Festival i Animacionit në Pejë arriti pikën e kthesës për të drejtat e komunitetit Queer në Kosovë

Festival i Animacionit në Pejë arriti pikën e kthesës për të drejtat e komunitetit Queer në Kosovë

 

anibar love

17 korrik 2023/Pejë, Kosovë - Imazhi i një gruaje, me shikim të mprehtë dhe flokë të shkurtër kaçurrele, shfaqet në ekranin e madh në Kinemanw e famshme tw improvizuar nw Pejwn e Kosovws, Kinema Liqeni. Gruaja shikon drejt objektivit të kamerës sikur ka për të na thënë diçka. Diçka, që në vete përmban një vendosmëri. Amanda është gruaja në të tridhjetat që na shfaqet në sfondin e një dhome të kuqe, si protagonistja kryesore e filmit “Mooi Missi: mooie vrouw” (Gruaja e bukur) nga regjisori holandez Diëgo Nurse. Filmi u shfaqe në ceremoninë e hapjes së edicionit të 14 të Festivalit Ndërkombëtarë të Animacionit – Anibar në Pejë, më 17 korrik dhe ishte një ndër filmat e përzgjedhur të programit special “Queer Toons”, program që nga emri i tregon thuajse të gjitha.

Rrëfimi në këtë film ndahet në dy dimensione. Në dimensionin e parë, portreti i gjallë i Amandës shfaqet në një dhomë të kuqe, që ngjason me dhomat që fotografët përdorin për të zhvilluar fotografi, përveç se Amanda nuk po zhvillon asnjë fotografi, por po paraqet realitetin e saj të ri, sikur dëshiron ta ruajë atë po sikurse një fotografi, nga ndjeshmëria e dritës së jashtme. Ajo që ajo ka ndërtuar është shumë e vlefshme për t'u shkatërruar. Në dimensionin tjetër, ajo po prezantohet me anën e portretit bardhë e zi përmes animacionit, dhe në formë të një kujtimi që gruaja në të tridhjetat mban thellë brenda vetes, kujtimi që i përket djalit të ri Beyong dhe përvojat e tij si tetëvjeçar gjatë udhëtimit të tij të transformimit dhe vetë-zbulim të Amandës, gruas transgjinore që ajo prezanton me krenari sot. Historia e këtij rrugëtimi poetik, nis në një fshat ku jeton më dy prindërit heteroseksual dhe vëllain. Larg nga idetë e reja, por në një konflikt të përhershëm me vetën, Beyong ka problem të kuptojë ndjenjat e tij, ani pse kishte pranuar feminitetin e tij, që i bëhet cak i sulmeve nga vetë familja, përmes figurës së babait. Përballë kësaj figure maskuline që kishte problem me feminitetin e djalit të tij, nuk mund të ikte, por të gjente prehje vetëm tek Nëna e ti. Si grua, ajo e kuptonte. 

Filmi më ktheu te leximet e  shkrimeve të filozofes së njohur amerikane dhe studiueses në fushën e studimeve gjinore, Judith Butler, e më saktësisht tek shënimet në librin e saj të shumë njohur “Gender Trouble: Feminism and the Subversion of Identity” (Problemi gjinor: Feminizmi dhe përmbysja e identitetit), botuar për herë të parë në 1990 dhe ribotuar në 1999. Butler, vë në pikëpyetje besimin se disa sjellje gjinore janë të natyrshme, duke ilustruar mënyrat se si performanca e mësuar e sjelljes gjinore (ajo që ne zakonisht e lidhim me feminitetin dhe maskulinitetin) është një akt i llojit, një performancë, që na imponohet nga heteroseksualiteti normativ. Para dy viteve, në një intervistë për “The Guardian”, në 30 vjetorin e librit të saj,  Butler i rikthehet teorisë së saj të “performativitetit' të sjelljeve gjinore, si një pikëpamje e diskutueshme se si funksionon gjinia, duke shpjeguar tutje se çfarë kishte në mendje kur shkroi librin aso kohe. “Aktet ‘performative’ të të folurit janë ato që bëjnë diçka të ndodhë ose kërkojnë të krijojnë një realitet të ri. Kur një gjyqtar deklaron një dënim, për shembull, ata prodhojnë një realitet të ri dhe zakonisht kanë autoritetin për ta bërë këtë. Por a themi se gjyqtari është i plotfuqishëm? Apo gjyqtari po përmend një sërë konventash, duke ndjekur një sërë procedurash? Nëse është kjo e fundit, atëherë gjyqtari po thirret në një pushtet që nuk i takon si person, por si autoritet i caktuar. Akti i tyre bëhet një citim - ata përsërisin një protokoll të vendosur”, pati deklaruar ajo, duke  pohuar se ajo që ajo dëshironte t’i tregonte njerëzimit 32 vjet më parë, ishte që me vetëdije ose jo, ne citojmë konvencione gjinore kur pretendojnë se po shprehin realitetin tonë të brendshëm ose edhe kur themi se po krijojnë veten përsëri.  Butler argumentonte se askush nuk mund të ju shpëtojë normave shoqërore, porse problemi është se askush nga ne nuk është plotësisht i përcaktuar nga normat kulturore. Dhe kështu gjinia, sipas saj, bëhet një negociatë, një luftë, një mënyrë për tu përballur me kufizimet historike dhe për të krijuar realitete të reja. Beyong, historia e transforimit të të cilit portretizohet në filmin “Mooi Missi “ mooie vrouë” (Zonjusha, Gruaja e bukur), krijoi realitetin e tij të ri, Amandën.

