Nuk u harrua pamja se si xhelatët, vrasësit dhe presidentët rrinin në bankën e tij për të akuzuar; nuk u harrua pamja se si gjykatësit morën aktgjykime nga kolltukët e tij; nuk u harrua pamja se si viktimave së paku për një çast iu ofrua drejtësia historike – Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë e arriti atë që as shoqëritë në rajonet e luftës, por as qeveritë e shteteve evropiane nuk e arritën: e nxori të vërtetën në shesh dhe i emëroi fajtorët.
Bilanci është 10.800 ditë gjykimi, 4.600 dëshmitarë të dëgjuar, 168 të akuzuar dhe 2,5 milionë zëra të materialit dëshmues. Këta janë numra të verifikueshëm për punën e Tribunalit për Krimet e Luftës, i cili nga vetë fillimi u kritikua ashpër nga të gjitha anët, dhe i cili më në fund u mbyll nga fundi i vitit të kaluar.
Por çfarë fshihet pas këtyre numrave të gjykatës të cilën Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e themeloi në vitin 1993, pasiqë u paraqitën raportet për spastrim etnik në rajonin e Prijedorit në Bosnjë? Cilat përfundime mund të nxirren nga kjo? Çfarë gjurmësh la kjo në rajonin e ish-Jugosllavisë? Cilat do të jenë pasojat e punës dhe aktgjykimeve të tij në shoqëri në rajon, për çështjen e ballafaqimit me të kaluaren dhe të ardhmen e atyre shoqërive?
Fondacioni Hajnrih Beli e organizoi më 14 mars në Berlin një diskutim në podium për të biseduar me ekspertët të cilët me vite e ndjekin punën e Tribunalit.
Bashkëbisedues në podium ishin Volfgang Shomburgu (Wolfgang Schomburg), gjykatës i parë gjerman në Tribunal, i cili punoi atje nga viti 2001 deri më 2008; gazetari nga Serbia Nemanja Stjepanoviqi, i cili e ndoqi punën e Tribunalit gjatë 10 vjetëve të fundit dhe i cili punon në Fondin për të Drejtën Humanitare në Beograd; gazetarja nga Bosnja Xhenana Karup Drushko, e cila e ndoqi punën e Tribunalit nga vetë fillimi dhe është drejtoreshë e Shoqatës për Drejtësinë Transicionale, Përgjegjësi dhe Përkujtim; si edhe gazetari gjerman Erih Ratfelderi (Erich Rathfelder), i cili nga fillimi e ndoqi në media luftën në ish-Jugosllavi dhe e publikoi një sërë librash me këtë temë, dhe i cili edhe sot jeton në Bosnjë.
„Abëcëja e luftës“ – përafrimi letrar
Në fillim të këtij tubimi aktorja dhe shkrimtarja Vernesa Bergoja lexoi tekste nga përmbledhja e vet me tregime të shkurtra „Abëcëja e luftës“, të cilat flasin për ballafaqimin me të kaluaren në ish-Jugosllavi dhe përpunojnë gjurmët e ndryshme të krimeve të luftës me të cilat shoqëria është cilësuar edhe sot, siç janë përdhunimet masive dhe viktimat e zhdukura, kufomat e të cilave të mbijetuarit janë duke i kërkuar me vite në mënyrë të mundimshme.
Në sallën e madhe të Fondacionit Hajrih Bel, të mbushur plot e përplot, mbizotëroi heshtja. Skenat e lexuara ishin të tilla që shkaktonin shqetësim, turpërim, linin pa fjalë. Edhe i përzgjodhën mjaft mirë, sepse pikërisht Tribunali i Hagës është gjykata e parë e cila e cilësoi dhe e dënoi përdhunimin si krim lufte. Gjithashtu, Tribunali i Hagës krimet në Srebrenicë i shpalli gjenocid dhe krim kundër njerëzimit.
Vijoi diskutimi në podium të cilin moderatorja Marion Kraskja, drejtoreshë e Fondacionit Hajnrih Bel në Sarajevë, e hapi me një vërejtje adekuate se Tribunali i Hagës për njërën anë është „kthesë në historinë e drejtësisë“, kurse për anën tjetër „fole e njëanshmërisë“. Pikërisht në vendet e ish-Jugosllavisë erdhi deri te radikalizimi i ri brenda të cilit narativët e vjetër të luftës hynë në diskurs përsëri, u vu në pyetje Marrëveshja e Dejtonit për paqe, kurse politikanët dhe politikanet ende nuk janë gati të ballafaqohen me krimet në vendin e vet.
