Aktgjykimi ndaj Vojisllav Sheshelit - Dështimi i së drejtës ndërkombëtare

Seanca ankimore e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare (MICT), i cili i trashëgoi çështjet e Tribunalit të Hagës, e shqiptoi  aktgjykimin e parë duke e dënuar Vojisllav Sheshelin për krime kundër njerëzimit sipas pikave 1, 10 dhe 11 të aktakuzës, përkatësisht përndjekjet dhe zhvendosjen me dhunë, me çfarë ndryshoi aktgjykimi i shkallës së parë me të cilin Shesheli u lirua sipas të gjitha pikave të aktakuzës. Me këtë vendim u zbut, por assesi edhe nuk u hoq njolla me të cilën aktgjykimi i shkallës së parë kundër Sheshelit, me siguri është një nga ato më skandaloze, që mbeti në punën e Tribunalit të Hagës.

Edhe pse Vojisllav Shesheli në histori do të mbahet mend si një nga ata që u dënuan para gjykatës ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit, është fakt që ai nga gjykimi në Hagë, i cili e rëndoi për disa nga veprat penale më të vështira që e drejta ndërkombëtare i njeh, bëri farsë të drejtësisë, gjë çfarë dikur kryeprokurori i Hagës Serge Brammertz kishte thënë:  „Ky nuk është një shembull se si duhet të funksionojë e drejta ndërkombëtare.“

Gjykimi i Sheshelit filloi më 27 nëntor të vitit 2006, por u ndërpre pas fjalës hyrëse të Prokurorisë, sepse Shesheli hyri në grevë urie për shkak të emërimit të mbrojtësit në gatishmëri duke pasur parasysh që nga fillimi ai këmbënguli që ta përfaqësojë përkatësisht ta mbrojë veten. Që nga fillimi Shesheli e injoroi Tribunalin e Hagës, dhe procedurën e ngadalësoi në shumë mënyra: tri herë gjatë kohëzgjatjes së procedurës u gjykua për shkak se e rrezikoi gjykimin duke i publikuar  emrat e dëshmitarëve të mbrojtur; shtyrjet e shumta për kinse gjendjen e vet të keqe shëndetësore; duke ndërruar avokatët dhe përfaqësuesit ligjorë (disa e paditën për shpifje); duke kërkuar që të gjitha dokumentet t’ia përkthejnë në serbisht, përkatësisht me shkrim cirilik; duke  zhvilluar „luftë” me Regjistruesin e gjykatës rreth çështjeve të shumta;  shqyrtimi për kërkesa të shumta që të lirohet; numri rekord i kërkesave për përjashtimin e gjykatësve: skualifikimin e gjykatësit Wolfgang Schomburge e arsyetoi me fjalët që „gjermanët i urrejnë serbët dhe i vrasin me shekuj“, gjykatësja Florence Mumba nga Zambia sipas tij nuk ishte e përshtatshme sepse është „katolike e zjarrtë“, kurse për të njëjtat arsye nuk qe sipas dëshirës së tij as gjykatësi Carmel Agius, të cilin e shpalli „gjykatëse malteze“ (duke mos e kuptuar kuptuar qartë se bëhej fjalë për mashkull), e kërkoi edhe përjashtimin e gjykatësit Ori dhe Hopfel-it, kurse në shënjestër të tij u gjendën edhe gjykatësit O-Gon Kwon dhe Kevin Parker, pastaj Carla del Ponte, dhjetra hetues, prokurorë, por edhe drejtori i njësisë së burgut...

Dhe të gjitha këto me mbështetjen e francezit Antonettit, njërit nga gjykatësit më kundërthënës të Tribunalit të Hagës, i cili jo vetëm që tregoi mirëkuptim për një numër të madh të kërkesave të Sheshelit, por edhe vetë i kontribuoi ngadalësimit të procedurës me kërkesat për zvogëlimin e aktakuzës, rreth së cilës gjë u humbën gati dy vjet. Pra, para se të dorëzohej Shesheli më 2003, Prokuroria më 2004 e zgjeroi aktakuzën kundër tij me dëshmitë e reja për krimet e të të ashtuquajturëve sheshelëve në zonën e gjerë të Sarajevës, e pastaj në Bijelinë, Mostar dhe Nevesinje. Aktakuza u konfirmua, e pastaj Trupi gjykues në krye me Antonettin më 31 gusht të vitit 2006 e thirri Prokurorinë dhe e sygjeroi (në bazë të rregullës 73bis (D) të Rregullores) për mënyrat me të cilat duhet zvogëluar vëllimin e aktakuzës së modifikuar e të ndryshuar për – jo më pak se një të tretën. 

Prokuroria TPNJ së pari e refuzoi thirrjen e gjykatësve, e pastaj nën presione më 21 shtator 2006 e paraqiti propozimin sipas të cilit hoqën dorë nga disa prej pikave të aktakuzës (u patën theksuar disa vende në të cilat u bënë krimet në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë). Megjithatë, Trupi gjykues, i pakënaqur me propozim (me zvogëlimin e vogël të aktakuzës), më 8 nëntor 2006 e urdhëroi Prokurorinë që nga aktakuza t’i heqin pikat 2, 3, 5, 6 dhe 7. Aktakuza e tretë e ndryshuar (e  shkurtuar) u paraqit më 7 dhjetor 2007.

