Taktika e intimidimit të kritikëve përmes sulmeve të vazhdueshme dhe personale synon që ta rrisë koston e angazhimit publik të atyre që dëshirojnë ta kritikojnë qeverinë dhe kështu ta disiplinoje hapësirën publike. Kjo metodë përdor profile anonime për ta fshehur dorën dhe për të hequr përgjegjësinë politike por edhe juridike.
“Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, përmes këtij komenti në rrjetin social Facebook ishte kanosur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti nga Reshat Sadiku, një kosovar me shtetësi gjermane. Sadikut i kishte ngritur aktakuzë Prokuroria Themelore në Prishtinë duke e dënuar me 4 muaj burg që gjykata ia shndërroi në gjobë prej 2 mijë euro. Ndërsa, derisa po mbahej seanca Sadiku ishte i gatshëm të gjunjëzohej para Hotit duke i kërkuar falje për veprim e tij. “Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë”, deklaroi ai, duke vazhduar t’i përgjërohej Hotit me kërkim falje. “Internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër”.
Rasti i deputetit Hoti s’është i vetmi. Komentet kërcënuese, denigruese, përçmuese e ofenduese janë të përditshme që i bëhen kujtdo që shpreh një mendim apo opinion në lidhje me zhvillimet politike, e që kryesisht nuk iu pëlqejnë mbështetësve të pushtetit.
Njëjtë i ka ndodhur edhe aktivistit të shoqërisë civile, Agon Maliqit, derisa shfaq mendimet e tij nëpër rrjetet sociale në lidhje me gjendjen politike dhe sociale në Kosovë. Por, Maliqi është sulmuar më shumë nga profile të rrejshme nëpër rrjetet sociale dhe nga botat (profile robotësh që krijohen përmes programimit) që krijohen kryesisht nga politikan, parti politike e grupe interesi që tentojnë ta shtypin mendimin e dikujt që merr pjesë aktivisht në jetën publike me ide dhe opinione. “Taktika e intimidimit të kritikëve përmes sulmeve të vazhdueshme dhe personale synon që ta rrisë koston e angazhimit publik të atyre që dëshirojnë ta kritikojnë qeverinë dhe kështu ta disiplinoje hapësirën publike. Kjo metodë përdor profile anonime për ta fshehur dorën dhe për të hequr përgjegjësinë politike por edhe juridike (duke qenë se përdoren shpifje)”, shpjegon Maliqi përvojën e tij me komentet nëpër rrjetet sociale. Maliqi beson se “kushdo që angazhohet publikisht duhet të jetë i gatshëm për të qenë subjekt kritike apo edhe i sulmeve”. Ai e konsideron këtë normale në çdo demokraci, por, sipas tij “kur këto sulme janë të orkestruara nga një adresë politike atëherë kjo jo vetëm se e dekurajon angazhimin publik por edhe ngre shumë pikëpyetje mbi sinqeritetin e zotimeve të qeverisë për demokracinë”.
Valon Kerolli ekspert i rrjeteve sociale, sqaron se si krijohen profilet e rrejshme që komentojnë, kryesisht kundër atyre që kritikojnë veprimet dhe vendimet e qeverive. Ai ka treguar se në Kosovë “kryesisht partitë politike apo grupet e interesit i përdorin shërbimet e botave që ofrohen nga uebfaqe të ndryshme online, pra pa pasur nevojë për njohuri të programit thjeshtë paguajnë për shërbime të caktuar të atyre botave”. Këta bota gjejnë përdorim të gjerë sqaron Kerolli, nga “votimi në sondazhe të ndryshme politike që bëjnë mediat në faqe e tyre në rrjetet sociale apo për të komentuar me mesazhe pozitive për subjektin/liderin e tyre por edhe për të sharë, ofenduar e kritikuar oponentët apo ata që kanë një mendim ndryshe”.
