Procesi i konsolidimit rajonal dhe i brendshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) mbetet i papërfunduar, me trashëgiminë e konfliktit që ende shfaqë ndikim të rëndësishëm. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, Bashkimi Europian dhe SHBA-ja kanë zhvendosur fokusin e tyre drejt çështjeve të sigurisë. Ballkani Perëndimor ilustron se si transformimi shoqëror pas konfliktit është po aq i rëndësishëm sa parandalimi i luftës.
Pamja e sotme gjeostrategjike ndryshon dukshëm nga koha e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999, e cila shënoi një moment kritik për Serbinë. Përveç kapaciteteve të dobëta të brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, udhërrëfyesi i integrimit euroatlantik përballet me pengesa për shkak të ndikimit malinj rus në rajon. Rusia kërkon të mbajë të gjithë rajonin brenda sferës së saj të ndikimit duke i bërë presion Serbisë, duke synuar jo vetëm të pengojë integrimin në NATO, por edhe të pengojë zgjerimin e BE-së. Narrativa zyrtare serbe, e propaganduar nga mediat e ndikuar nga Rusia, i portretizon serbët si viktima, duke nxitur ndjenjat antiperëndimore në favor të Rusisë.
Politika e pandryshuar: Qëndrimi sërb ndaj Kosovës
Qëndrimi i Serbisë për Kosovën ka mbetur i pandryshuar gjatë dy dekadave e gjysmë të fundit. Dy opsione mbizotëruese vazhdojnë: ndarja e Kosovës (aneksimi i Veriut) ose ruajtja e status quo-së (duke pritur për një kontekst më të favorshëm ndërkombëtar). Koncepti i ndarjes, që daton më shumë se katër dekada, mbetet në axhendën serbe. Dobrica Ćosić, një ideolog kryesor i nacionalizmit serb dhe ish-president i Republikës Federale të Jugosllavisë, shkruante në ditarin e tij qysh në vitin 1981: "Nëse nuk mund ta çlirojmë Kosovën përsëri, atëherë ajo duhet të ndahet mes nesh dhe shqiptarëve".
Kryeministri nacionalist Vojislav Koshtunica avokoi për kantonizimin ose ndarjen e Kosovës në entitete. Parlamenti serb miratoi “Planin për zgjidhjen politike të situatës në Kosovë dhe Metohi” në vitin 2004, duke propozuar autonomi territoriale bazuar në lidhjen e vendbanimeve të dominuara nga serbët dhe kthimin e serbëve të zhvendosur gjatë operacioneve të spastrimit etnik. Në zonat me një popullsi të konsiderueshme serbe, autonomia territoriale do të vendosej në formën e një rajoni me të drejta, pushtete dhe institucione të unifikuara.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në partneritet me ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, pothuajse ia dolën të ndanin Kosovën (2018–2019). Ata kishin mbështetje nga lehtësuesja e BE-së Frederica Mogherini, administrata Trump, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe lobistë të ndryshëm amerikanë dhe europianë, si dhe një pjesë e konsiderueshme e opozitës dhe shoqërisë civile në Serbi. Megjithatë, mundësia e ndryshimit të kufijve u eliminua në samitin e Berlinit në prill të 2019-tës, ku Gjermanisë, e cila ishte gjithmonë kundër ndarjes, iu bashkua edhe Franca.
Beogradi nxiste pritshmëri jorealiste në mesin e serbëve të Kosovës lidhur me ndarjen, duke çuar në ngritjen e barrikadave në veri dhe tërheqjen e tyre eventuale nga institucionet e Kosovës. Duke ndjekur gjurmët e liderit të kohës së luftës të Serbisë, Slobodan Millosheviç, Vuçiq i armiqësoj serbët dhe shqiptarët e Kosovës, duke e përkeqësuar ndjeshëm pozitën e tyre. Që nga viti 2013, BE-ja ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të integruar serbët në institucionet e Kosovës, por veprimet e fundit nga Beogradi i kanë dëmtuar këto përpjekje.
