar rolet e burrave dhe grave dhe kthimin e nënshtrimit të gruas ndaj burrit. Në gjuhën politike të Eman Rrahmanit edhe sa ishte si pjesë e partisë Vetëvendosje! ishte e pakonceptueshme që institucioni i familjes të mund të ekzistonte pa figurën e babait dhe burrit heteroseksual. Kjo ishte kundër rendit natyror i cili sipas tij e vendosë burrin në krye të bërthamës shoqërore -familjes. 

 

Insistimi në rikthimin e familjes tradicionale ku nëna është e pozicionuar në rolin e saj primar të natyralizuar e sfidon edhe vetë progresin në demokracinë përfaqësuese ku apelon Rrahmani. Duke implikuar një ripozicionim të grave brenda terrenit shtëpiak, si bashkëshorte dhe nëna, një rikonfigurim i tillë e rezervon pushtetin politik në publike si zeje burrash. Kështu, rojëtarët e shtëpisë provokojnë ide moralisht të ngarkuara për rolet e subjekteve të gjinizuara në shoqëri duke shpërdoruar biologjinë dhe shkencën. Pra, ata ua tregojnë vendin grave dhe burrave dhe e vendosin veten në rolin edhe të rojëtarëve, profetëve, mjekëve e policëve të moralit. Duke bërë kështu, ata veç se e kanë hapur një derë të re mobilizimi politik mbi ideologji gjinore, i cili tash është duke migruar drejt qendrës dhe është duke u normalizuar.

 

Oportunizmi populist nga ekstremi në qendër

Pak ditë më vonë pasi Donald Trump i fitoi zgjedhjet në Amerikë falë një retorike të fortë që ndër tjerash përqeshte dhe i bëntë gjyqin kauzave gjinore që edukojnë për natyrën fluide dhe të ndryshueshme të tij, në Kosovë mori hov diskutimi për edukimin seksual dhe shëndeitn riprodhues. Më 11 nëntor, Eman Rrahmani nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës mori në cak personat LGBQIT+ dhe doracakët për mësimdhënës për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues

 

Me një gjuhë e ton që apelon në emocion, ai i bëri një interpretim të shfytyruar një pjese të doracakut ku fëmijëve ju kërkohet ta bëjnë një simulim për personat e verbër, duke e prezantuar atë qëllimshëm si seksualizim të fëmijëve. Ndërhyrja e tij bëri që tema e edukimit seksual në shkolla ta merrte tatpjetën në publik dhe të gjykohej si nismë djathtas e majtas, duke e bërë atë si terren të pjellshëm të dezinformimit, manipulimit, propagandimit dhe rritjes elektorale. Këtu nuk u kursyen as subjekte të tjera politike, të cilat me shpejtësi e kapën mundësinë popullarizuese që e ofronte pozicionimi politik karshi saj. Për rrjedhojë, Drejtorja e Arsimit në komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu mori vendim për ndërprerjen e përdorimit të doracakëve në të gjitha shkollat e Prishtinës. Muaj më parë, Lushaku-Sadriu kishte nxjerrë një udhëzues administrativ që në dokumentet zyrtare shkollore gjinia e prindërve të mos përcaktohej duke iu referuar me shënjues si “prindi 1, prindi 2”, çka u prit me shumë kundërshtim të hovshëm publik. Pas Prishtinës, vendimi për ndalimin e teksteve u pasua edhe nga komuna e Vushtrrisë, Fushë Kosovës dhe Skënderajit. E gjithë kjo u bë në emër të mbrojtjes së fëmijëve të cilët u shpallën kategori e rrezikuar në fjalimin e Rrahmanit.

 

Në pikun e diskutimit publik, kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, elektrizoi tubimin partiak në Shtime me mesazhin drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje!:

 

“Mbani duart larg prej familjes, mbani duart larg fëmijëve tanë në Kosovë. LDK nuk ju lejon, LDK nuk ju toleron, populli i Kosovës nuk lejon, nuk ju toleron, asnjëherë për asnjë ditë, për asnjë moment”

 

Me të marrë një përballje e cila e bëri jopopullore një nismë të tij, LDK-ja që hiqej si përparimtare, i ndërroi termat e lojës, duke e kapur që gjinia tashmë është një referencë përmes së cilës mund të rikonfigurohen formacionet politike dhe mund të qeverisen emocione. Ata shpejt e kapën emocionin prindëror si pikë grumbullimi të kapitalit politik i cili mund të korrë votë elektorale. Duke e vendosur subjektin fëmijë në qendër të rrezikut që kanoset nga fushata qëllimkëqija gjinore dhe seksualizuese, LDK-ja shqoi si kategori të veçantë politike prindërit përmes së cilës sulmohet pushteti dhe mbjellet frikë, mobilizim, ankth dhe identitet politik. 

 

Megjithatë jokonsistenca e tyre konsistente është e dallueshme nga Koalicioni për Familjen. LDK-ja vazhdon të flirtojë në mënyrë oportuniste me feminizmin dhe të operacionalizojë selektivisht leksikun feminist liberal që e paraqesin një përfytyrim përparimtar dhe barazimtar të partisë, duke tërhequr gra udhëheqëse e duke e promovuar barazinë gjinore në vendimmarrje për ta tërhequr votën elektorale. Ngjashëm, edhe partia në pushtet -Vetëvendosja! në stil populist u tërhoq nga doracakët duke e legjitimuar edhe më tej frymën kundër-gjinore. Këto lëvizje strategjike shënojnë një kthesë më të rëndësishme dhe më të rrezikshme për kauzat për barazi gjinore sesa vetë futja e Koalicionit për Familjen si formacion politik. Kjo pasi që janë duke e normalizuar përdorimin populist të kauzave gjinore dhe të të drejtave të njeriut majtas dhe djathtas.

 

Ajo çka vjen e bëhet çdo herë e më e qartë është që populizmi kundër-gjinor nuk është shënjues i forcave elektorale margjinale apo të ekstremit të djathtë siç mund të hamendësohet me Koalicionin për Familjen. Ajo është kapje lehtësisht e mobilizueshme dhe e përshtatshme nga forca të ndryshme politike. Kësisoji, ajo bëhet e rëndësishme dhe alarmuese për ta parë kapacitetin e saj penetrues dhe rikonfigurues të politikes dhe kauzave shoqërore. Koalicioni për Familjen po shtyen drejt politikës një ideologji gjinore e cila rrezikon t’i vendosë në treg të drejtat e njeriut, ku legjitimiteti i tyre përcaktohet nga kapaciteti i marketingut që fabrikon opinion publik.