Përse Kosovës i duhen alternativa të favorshme të energjisë?

Në vitin 2016, pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Kosovë u prodhua nga dy termocentralet e vjetra me djegie të linjitit, Kosova A dhe B. Linjiti i Kosovës, i karakterizuar për nga niveli i lartë i lagështisë dhe i hirit dhe për përmbajtje shumë të vogël energjike, përbën pjesën dërrmuese prej 99.51% të të gjithë sasisë së thëngjillit [1]. Ky lloj energjie vjen me kosto të lartë për mjedisin, ekonominë dhe shëndetin. Megjithatë, ende shumë besojnë në mitin që termocentralet e thëngjillit prodhojnë rrymë të lirë elektrike, gjë që vihet në pikëpyetje pasi që kostot e vërteta të prodhimit të saj asnjëherë nuk paguhen. [2] Në të njëjtën kohë, "kjo paradigmë e energjisë" nuk arrin të ofrojë rritje ekonomike, siguri të plotë në furnizim dhe të zbusë varfërinë energjetike. Përkundër kësaj, "paradigma energjetike" e thëngjillit është shtyllë kryesore e Strategjisë së rishikuar Energjetike të Kosovës deri në vitin 2020 e cila vë në pah drejtimin joadekuat strategjik. 

Termocentrali i ri me thëngjill Kosova e Re (C) është njëri nga projektet kryesore të cekura në sektorin energjetik. Ky projekt është propozuar si zgjidhje për krizën energjetike në Kosovë, ku njëri nga termocentralet  e vjetra (Kosova A) i planifikuar të mbyllet në vitin 2016, dhe tjetri (Kosova B) duhet të modernizohet deri në vitin 2017.[3] Kosova C së bashku me dy termocentralet ekzistuese do të këtë efekte të rënda kumulative, duke prodhuar një përqendrim të lartë të ndotjes sipas të gjithë parametrave. Kosova nuk mund të bëjë shfrytëzim të mëtutjeshëm të linjitit pa e rrezikuar seriozisht mjedisin jetësor. Kufizimet e tjera të zhvillimit të përqendruar në linjit në Kosovë, e përfshijnë dendësinë e lartë të popullsisë, burimet e limituara të ujit dhe përqindjen gjithnjë në rënie të tokës së punueshme për kokë banori.

Këto nuk janë sfidat e vetme që kanë të bëjnë me zhvillimin e tanishëm të bazuar në thëngjill. Perspektiva evropiane e Kosovës e dikton kornizën dhe lëvizjen strategjike klimatike dhe të energjisë që është në masë të madhe e papërputhshme me zhvillimet e tanishme. Që nga viti 2006, Kosova*[4] është palë kontraktuese e Komunitetit Energjetik (EC) i cili mbledh vendet e BE-së dhe të rajonit të Evropës Juglindore dhe Detit të Zi për të promovuar strategjinë energjetike të BE-së. EC ka për mision që të zgjerojë tregun e brendshëm energjetik të BE-së në bazë të kornizës ligjore obligative e cila e përfshin gazin, rrymën elektrike, sigurinë e furnizimit, energjinë e ripërtëritshme, naftën, efikasitetin energjetik, mjedisin, konkurrencën dhe statistikat. Instrument kryesor për të arritur këtë qëllim është aprovimi i acquis së BE-së në energjetikë dhe në fushat e ndërlidhura. [5]

Nuk është e qartë në këtë moment nëse do të ketë Kosovë të Re (C) dhe se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës A dhe B. Çfarëdo rezultati i mundshëm të ketë do të ketë edhe efekt serioz në Kosovë, por edhe për palët e tjera të Traktatit të EC. Kur bëhet fjalë për përjashtimet e mundshme nga plotësimi i dispozitave të Direktivës për Centralet me Fuqi të Madhe Djegëse dhe Direktivën për Emetimet industriale sytë janë të hapur në të gjitha anët. Me këtë është i lidhur edhe fati i Kosovës A dhe Kosovës B gjithashtu. Është e qartë që pyetjet dhe sfidat janë të shumta. Gjithashtu, në rastin e Kosovës (C) mbetet të shihet nëse zotimet e fundit të akterëve kryesorë ndërkombëtarë për t'u përmbajtur nga përkrahja e projekteve me thëngjill me burime publike do të përmbushen. Nëse po, është e mundur të finalizohet projekti i linjitit duke përdorur vetëm investimet komerciale? Nëse jo, dhe nëse ofrohet çfarëdo ndihme shtetërore, si do të reagojë EC? Cili do të jetë efikasiteti përfundimtar i centralit të ardhshëm? Nëse ky efikasitet është në nivelet e BAT [6], a do t’i lëshojë rregullatori licencë IPPC për operuesin e centralit? Në fund, cili do të jetë efekti tek anëtarët e tjerë të EC?