Kur në mars të vitit 2012, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, Shesheli iu drejtua Trupit gjykues me këto fjalë: „Kjo gjykatë është e komprometuar dhe kjo mori fund, vetëm që ju për këtë nuk jeni njoftuar“, askush nuk mund të mendonte se Shesheli pjesërisht kishte të drejtë, sepse vijuan aktgjykimet liruese të cilat i morën Ante Gotovina, Momçillo Perishiqi, Ramush Haradinaj, Jovicë Stanishiqi.  Në gjykatë e mori aktgjykimin edhe Carls Tejlori për Sierra Leone në të cilën pesë gjykatës të Seancës ankimore e theksuan qartë se aktgjykimet e TPNJ-së, sidomos aktgjykimi lirues ndaj Perishiqit, është ferrë në sy për të drejtën ndërkombëtare, dhe se gjykatësit e TPNJ-së e keqpërdorën pozitën dhe detyrën e vet që të gjykojnë në pajtim me ligjin dhe zakonet juridike ndërkombëtare.

Vijoi konferenca e turpshme në KB, të cilën duke i keqpërdorur KB, e organizoi Vuk Jeremiqi nga Serbia, letra e intelektualëve nga rajoni KB, ankesat e viktimave.Vijuan edhe konfliktet juridike dhe private në mes të gjykatësve, por vijoi edhe letra e gjykatësit danez Frederik Harhofit, i cili i shprehu dyshimet se akgjykimet po merren nën ndikim politik, duke e akuzuar kryetarin e Gjykatës, Theodor Meronin, për parandalimin juridik ndaj TPNJ. Janë të shumtë ekspertët ndërkombëtarë të cilët në atë kohë shkruan për këtë skandal i cili tronditi Tribunalin e Hagës dhe i cili pati mjaft ndikim ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër  Vojisllav Sheshelit.

Pra, në fillim të gjykimit të Vojisllav Sheshelit, Prokuroria e TPNJ-së kërkoi përjashtimin e gjykatësit Harhof nga Kolegji i cili e gjykoi  Sheshelin me arsyetim se ai më 1993 si aktivist i i Këshillit danez të Helsinkit mori pjesë në marrjen e deklaratës nga dëshmitari Isak Gashi në Bërçko. Prokuroria konsideroi se u shkel parimi i objektivitetit, kurse Shesheli e kundërshtoi kërkesën e tyre duke e akuzuar Prokurorinë që po përpiqet që të fitojë kohë sepse nuk janë të gatshëm për gjykim, me arsyetim se (të cilën e pranoi Kolegji) Këshilli i Helsinkit nuk është organ juridik, por organizatë joqeveritare.

Me vendimin e Antonettit Harhofi mbeti në kolegj, por pas letrës në të cilën mori guxim të fliste për ndërmjetësimin politik në Gjykatë, Shesheli menjëherë kërkoi përjashtimin e tij duke e akuzuar për njëanshmëri të cilën, kinse, e paraqiti në letër duke pohuar se praktika e TPNJ-së është që të merren aktgjykimet sipas përgjegjësisë komanduese. Shesheli kërkesën ia drejtoi  kryetarit Meron, i cili e përdori për t’i larë hesapet me gjykatësin i cili e kritikoi punën e tij. Gjykatësi Harhof u largua nga Kolegji edhe përkundër  ankesave të shumta, madje edhe letrat e mbështetjes së dy gjykatësve nga Kolegji, dhe e përfundoi karrierën në TPNJ. Me emërimin e gjykatësit të ri pas përfundimit të procedurës, u humb kohë edhe më shumë. Shesheli u lirua dhe nga Beogradi vazhdoi me sulme të ashpra ndaj TPNJ-së.

Tërë kjo farsë që e shoqëroi gjykimi i Sheshelit plotësisht e humbi kuptimin e vet, kurse e drejta ndërkombëtare u shty mënjanë. Krejtësisht në plan të dytë mbetën krimet për të cilat Shesheli ishte përgjegjës, krimet të cilat në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Vojvodinë i bënë sheshelët me mbeshtetjen e njeriut të vet të parë  - Vojisllav Sheshelit. Vetë aktgjykimi i shkallës së parë, përkatësisht arsyetimi i Antonettit – me të cilin, siç flasin me ironi individët e mirëinformuar, nga përgjegjësia do të lirohej edhe Hitleri – qe aktgjykimi më skandaloz i TPNJ-së, sepse, sipas tij jo vetëm që krimet nuk u kryen, por nuk pati as sulme, vetëm konflikte të armatosura të disa anëve, për shkak të të cilave u larguan civilët  kurse forcat serbe në mënyrë humane ua siguruan mjetet e transportit e të ngjashme.

Duke marrë parasysh tërë atë që e shoqëroi nga fillimi gjykimin e Vojisllav Sheshelit, është vështirë  t’i shmangesh përshtypjes se vendimi i kolegjit të shkallës së dytë (të cilin, në mënyrë ironike, e kryesoi Meroni) ishte kompromisi të cilin Gjykata e kërkoi për ta arsyetuar vetveten sepse Shesheli i kaloi 13 vjet në paraburgim (për çfarë paralajmëroi edhe padi dhe kërkoi dëmshpërblim), dhe këtë pa iu konfirmuar përgjegjësia e gjeti mënyrën më të  thjeshtë (duke mos e zvogëluar rëndësinë e asaj për çfarë u gjykua) që ta shpallë fajtor dhe ta dënojë për aq vite sa tanimë i kaloi në paraburgim. Është e trishtueshme që pas tërë kësaj që bëri Tribunali i Hagës, në fund, aktgjykimet e këtilla lanë shije të hidhur në gojë kur flitet për të drejtën dhe drejtësinë.