Presidenti Vuçiq pati një mundësi unike për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit, por e pengoi ekzekutimin e saj. Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se Asociacioni i Komunave Serbe (ASM) nuk mund të funksionojë si "shtet brenda shtetit", Beogradi ka këmbëngulur që t'i japë kompetenca ekzekutive.
Duke u mbështetur në përvojat e kaluara, autonomia territoriale e bazuar në parimet etno-kombëtare në Ballkan çon në migrim të padëshiruar dhe neglizhencë të komuniteteve pakicë që jetojnë jashtë njësive autonome ose komuniteteve lokale (e ngjashme me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë). Kjo lëvizje është gjithashtu evidente në Vojvodinë, ku pakicat hungareze grumbullohen përgjatë kufirit hungarez, duke shkaktuar migrim nga Vojvodina jugore në veri.
“Plani i Ahtisaarit” në vitin 2007 garantonte të drejta për serbët në Kosovë nëpër sektorë të ndryshëm, por nuk u mbështet nga Serbia, duke ngritur dyshime për sinqeritetin serb në avokimin për çështjen e serbëve të Kosovës dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës.
Koncesionet për Kosovën
Elitat serbe e perceptojnë veriun e Kosovës si pjesë të 'botës serbe', një pikëpamje që daton që nga mesi i viteve 1980 kur Serbia nisi çështjen e Kosovës, duke kërkuar të ricentralizojë Jugosllavinë me dominimin serb - një propozim që republikat e tjera e kundërshtuan. Entiteti boshnjak-hercegovinez Republika Srpska (RS) u pa si një përfitim ushtarak në vitet 1990-ta dhe kompensim për humbjen e Kosovës. Aspiratat separatiste të udhëheqjes së RS-së nuk dënohen nga elitat politike dhe kulturore serbe. Përkundrazi, qarqet me ndikim në Serbi mbrojnë aneksimin e RS-së në rast të 'humbjes' së Kosovës.
Në këtë kontekst, mesazhet nga Beogradi duhet të merren seriozisht. Marrëveshjet e shumta midis Serbisë dhe Republika Srpska sfidojnë sovranitetin e Bosnjes dhe Hercegovinës. Asambleja e Pashkëve e Serbëve, e planifikuar për në maj 2024 për herë të parë, shpalli njoftim me një foto ku shfaqej Aleksandar Vuçiç, presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije, duke ngritur shqetësime midis fqinjëve të Serbisë për stabilitetin rajonal për shkak të implikimeve të mundshme. Takimi, siç është paralajmëruar, synon të marrë vendime të rëndësishme “për mbijetesën e popullit serb në vatrën e tij, përparimin e tij ekonomik, ruajtjen e gjuhës serbe dhe alfabetit cirilik dhe trashëgimisë së përbashkët kulturore”. Mesazhe të tilla nga fqinjët e Serbisë perceptohen si pjesë e një dokumenti strategjik të ‘Botës Serbe’, përkatësisht një përpjekje e Beogradit për të ushtruar kontroll mbi shtetet fqinje ose pjesët e tyre: Mali i Zi, entiteti boshnjak Republika Srpska dhe veriu i Kosovës.
Përgjegjësia
Pas krimeve masive historike dhe brutalitetit, Serbia nuk ka arritur të krijojë një kornizë të re etike për të kuptuar të kaluarën dhe të tashmen. Në vend të kësaj, nacionalizmi dhe politika e identitetit vazhdojnë të dominojnë, duke kapur shoqërinë dhe duke penguar diskursin objektiv mbi ngjarjet e kohës së luftës. Lufta për të vërtetën rreth krimeve të luftës është zvogëluar në disa organizata dhe individë të shoqërisë civile, ku çdo dënim i krimeve është i hasur me sulme të ashpra, kërcënime ose me izolim – një strategji e miratuar nga shteti.