“Kur e vesha fundin e shkurtër, vendosa grimin dhe bizhuteritë, dhe shikova vetën në pasqyrë, gjithçka u qartësua. Aty e pashë vetën. Unë isha grua”, Amanda rrëfehet në monologun e saj.

Ajo që e bën këtë film unik është mesazhi që përcjellë. Pranimi që Amanda e ndjenë si një grua transgjinore, në momentin që e ëma e saj e pranoi realitetin e saj të ri. Në një edicion si edicioni i sivjetëm i Anibarit, e ku polemika rreth temës së edicionit dhe dashurisë gjithpërfshirëse ndau qytetin e Pejës, ndërmjet atyre që përkrahën festivalin dhe atyre që kundërshtuan atë, një mesazh i tillë vjen si një shkëndijë që hap sytë dhe që na bën të kuptojmë se në fund të fundit, dashuria nuk është gjë tjetër veçse pranim, dhe nis përmes atyre që janë më të afërt me ne si me familjen tonë, miqtë tanë. Vetë filmi “Gruaja e bukur”, është një dedikim personal i regjisorit Diëgo Nurse. “Një falje për nipin e tij”, siç shprehet ai në biografinë e filmit. Një falje për nipin e tij me të cilin u rilidh vetëm pesë vjet pasi ky doli hapur para familjes së tij rreth identitetit të tij seksual.

Për shumë të tjerë, megjithatë, një shfaqje si ky film mund të shihet lehtësisht si një fshesë e madhe që largoi pluhurin nën qilimin e madh të normave të shoqërisë patriarkale kosovare.

Vendosja e një momentumi të ri

Anibar bëri hapin që shumë donin, por disi nuk gjenin guximin për të bërë - hapjen e një dialogu publik për të drejtat e personave Queer në nivel lokal në Kosovë. Edhe pse, hapi nuk ishte i lehtë për t'u bërë. Vetëm 5 ditë para ceremonisë së hapjes së festivalit, murali që pikturohet çdo vit nga vullnetarët dhe studentët e Akademisë së Animacionit të Anibar dhe që përfaqëson temën e çdo edicioni, në fushën e basketbollit në qendër të Pejës e njohur me emrin jugosllav “Kosharka”, u demolua. Ndërkaq mesazhe me gjuhë urrejtje u shpërndanë nga persona të deklaruar kundër përmbajtjeve Queer në festival. Anibar iu përgjigj kësaj duke i ftuar të gjithë me një mesazh: “Leje dashurinë brenda”.

Tash e 14 vite Anibar ka treguar dashuri për Pejën. Gjithçka filloi kur një grup fëmijësh 15-vjeçarë, të përbërë kryesisht prej Petrit Gora, i cili tani është Drejtor Kreativ i Anibar, dhe Vullnet Sanaja, Drejtor Ekzekutiv, me ndihmën e shokëve të tjerë pejanë, filluan një Festival të Animacionit. Edicioni i parë në thelb ishin ata, duke ftuar miqtë dhe familjen për të parë filma të animuar, dhe vetëm tre vjet më vonë, festivali u bë qendra e Animacionit në u shndërrua në një festival që lidhi artistë nga gjithë bota, duke e bërë Pejën qendër të Animacionit dhe filmit të animuar. Më vonë organizatorët do të merrnin më në fund njohjen e merituar institucionale, dhe një hapësirë për të punuar me gjeneratat e reja të animatorëve, në objektin ikonik të Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, ndërtuar në 1955, dhe e cila tani është një ndër qendrat më të njohura kulturore në vend. “Anibari nuk është thjesht një festival që sjellë filma nga e gjithë bota. Anibar prodhon dhe ka frymëzuar një gjeneratë të re të animatorëve vendas dhe kjo është ana tjetër e tij e fuqishme”, kështu e ka cilësuar Anibarin një nga gazetat më të mëdha në Kosovë “Koha Ditore”, në një artikull analitik rreth festivalit, temës së këtij edicioni dhe ndikimit që ka në shoqërinë. Akademia e Animacionti e Anibar ka nxjerrë 50 animatorë të talentuar deri më tani, nga të cilët katër filma të animuar të prodhuar u shfaqën këtë vit në festival dhe fituan çmime dhe mirënjohje nga animatorë të shquar që ishin pjesë e jurisë profesionale.