„Përgjegjësia penale ndërkombëtare është e mundshme“
Ish-gjykatësi i Tribunalit të Hagës Volfgang Shomburgu nga përvoja personale e di cilat janë arritjet e vërteta, por edhe gabimet reale të bëra gjatë procedurave. Në paraqitjen e vet hyrëse ai në radhë të parë e theksoi këtë mendim: Tribunali për Krimet e Luftës dëshmoi që janë të mundshme procedurat kundër të fuqishmëve, siç edhe që është e mundur t'i ndalet hovi shmangies së përgjegjësisë.
Para bankës së drejtësisë u nxorën personalitetet me pozita të larta nga ushtria dhe politika dhe u zbuluan personat përgjegjës në situata të ndërlikuara luftarake. Gjykata në punën e vet luftoi kundër çdo forme të revizionizmit dhe falsifikimit të historisë, sepse detyra e një gjykate të këtillë ndërkombëtare është vendosja e paqes dhe drejtësisë dhe përcaktimi i fakteve. Por një gjë është përcaktimi i fakteve para gjykatës, dhe tjetër gjë është që këto fakte të vendosen si të vërteta në mesin e popullsisë. Duhet të mbrohet daklarata që në Srebrenicë u bë masakër. Mohimi i këtij fakti duhet të jetë i ndëshkueshëm. Si në Ruandë, ku për mohimin e gjenocidit kërcënohen me ndëshkim.
Për herë të parë në histori u themelua „gjykata e përgjithshme“ me gjykatësit nga Kina, India, Rusia, etj. „Ku është një gjykatë e tillë kur bëhet fjalë për Siri?“, pyeti Shomburgu. Përgjigjen e tërthortë lidhur me këtë pyetje e dha ai vetë në fillim të paraqitjes së vet: „Përgjegjësia penale ndërkombëtare është e mundshme, por vetëm nëse këtë e lejon politika.“
Shomburgu pastaj foli nën cilat rrethana të vështira u themelua gjykata. Kjo ndërmarrje u realizua më 1993 vetëm falë veprimtarisë personale të palodhshme të juristit amerikan me prejardhje egjiptiane Mahmud Sherif Basiunit (Mahmoud Cherif Bassiouni) dhe gjykatëses norvegjeze Hane Greves (Hanne Greve), dhe vetëm për shkak se këta ligjërues u nisën me studentët e vet për në ish-Jugosllavi që të mblidhnin vetë dëshmitë e vrasjeve, dhe kjo në rastet kur ishte e mundur të vendosej lidhja midis veprës dhe personave të vrarë.
Madje edhe NATO-ja atëherë ua bllokoi rrugën duke refuzuar që të vinte në disponim materialin dëshmues. Duke mos pasur mundësi të anashkalojë vëllimin dhe rëndësinë e punës që bënin këta dy, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara më në fund nuk pati zgjedhje tjetër përveç themelimit të Tribunalit. Edhe pse në atë kohë me siguri askush nuk e besonte që gjykata do të bëhej kjo që u bë – shpjegoi Shomburgu më vonë.
Por vështirësitë nuk u ndalën me themelimin e Tribunalit. Volfgang Shomburgu tha që puna e pavarur e gjykatësve dhe gjykatëseve ishte tejet e vështirësuar nga fakti që gjykata bazohej në udhëheqjen anglo-amerikane të procedurës penale. Gjykatësit në gjykatën anglo-amerikane nuk vijnë me letra në dorë, vijnë vetëm të dëgjojnë dhe nuk kanë qasje në bazat e të dhënave me material relevant; në këtë mënyrë të gjitha informacionet mbeten në duart e prokurorisë e cila zgjedh çfarë do të shpallë publike dhe çfarë jo, dhe e cila i nënshtohet jashtëzakonisht shumë kontrollit të jashtëm, përkatësisht politik.
Procedura penale jugosllave do të ishte bazë më e mirë – konsideron Shomburgu – sepse ka baza të shkëlqyera ligjore dhe sepse ndoshta kështu të gjithë pjesëmarrësit do ta kuptonin më mirë dhe do t'i pranonin vendimet e gjykatës.