Në raste të shpeshta këto komente përdoren për t’i dekurajuar ata që kanë zë kritik dhe që japin opinione për ta rritur përgjegjësinë publike tek të zgjedhurit. Maliqin këto komente nuk e kanë dekurajuar, për arsye “kjo do të nënkuptonte t’i lejosh të fitojnë ata që dëshirojnë të ta shtypin të drejtën e shprehjes”. “Madje kjo gjë të jep edhe më shumë frymëzim për angazhim. Por nuk mund ta mohoj se turma e banditëve digjitalë e ka krijuar njëfarë efekti psikologjik që sa herë që dëshiroj të shkruaj diçka i pres sulmet personale dhe ka raste kur edhe mund të tërhiqesh sepse je i zënë me punë dhe nuk ke kohë të merresh me debatet që prodhohen”, thotë Maliqi.
Profesori i Universitetit të Prishtinës që ligjëron në Degën e Gazetarisë, Faton Ismajli, shfrenimin e këtyre komentuesve nëpër rrjetet sociale e lidh me dy shkaqe, e që sipas tij, kryesorja është mungesa e edukimit ligjor e medial. “Meqë qasje në internet kanë pothuajse të gjithë njerëzit në Kosovë do të jetë e vështirë që të eliminohen të gjitha komentet kërcënuese e kanosëse por s’kam asnjë dyshim se përmes edukimit ligjor dhe edukimit medial do të arrihej efekt në zvogëlimin më masë të madhe të komenteve kërcënuese e kanosëse”, thotë ai.
Pasojat ligjore për komentuesit që kanosin nëpër rrjetet sociale
Maliqi tregon se disa herë është kërcënuar në rrjetet sociale për mendimet e tij, por që Policinë nuk e ka kontaktuar edhe “pse në disa raste kam marrë kërcënime të drejtpërdrejta”. “Më parë parapëlqej t’i postoj në publik ato kërcënime apo edhe t’i raportoj në platformat respektive si x/twitter apo Meta”, thotë ai. Por nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen t’i njofton organet e rendit. “Gjithsesi kjo nuk e përjashton në të ardhmen mundësinë që ndonjë kërcënim më serioz edhe ta paraqes në polici”.
Nga Policia e Kosovës në përgjigjen përmes postës elektronike kanë treguar për statistika të përgjithshme të kanosjeve nëpër vite. Në statistika përfshihen të gjitha kanosjet, jo vetëm nëpër rrjetet sociale. “Në vazhdim gjeni statistikat e kërkuara për numrin e përgjithshëm (jo vetëm të rrjeteve sociale) të rasteve nga vepra penale Kanosje, të raportuara në Policinë e Kosovës. Në vitin 2022, 2 mijë e 778; në vitin 2023, 2 mijë e 625 dhe në 3 mujorin e parë të vitit 2024, 577 kanosje”, është përgjigja e Policisë së Kosovës. Nga Gjykata Themelore në Prishtinë kur i kemi pyetur për dënimet që i ka shqiptuar për kanosje nëpër rrjetet sociale, janë përgjigjur se “në data bazën e Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk ekziston kolonë apo rubrikë e veçantë lidhur me rastet sa i përket kërcënimeve që bëhen nëpër komentet e rrjeteve sociale”.
Shifrat nga Gjykata mund të merren “vetëm atëherë kur i posedon të dhënat personale të të akuzuarve apo palëve në procedurë, andaj nëse ju keni ndonjë rast ku mund ta evidentoni me emër dhe mbiemër, emri i prindit ose me numër të lëndës, luteni të na dërgoni në mënyrë që të bëjmë identifikimin e këtyre rasteve, rrjedhimisht të realizojmë kërkesën tuaj”, thuhet në përgjigje. Për pasojat ligjore, profesori Ismajli thotë se ka pak dijeni nga përdoruesit e rrjeteve sociale që mund t’i bartin ata që kanosin dhe përdorin gjuhë kërcënuese nëpër rrjetet sociale. Komentimi nëpër rrjetet sociale, sipas Ismajlit, “është komentim publik rrjedhimisht bartë edhe përgjegjësi dhe pasoja publike bazuar në Kushtetutë dhe në ligjet e aplikueshme në Kosovë”. “Pasi mediat sociale janë relativisht të reja për gjithë botën edhe për Kosovën, një numër i madh i përdoruesve nuk e kanë idenë për pasojat ligjore që kanë kur kanosin apo kërcënojnë dikë.