Institucionet lokale por edhe ato qendrore si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, e kanë mbështetur edicionin e sivjetshëm. Vetë kryeministri Albin Kurti u paraqit gjatë programit të festivalit duke ndërmarrë kështu një akt mbështetës për organizatorët dhe temën e festivalit.

Për shumë aktivistë të të drejtave të njeriut, komunitet Queer, shoqërinë civile, media dhe individë, hapi i guximshëm i Anibar për të shpallur dashurinë gjithëpërfshirëse si temë kryesore të festivalit, ishte jo vetëm mikpritës, por një thirrje për mbështetje dhe planifikim të hapave të së ardhmes. Ky edicion i Anibar erdhi vetëm një vit pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të njohë dhe miratojë ligjërisht martesën e personave të të njëjtit seks.

Më 17 mars 2022, Kuvendi i Kosovës refuzoi njohjen dhe miratimin ligjor të martesës së të njëjtit seks me Kodin e ri Civil. Ky dokument, pa dyshim, mbetet një nga dokumentet më të rëndësishme ligjore në sistemin e drejtësisë. Gjithsesi, i gjithë procesi i hartimit dhe validimit juridik të dokumentit u shoqërua me deklarata publike kontroverse edhe nga përfaqësuesit e Qeverisë së vetëshpallur të majtë e të kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, pra Qeverisë që sponsorizoi Kodin e ri Civil. Nëse Kodi Civil do të kishte miratuar, duke njohur martesën e personave të të njëjtit seks, Kosova do të ishte vendi i parë me një komunitet me shumicë myslimane që do të njihte ligjërisht bashkimet civile të të njëjtit seks, por Parlamenti i Kosovës vendosi ndryshe. Pro projektligjit të propozuar nga qeveria votuan vetëm 28 nga 120 deputetë. Kryeministri Kurti u kishte kërkuar deputetëve që ta miratojnë projektligjin duke deklaruar se “të drejtat na takojnë neve, janë të të gjithëve”. Por pas një debati të ashpër në Kuvend, disa deputetë – përfshirë deputetë të partisë politike të Kurtit ‘Vetëvendosje’ – votuan kundër të drejtës gjithëpërfshirëse për martesë dhe familje. “Vetëm martesa e seksit të kundërt [është] e pranueshme”, kishte deklaruar Labinote Demi Murtezi, deputete e Vetëvendosjes, “çdo lidhje përtej këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”.

Në një proces tjetër para se Kodi Civil të dërgohej në seancë votimi, kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, deputetja e Kosovës nga komuniteti boshnjak Duda Balje dhe anëtare e Koalicionit Vakat, tha publikisht se do të votojë kundër Kodit Civil. “Siç e dini, të enjten është në rend dite shqyrtimi dhe votimi i Kodit Civil. Ky Kod Civil përmban edhe leje për martesat e të njëjtit seks. Unë si deputet nuk mund të dal kundër fesë që i përkas, parimeve me të cilat jetoj, apo vlerave familjare me të cilat jam rritur. Pra vota ime do të jetë kundër”, shkruante Balje në Facebook në shkurt 2022, vetëm tre javë para se Kodi Civil të dilte në Kuvend në seancë votimi.

Deklarata e të dy deputetëve ishte në përputhje me deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Kosovë. Bashkësia Islame dhe Dioqeza Prizren-Prishtinë (Kisha Katolike), Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të mos prekin pjesët e Kodit Civil që kanë të bëjnë me martesën dhe kundërshtuan hapur martesën e personave të seksit të njëjtë.

Deklarata e tyre e përbashkët theksonte se në Kosovë dhe shoqërinë e saj nuk ka vend për ridefinim të martesës, derisa kërkohej që “vlerat tradicionale të familjes të ruhen”.