Ish-gjykatësi theksoi në fund të paraqitjes që suksesi i Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë u zgjerua edhe në pjesët e tjera të botës. Gjyqësia ndërkombëtare është e mundshme, dhe është tejet e domosdoshme. Por për këtë arsye Organizatës së Kombeve të Bashkuara i nevojiten gjykatësit dhe prokurorët e kualifikuar dhe prandaj ai shpreson se do të themelohet Akademia e Drejtësisë e OKB në të cilën gjykatësit dhe gjykatëset do të fitonin njohuri me të cilën menjëherë do të ishin të gatshëm për angazhim. Vetëm në këtë mënyrë ndoshta mund të parandalohen krimet kundër njerëzimit me përmasa të cilat kanë ndodhur në Ruandë dhe në Bosnjë.
„Njerëzit të cilët sot janë në pushtet atëherë morën pjesë në krimet e luftës“
Gazetarja boshnjake Xhenana Karup Drushko është dakord me Volfgang Shomburgun dhe nënvizon se sa e rëndësishme ishte puna e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për shoqërinë në Bosnjë, sidomos kur bëhet fjalë për të gjitha deklaratat e dëshmitarëve dhe dëshmitë me të cilat u vërtetua ekzistenca e kampeve të përqendrimit, spastrimi etnik, gjenocidi dhe roli i përdhunimit.
Por, në rajon u përgënjeshtrua dhe u mohua gjithçka që ndodhi në Hagë. Narativët që ishin në fuqi që në kohën e luftës ende janë mbizotërues. Për shembull kroatët e mohojnë që e sulmuan Bosnjën, ata edhe sot e kësaj dite flasin vetëm për luftën vetëmbrojtëse. Kriminelët e dënuar të luftës, siç është gjenarali serb Vladimir Lazareviqi, festohen si heronj, të tjerët u kthyen në funksionet publike në të cilat ishin edhe gjatë luftës, edhe pse nuk do të duhej ta kishin këtë të drejtë, pasiqë u dënuan; kurse Hagën thjesht po injorohet – presidenti i Serbisë dhe ai i Rebublikës Serbe e mohuan gjenocidin.
I pyetur pse pomohohen faktet dhe po injorohen krimet e dokumentuara, Nemanja Stjepanoviqi, gazetar nga Serbia, dha përgjigje të qartë: „Sepse njerëzit të cilët sot janë në pushtet atëherë morën pjesë në krimet e luftës.“ Rreth 90 për qind e të gjithë kriminelëve ende janë në funksion. Në rastin e kriminelit të përmendur Vladimir Lazareviqit, ai tha që në Hagë u dërgua që ta marrë aeroplani i Qeverisë së Serbisë dhe që në Serbi e pritën zyrtarisht ministrat dhe përfaqësuesit e kishës dhe të ushtrisë. Kriminelët e dënuar në Serbi përjetohen si autoritet moral, kurse partitë i ftojnë në skenë si folës.
Kështu, për shembull, ministrja e Drejtësisë e Republikës së Serbisë gjeneralit të serbëve të Bosnjës Ratko Mladiqit, i cili për shkak të gjenocidit u dënua me dënim të përjetshëm, i dërgon dhurata në burg. Stjepanoviqi shkon aq larg saqë deklaron se serbi i Bosnjës dhe krimineli i luftës Radovan Karaxhiqi sot ndoshta do të ishte edhe president po të mos e kishte burgosur Tribunali.
Çka duhet të ndodhë për të ndryshuar ky adhurim i kriminelëve? Gjithnjë derisa nuk vihet në pyetje vetë ideja për shkak të së cilës u vranë njerëzit, në rajon nuk do të ketë as ballafaqim me krimet, konsideron Stjepanoviqi. Dhe ideja ishte zgjerimi territorial i shteteve, sidomos i Serbisë dhe i Kroacisë.
Ballafaqimi me historinë e re është i pakënaqshëm
Me këtë rast gazetari gjerman Erih Ratfelderi edhe një herë e rikujtoi që as shtetet e Evropës Perëndimore nuk u përballën me rolin e vet, sepse për suksesin e Tribunalit për Krimet e Luftës meritën nuk e kanë shtetet, por individët me angazhimin e vet ‒ si kryeprokurorja Karla del Ponte (Carla del Ponte) ‒ si edhe aktivistët, para se të gjithash ata nga spektri i partive të gjelbra. Do të duhej të rikujtojmë për gabimet dhe përgjegjësitë e tyre jo vetëm forcat rajonale, por edhe opinionin ndërkombëtar.