Nuk e kanë për faktin edhe se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është shumë efikas për t’i ndjekur dhe dënuar gjithë ata njerëz që thërrasin në dhunë, që kërcënojnë, që bëjnë thirrje për vrasje”. Ai sqaron se shumëkush diskutimet në mediat sociale i kupton si fjalë që nuk kanë përgjegjësi, “mirëpo, me rregullativën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës secili që kanos apo kërcënon dikë është përgjegjës penalisht para ligjit”.
Ismajli sqaron se është shumë e rëndësishme që t’iu qartësohet përdoruesve të rrjeteve sociale se “nëse nxitë dhunë, bartë pasoja penale dhe mund të përfundosh në burg”. “Nëse përmes komenteve nxitet urrejtje racore, etnike, fetare, gjinore prapë ke pasoja penale dhe mund të dënohesh me burg. Nëse fyen dikë apo shpif mund të ballafaqohesh me pasoja civile, ku personi për të cilin keni shpifur mund t’ju padisë dhe të kërkojë dëmshpërblim. Në këtë situatë, secili që ka një llogari në rrjetet sociale, qoftë edhe nëse nuk e ka në emrin e tij, duhet të mos kanos apo kërcënojë askënd sepse pasojat janë të rënda”, thotë ai.
Eksperti i rrjeteve sociale Kerolli tregon se Policia e Kosovës mund t’i gjurmojë personat që kanosin nëpër rrjetet sociale, sepse “institucionet e sigurisë kanë kanale zyrtare të komunikimit me kompanitë e rrjeteve sociale apo kompanive që ofrojnë shërbime të hostingut”. Kerolli thotë se Policia kanë mundësi që të kërkojnë nga ata informacione të IP-ve që përdorin ato profile apo informacione të tjera si email adresa, numër telefoni, apo informacione tjera të nevojshme për të çuar në identifikimin e personave që qëndrojnë prapa atyre profileve apo botave.“Por kanë edhe mundësi që të kërkojnë mbylljen e atyre llogarive nëse paraqesin kërcenim për persona të caktuar apo për vendin”, thotë ai.
Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nenit 181, kanosja, edhe ajo në rrjetet sociale, është vepër penale e dënueshme nga 6 muaj deri në 5 vite, varësisht nga kanosja. Ndërsa, ata që përballen me shpifje dhe fyerje me komente nëpër rrjetet sociale mund të bëjnë padi në Gjykata në bazë të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, duke kërkuar edhe kompensim të dëmit material dhe jo material.
Ushtria digjitale dhe krijimi i profileve robotike?
Për ushtrinë digjitale ishte ankuar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, që kishte shpërndarë në profilin e saj në platformën “X” një artikull të “Balkan Insight”, ku kishin vërshuar komentet që po e kritikonin qëndrimin e saj. Ajo akuzoi drektë partinë në pushtet, “Vetëvendosjen”, se ka krijuar një ushtri digjitale.
“Në të vërtetë ushtria dixhitale e VV kufizon lirinë e fjalës. Në Kosovë, ish-anëtarët e partisë në pushtet Vetëvendosje kanë konfirmuar gjithashtu ekzistencën e një ushtrie dixhitale që ka për detyrë të përhapë informacione, të rrisë praninë dixhitale dhe të synojë pikëpamjet e kundërta”, kishte shkruar ajo në rrjetin social X.
Profesor Ismajli e konfirmon qëndrimin e eurodeputetes, duke përforcuar me argumente që këto komente “synojnë të heshtin zërat kritik”. “Kur dikush shpreh një qëndrim dhe i vërshojnë me qindra apo mijëra komente, sigurisht që sado që qëndrimi mund të jetë i argumentuar, ai ose ajo mund të ndjehet jo komond dhe zgjedh që të mos përshihet më, e që ky është synimi i këtyre profileve. Në të vërtet këta persona do të duhej inkurajohen që të vazhdojnë t’i shprehin qëndrimet e tyre dhe mos pajtimet, sepse kështu e zhvillon shoqërinë dhe demokracinë”, thotë Ismajli.