Aktakuza e Gjykatës së Hagës kundër Slobodan Millosheviçit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në vitin 2001 synonte të katalizonte transformimin e Serbisë pas konfliktit, por dështoi ta bënte këtë. Për shembull, diskreditimi i dëshmitarëve të prokurorisë, si ish-zyrtari i lartë i Kosovës (i larguar nga jeta politike në vitin 1981) Mahmut Bakalli, në mediat serbe ilustron ndikimin e Millosheviçit duke vijuar që edhe më tutje të dikton tonin e diskursit publik. Millosheviqi e mori në pyetje Bakallin në sallën e gjyqit, duke kërkuar që dëshmitari të përgjigjet vetëm me ‘po’ dhe ‘jo’. Përpjekjet për të organizuar një bisedë serioze për krimet e luftës kundër popullatës joserbe u sabotuan në sferën e mediave në Serbi. Në fund të fundit, fraksioni që hodhi poshtë ndërprerjen me regjimin dhe trashëgiminë e Millosheviçit, mbizotëroi.
Ngurrimi i Serbisë për të pranuar përgjegjësinë për luftën kryesisht rrjedh nga faktorë të brendshëm, të nxitur brenda institucioneve me ndikim si Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve. Programet nacionaliste mobilizuan kombin duke krijuar një narrativë kërcënimi për serbët në rajonet jugosllave, duke arsyetuar ambiciet territoriale. Kjo shpreh thelbin e 'Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencës dhe Artit', një letër jo e botuar në shtypin serb në vitin 1986, e cila shërbeu si një dokument programor dhe strategjik për intelektualët serbë që avokonin për 'Serbinë e Madhe', dhe që nënkuptonte rishikimin e kufijve të Jugosllavisë. Këta intelektualë luajtën një rol kryesor në përgatitjen e luftës në ish-Jugosllavi. As lidershipi serb dhe as Akademia e Shkencave dhe Arteve Serbe nuk e kanë denoncuar kurrë këtë dokument.
Thyerja e ciklit
Thyerja e ciklit të nacionalizmit kërkon angazhim strategjik të BE-së. Procesi i anëtarësimit ofron pritshmëri jo vetëm për rimëkëmbjen ekonomike, por edhe për paqen afatgjatë. Ringjallja e procesit të Berlinit ngjall shpresë se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj zgjerimit, duke ofruar një skenar të favorshëm për Ballkanin.
Sfidat ndaj Marrëveshjes së Ohrit[1] dhe kërcënimet nga Beogradi ngrenë shqetësime për trajektoren europiane të Serbisë. Pasojat e nacionalizmit të ashpër përfshijnë shembjen institucionale, lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar, sulmet ndaj lirisë së shprehjes dhe erozionin moral të shoqërisë.
Duke u angazhuar në mënyrë strategjike, BE-ja mund të luajë një rol kyç në drejtimin e Serbisë drejt pajtimit dhe integrimit europian, duke nxitur paqen e qëndrueshme në rajon.
Ndërtimi i qëndrueshmërisë së qytetarëve ndaj propagandës është vendimtar për transformimin e shoqërisë: jo vetëm kundërshtimi i dezinformimit, por edhe zbulimi i narrativave dhe miteve nacionaliste. Është thelbësore të hapet hapësira publike për tregime objektive që shpjegojnë sekuencën e ngjarjeve në 40 vitet e fundit. Për më tepër, përmirësimi i të drejtave të minoriteteve në rajon duhet të jetë i rrënjosur në idenë e integrimit dhe jo në zgjidhjet territoriale që çojnë në segregacion dhe i bëjnë ato të ndjeshme ndaj ndikimeve malinje të shteteve farefisnore.
Strategjia e re europiane për arritjen e paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor kërkon diskutime intensive të një koalicioni të gjerë të akterëve lokalë, rajonalë dhe të BE-së, të cilët parashikojnë të ardhmen e rajonit në Bashkimin Europian dhe shoqëritë e bazuara në vlerat e të drejtave të njeriut. Kjo kërkon një përfshirje të fortë të shoqërisë civile, mediave profesionale dhe studiuesve.
[1] Në shkurt të vitit 2023, një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u pranua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Megjithatë, edhe pse është pranuar gojarisht, marrëveshja ende nuk është nënshkruar nga dy liderët.