Pra, Evropa Perëndimore nuk dëshiron të flasë për vitin 1992, sepse ajo që ndodhi atë vit në Prijedor duhet të quhet gjenocid. Mirëpo, Perëndimi atëherë e ktheu kokën, nuk deshi të merrej me të. Duke i cilësuar ngjarjet në Srebrenicë në vitin 1995 si gjenocid, duhej të korrigjohej historia – sikur gjenocidi të ishte ndonjë fatkeqësi në fund të tërë luftës. Por në fakt në Bosnjë ky qe në vepër që nga vetë fillimi.
Eugen Jakovçiqi nga Qendra për Ballafaqim me të Kaluaren në Zagreb Documenta pohon që edhe në Kroaci, edhe pse ajo ndërkohë u bë anëtare e Bashkimit Evropian, mungon gatishmëria që të merren me historinë e re. Njësoj nuk i pranojnë aktgjykimet e Tribunalit të Hagës, kurse atmosfera naziste në shtet madje u radikalizua më shumë pas hyrjes në Bashkim Evropian. Aktgjykimet e Hagës, me të vërtetë e kryen pjesën më të madhe të punës për shtete, por edhe gjykatat kroate para hyrjes në BE ndriçuan disa krime dhe dënuan disa kryerës. Por pas hyrjes në Bashkim Evropian, Kroacia thjesht e ndali të ballafaquarit me të kaluaren e vet, gjë që gjatë procesit të anëtarësimit ishte detyrë e saj.
Jakovçiqi më në fund e kritikoi Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi për shkak se nuk bëri mjaft që popullsia t'i pranonte aktgjykimet. „Tërë kjo është mbi shpinën e organizatave të vogla, vendore siç është e jona.“
Megjithatë, gjykatësi Shomburgu e mohoi këtë padi. Çdo shqyrtim gjyqësor u emitua nga fillimi deri në fund në televizion dhe tërë transkriptimi mund të lexohet në faqen zyrtare të gjykatës. Gazetari serb Stjepanoviqi ra dakord me gjykatësin që me të vërtetë në historinë e Serbisë nuk ekziston periudha e cila është ndriçuar aq shumë sa gjatë viteve nëntëdhjetë.
„U hodh dritë. Nuk ka errësirë. Puna është vetëm edhe që kjo të pranohet.“ Mediat e vendit nuk ndihmojnë në këtë, sepse nuk përcjellin asgjë përveç „politikës zyrtare“: Në Hagë njerëzit dënohen vetëm sepse janë serbë apo kroatë.
Revizionizmi i madh historik
Erih Ratfelderi e sheh të njëjtin zhvillim. Ballkani kalon përmes periudhës së revizionizmit të madh historik. „Tërë një numër intelektualësh dhe elitave akademike po luan me të dhe po e shtrembëron historinë.“ Por ai përsëri e vuri në pah edhe përgjegjësinë e anës së dytë. Tribunali Penal Ndërkombëtar nuk i emërtoi haptazi personat me përgjegjësi. Për krimet në Bosnjë nuk u dënua asnjë serb apo kroat, por vetëm serbët dhe kroatët e Bosnjës.
Shomburgu konsideron që arsyeja e kësaj ndoshta qëndron në faktin që prokuroria gjykatësve nuk ua dorëzoi të gjitha dokumentet në shikim. Kështu ndodhi edhe në rastin e politikanit serb fashist Vojisllav Sheshelit. Atë procedurë dhe aktgjykimin lirues ai e quan farsë dhe tragjedi.
Në këtë moment moderatorja e përsëriti pyetjen: A pati në këtë rast, siç flitet për rastet e tjera para Tribunalit Ndërkombëtar, ndikim të jashtëm politik, a ishin interesat kombëtare para drejtësisë? Gjykatësi iu përgjigj paksa tërthorazi, duke thënë që ndikimi në drejtësinë penale ndërkombëtare nuk është më i madh sesa në atë vendore. Patjetër që gjithmonë pati përpjekje ngatërrimi, por pikërisht për shkak të kësaj është me rëndësi të madhe të angazhohen gjykatës me përvojë të cilët janë në gjendje t'u bëjnë ballë presioneve.