Komunikim i dobët dhe zbrazëtira ligjore

Ministria e Drejtësisë në Kosovë ia dorëzoi Qeverisë draftin përfundimtar të Kodit të ri Civil, më 15 korrik 2019. Edhe pse Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë – sponsorët dhe mbështetësit më të mëdhenj të Kodit Civil – e kanë vlerësuar lartë Kodin e ri Civil, aktivistë progresistë të të drejtave të njeriut deklaruan se ai është larg nga të qenit gjithëpërfshirës. Arbër Nuhiu, njëri nga themeluesit e organizatës së parë joqeveritare në Kosovë për avancimin dhe avokimin e të drejtave të LGBTQ+, CSGD, është shprehur me skepticizëm sa i përket dokumentit dhe përmbajtjes së tij. “Edhe pse Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komunitetit Queer në tekstin e saj, e njëjta gjë nuk pasqyrohet në Kodin Civil”, ka thënë ai. Surrogacia dhe njohja e përgjithshme e familjeve LGBTQ+ sipas tij, janë problemet kryesore që shkojnë përtej pyetjes se kush mund të martohet me kë, por janë pengesat aktuale pse po kundërshtohet Kodi Civil. Përgjatë një diskutimi tematik të organizuar nga Anibar në kuadër të festivalit, Nuhiu foli edhe për sfidat në bashkëpunimin me Qeverinë aktuale, duke thënë se shumë më lehtë kanë komunikuar e janë takuar me partitë e deklaruara si konservatore, sesa me partinë në pushtet që është e vetë - deklaruar si e majtë. Ai theksoi nevojën për një angazhim më të mirë me institucionet dhe nënvizoi rëndësia e mbështetjes ndërkombëtare për arritjen e progresit. Në ditët e para të vitit 2019, derisa Kodi Civil ishte ende në proces të hartimit, edhe Avokati i Popullit i Kosovës zyrtarisht kishte deklaruar se drafti i Kodit Civil shkel të drejtën kushtetuese për martesat e të njëjtit seks. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk pranoi që dispozitat brenda nivelit më të lartë të legjislacionit të Kosovës dhe Kodit të ri Civil janë kontradiktore.

Arti, si formë komunikimi

Artistë, film dashes, kritikë, aktivistë, qytetarë dhe vendimmarrës nga 36 vende të botës, u bashkuan edhe një herë në Pejë, këtë vit me një përkushtim të veçantë për të diskutuar të drejtat e njeriut dhe format e shumta të dashurisë dhe përvojës njerëzore. Progresi i jashtëzakonshëm i vërejtur brenda komunitetit LGBTQ+ në Kosovë u manifestua me një performance gjallëruese në ceremoninë e hapjes së festivalit, nga artistja e njohura kosovare Drag Queen Adelina Rose.

Rose, një interpretuese, aktiviste, regjisore filmi dhe pronare biznesi, qëndroi para turmës, duke përfaqësuar forcën dhe qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor. Prania e saj mishëronte pranimin në zhvillim të individualitetit dhe nevojën për unitet, diversitet, përparim dhe pranim, të cilat pasqyruan edhe shpirtin e vetë festivalit. Ajo që e bëri më të rëndësishme këtë performancë, është fakti se artistja Adelina Rose u prezantua edhe në shumë aktivitete të tjera gjatë festivalit si Erblin Nushi, djali i rritur në Pejë deri në moshën 17-vjeçare dhe u ngacmua në Pejë, për shkak të zgjedhjet e tij individuale. Nushi është një regjisor, i cili shprehu dëshirën për përfaqësim gjithëpërfshirës në kinema dhe në industrinë e filmit në tërësi. Duke reflektuar mbi zhvillimin e tij si një djalë Queer në një shoqëri që shfaqte vetëm një pikëpamje të ngushtë të dashurisë në media, Nushi theksoi rëndësinë e nxitjes së një mjedisi gjithëpërfshirës, veçanërisht një përfaqësimin mediatik që garanto se brezat e rinj të mund ta shohin dashurinë në të gjitha format e saj.

"Mbetet për të ardhur keq që brezave të rinj ende u mungon gjithë përfshirja në median që konsumojmë. Sfida kryesore qëndron në pamundësinë për të parë dashurinë mes njerëzve të së njëjtës gjini", theksoi Erblin Nushi i cili do të lansojë premierën e filmit të tij të ri me temë dashninë, në shtator të këtij viti. Erblini ndau arritjen e tij të fundit, një film të ngrohtë që portretizon përvojën e një fëmije dhe të dashurisë së parë të tij, me qëllimin për të përshkruar një të ardhme të mbushur me shpresë për individët LGBTQ+. Ai beson se krijimi i filmave ka potencial të jashtëzakonshëm, pavarësisht sfidave të industrisë. Besimi i tij është në një linjë me atë të ekipit të Anibar-it, të cilët pa asnjë dyshim, dhe përkundër fushatave dhe gjuhës së urrejtjes që u iniciuan në Pejë kundër festivalit, besuan se dashuria në fund mund dhe do të mbizotërojë, dhe prandaj ia dedikuan një edicion të tërë. Duke krijuar kështu një momentum krejt të ri për shoqërinë kosovare dhe duke hapur dyert për një dialog publik për dashuri gjithëpërfshirëse dhe të drejtat e personave Queer në nivel lokal në Kosovë.