Me aq shumë pyetje pa përgjigje dhe brenga në lidhje me ndërtimin e centralit të ri me thëngjill dhe rindërtimi i centraleve me teknologji të vjetër, a ia vlen që të shikohen alternativat për të kaluar në energji më të qëndrueshme dhe të volitshme. Sasia totale e burimeve të energjisë së ripërtëritshme (përjashtuar hidroenergjinë) në dispozicion të Kosovës është e papërfillshme.[7] Kjo është befasi duke pasur parasysh potencialin natyror të Kosovës për përdorimin e energjisë diellore[8] Me një mesatare prej 2000 orësh me diell në vit, Kosova është në pozitë shumë të lartë në krahasim me vendet e tjera evropiane të cilat kanë arritur përparim në zhvillimin e sistemeve diellore. 

Është e qartë që strategjia energjetike në Kosovë nuk ka vizion afatgjatë, të favorshëm për klimën dhe të shtyrë (poshtë-lartë). Zhvillimi energjetik poshtë-lartë nuk mund të ofrojë zgjidhje të shpejta. Megjithatë, investimet afatgjata në administrimin e perspektivës energjetike të decentralizuar, demokratike dhe klimaterike të favorshme mund të kontribuojë në një masë të madhe në përzierjen e energjisë klimaterike të favorshme të vendit. Më tepër se një vend i BE-së e ka bërë këtë me sukses. Gjithashtu, Kosova ka një mundësi  e cila mund të ndihmojë në menaxhimin e këtij tranzicioni: lidhja e jashtëzakonshme me fqinjët e vet. 

Prandaj, niveli(et) lokale të qeverisjes në Kosovë duhet të kenë përkrahje të mëtutjeshme për të krijuar kushte për programet inovative për përdorimin e kornizës ligjore, administrative dhe financiare për të ndjekur agjendën e saj të posaçme energjetike. Komunitetet lokale mund të ndihmohen të jenë kreative në adresimin e më tepër se një teme përmes programeve energjetike të krijuara me kujdes që do të adresojnë nevojat lokale. Këto çështje përfshijnë forcimin e të gjitha aspekteve të procesit të demokratizimit dhe zhvillimit të strukturave të decentralizuara dhe modaliteteve lokale të menaxhimit të energjisë, duke përfshirë sfidat e diversitetit energjetik, sigurinë energjetike, zvogëlimin e varfërisë energjetike, kontributin në synimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, të gjitha nën një çati.[9] Për shumë arsye, kjo perspektivë nga poshtë-lartë nuk është e zhvilluar sa duhet në Kosovë për dallim nga korniza strategjike dhe legjislative në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçencës energjetike. Kjo, pa dyshim, përcakton mungesat të cilat duhet plotësuar. Mungesa e identifikuar në zhvillimin energjetik poshtë-lartë mund të tejkalohet përmes zgjidhjeve të decentralizuara të krijuara posaçërisht duke u bazuar në burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçencën energjetike e cila njëkohësisht prek çështjen e varfërisë energjetike.   

http://www.resfoundation.org/

 

[1]KOSID (2014).

[2] IMF (2015). Kalkulimi i kostos së subvencioneve në energji, http://www.imf.org/external/pubs/ft/survey/so/2015/NEW070215A.htm

[3] KOSID, 2014.

[4] Kosova* Ky formulim nuk e paragjykon qëndrimin për statusin, dhe është në bazë të RKSOKB 1244 dhe Mendimit të GJND për deklarimin e pavarësisë së Kosovës. 

[5] https://www.energy-community.org/portal/page/portal/ENC_HOME/ENERGY_COMMUNITY/What_we_do

[6] Teknologjia më e mirë në dispozicion

[7] Agjencia Statistikore e Kosovës (2015).

[8] Pavlović, T., et al. (2013).

[9] Luthi, 2010; Green and Gerber, 2003; Wurzel, Zito dhe Jordan, 2013.