Gazetarja boshnjake Karup Drushko thekson që për ndikimin e vërtetë të politikanëve nga Kroacia dhe Serbia ndaj gjykatësve u diskutua krejtësisht hapur dhe gjerë, dhe që disa gjykatës të Tribunalit Ndërkombëtar për shkak të kësaj madje u pezulluan nga rasti. Këto ngjarje pastaj në shoqëritë e ish-Jugosllavisë u morën si dëshmi të korrupsionit në Tribunal, madje shërbyen si dëshmi që pavarësia e vërtetë nuk ekziston, nga pastaj logjikisht vijoi pyetja ‒ pra, pse në shtëpi do të silleshim më ndryshe sesa në Hagë?
Sipas fjalëve të Stjepanoviqit, Tribunali i Hagës i anashkaloi disa krime dhe kriminelë, prandaj tani detyra e tyre është të merren me atë nga çfarë Tribunali e ktheu anash shikimin. Njëkohësisht, aktivisti kroat Eugen Jakovçiqi e kritikoi që Gjykata Penale Ndërkombëtare nga vetë fillimi e ndoqi vetëm përgjegjësinë individuale, jo edhe shtetërore. Ai konsideron që kjo është një nga arsyet pse ata që udhëhoqën luftën, e kanë bazën e mirë për manipulim me fakte.
Si duket qëndrimi i të rinjve të Ballkanit Perëndimor ndaj së kaluares?
Shpresa që të rinjtë do të sjellin ndryshim u hoq nga rendi i ditës. Gazetarja boshnjake Karup Drushko tha që nuk është ora dymbëdhjetë pa pesë por dymbëdhjetë e pesë minuta kur bëhet fjalë për luftën e të rinjve. „E humbëm tërë një gjeneratë sepse Ministria e Arsimit i suprimoi të gjitha informacionet.“ Gjëja më e rëndësishme është që ta kenë në disponim historinë e Tribunalit të Hagës, dhe bashkë me të edhe faktet. Vetëm në këtë mënyrë gënjeshtrat të cilat fliten me dekada do ta humbin besueshmërinë.
„Jemi duke pritur“, tha gazetari serb Stjepanoviqi, „që gjenerata e pasluftës t'u bëjë pyetje baballarëve çfarë bënë gjatë luftës.“ Por kjo pyetje nuk po bëhet. Kryerësit gjermanë, tha Stjepanoviqi, përjetuan poshtërim nga ana e pushtuesve britanikë dhe amerikanë ‒ dhe kjo ishte me rëndësi. Glorifikimi publik i veprave të veta në Gjermani nuk ishte i mundur. Megjithatë, në Serbi, kryerësit nuk u poshtëruan. Përkundrazi. Ekziston rrezik i madh që gjeneratat e pasluftës do të zhvillojnë luftëra të reja, sepse në të kaluaren dëgjuan vetëm mite dhe histori për heronjtë romantikë.
Eugen Jakovçiqi për Kroaci tha që ai shtet është shembull më i mirë i asaj që po ndodh në shoqëri e cila refuzon të ballafaqohet me të kaluaren e vet: Perspektiva është gjithnjë e më e keqe dhe për këtë arsye të rinjtë dhe njerëzit e arsimuar ikin nga atdheu. Kush nuk beson në mitet e luftës konsiderohet armik dhe tradhtar. „Shoqëria është e helmuar. Kroatët e shohin veten si viktimë më të madhe në tërë botën. Edhe pse janë diçka tjetër – kombi më i sëmurë në BE“, përfundon Jakovçiqi.
Gazetari serb Stjepanoviqi konsideron që është e qartë që është i domosdoshëm së paku një konsensus minimal në të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë i cili do t'i kontribuonte asaj që pas mbylljes së Tribunalit Penal Ndërkombëtar të pushojë edhe glorifikimi i luftës.
Gjykatësi Shomburgu deshi që fjala përfundimare e manifestimit megjithatë të jetë pak më pozitive, dhe foli se si në Srebrenicë shpesh takoi njerëz të cilët donin të flisnin për historinë e vet dhe e lusnin që t'ua krijonte mundësinë që për këtë të flisnin para gjykatës – tha që kjo gjë e inkurajoi çdo herë. Gjithashtu, ai ka shumë respekt ndaj njerëzve të cilët dhanë deklaratë në gjykatë, sepse fakti që ata i shikuan kryerësit me sy dhe folën për veprat e tyre, në fakt është dënim shumë më i ashpër se sa aktgjykimet e gjykatës.
Pravda i nepravda na Balkanu - 25 godina MKSJ - Heinrich-Böll-Stiftung
Watch on YouTubeIncizimi i diskutimit në podium më 14 mars 2018 në gjuhën boshnjake dhe kroato-serbe.