Ndërsa, Kerolli ka sqaruar se Botat krijohen nga persona apo kompani që kanë njohuri të programimit, kryesisht krijohen me gjuhët programuese si Python, Javascript apo PHP. Sipas tij, kostoja e krijimit të botave varet shumë nga lloji dhe funksioni që do të kryejnë “por nëse i marrim shembull botat që kryesisht bëjnë apo komentojnë në rrjete sociale kostoja e krijimit të tyre është shumë e ulët sepse shumica e rrjeteve sociale ofrojnë qasje në
API të tyre që me pak njohuri të programimit mund të kryhen shërbime automatike me bota”. Profilet robotike dhe të vërteta, sipas Kerollit, është vështirë të dallohen dhe nga ata që kanë njohuri të thella të kësaj fushe. “Realisht në dukje të parë edhe profilet që menaxhohen manualisht por edhe ato që menaxhohen nga botat duken si profile normale dhe është shumë e vështirë për t'i dalluar se nga vijnë ato, zakonisht neve që merremi me hulumtimin e tyre i përcjellim se ku komentojnë dhe çfarë bëjnë ato profile dhe në bazë të aktivitetit të tyre mundemi qe pak a shumë ta kuptojmë se cilit subjekt apo grup interesi i përkasin”, thotë ai.
Kerolli thotë se dihet adresa e saktë e këtyre profileve roboti “është shumë e vështirë përveçnëse është është në interes të institucioneve të sigurisë atëherë ata kanë mekanizma të cilat mund t’i përdorin për të arritur deri tek krijuesit e tyre”. Përmes këtyre profileve robotike synohet përmbytja e narracionit ndaj mos punës së një qeverie, apo partie politike apo një grupi të interesit vlerëson profesor Ismajli. “Këto komente e këto profile i hasim shpesh kur situata politike apo ekonomike është më endjeshme dhe grupet e interesit i aktivizojnë në rastet kur ka shumë kritika për një veprim, që ta përmbysin narracionit dhe ta krijojnë përshtypjen se gjendja është ndryshe dhe ajo ashtu siç e përshkruan kritiku”.
Sipas tij, në kohë fushate zgjedhore janë më të pranishme këto profile, por jo vetëm. “Kurdo që partitë politike apo grupet e interesit e vërejnë se ka rënie të besueshmërisë, apo ka lëkundje të besimit tek opinioni, i aktivizojnë profilet e rrejshme që të komentojnë”, thotë Ismajli.
Kerolli thotë se botat vështir se mund të mbyllen, kjo si shkak edhe i zhvillimit të inteligjencës artificiale. “Kompanitë e rrjeteve sociale shpesh bëjnë njoftime për mbylljen e mijëra/milionave llogarive false apo atyre që menaxhohen nga botat kur i zbulojnë se ato kryejnë shërbime të automatizuara, por zhvillimi i madh i intelegjencës artificiale e ka bërë shumë të vështirë identifikimin e tyre sepse me ndihmën e inteligjencës artificiale konfigurohen që ato bota të kryejnë funksione të ngjashme me të njeriut”, thotë Kerolli. Sipas tij, lufta ndoshta më efikase tani për tani është ajo e luftimit manual u bërë atyre llogarive apo duke bllokuar trafikun në faqe të rrjeteve sociale nga shtetet ku kryesisht vijnë botat apo profilet e rrejshme që blihen në faqe të ndryshme në internet e që kryesisht janë shtetet si Vietnami, Indonezia, Indiana, Pakistani apo Bangladeshi.
Ndërsa Ismajli, pavarësisht që ka shumë komentues që përdorin gjuhë kërcënues, beson se “nuk mund të ketë kaq shumë njerëz me potencial kriminal në shoqërinë tonë pavarësisht gjuhës qëpërdoret në komentet dhe diskutimet publike”.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, (ASK), të nxjerra në vitin 2023 gati 99 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet, ndërsa rrjeti social më i përdorur është Facebook, pasuar me Instagram. Arsyeja kryesore, sipas ASK-së, pse e përdorin internetin kosovarët janë për lexim, argëtim, mbajtjen e lidhjeve me familje dhe shoqëri dhe komentimi i lajmeve.