Faktet për gjenocidin në Srebrenicë, rrethimin e Sarajevës, kampet e përqëndrimit në Prijedor, përdhunimet në Foçë, spastrimin etnik të serbëve e pastaj edhe të kroatëve ndaj boshnjakëve në BeH, vrasjet masive dhe spastrimin etnik të rreth 800.000 shqiptarëve të Kosovës sot e mohojnë vetëm të marrët dhe keqdashësit. Pa sukses nga pikëpamja e kundërshtimit të fakteve, me sukses nga pikëpamja e pranimit të teorive të tyre në rajon. Kjo është përafërsisht pamja e punës 25-vjeçare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë (Tribunalin e Hagës) – ai zhgroposte, të tjerët shkonin pas tij dhe groposnin, ai nxirrte në dritë, të tjerët mjegullonin, ai kthjellte, të tjerët ngatërronin.
Kush janë ata të tjerët? Strukturat politike në rajon, kryesisht në pushtet, dhe mercenarët, dëgjuesit dhe idhtarët e tyre. Të gjithë ata në interes të të cilëve ishte që të mos zbulohej e vërteta për luftërat në ish-Jugosllavi. Bëhet fjalë për strukturat politike, ushtarake dhe policore dhe individët të cilët ishin të implikuar në luftëra dhe në krimet e luftës ose të cilët u pasuruan nga luftërat, kështu që tani në çdo mënyrë po përpiqen t'i ruajnë pozitat, të fshehin rolin e vet dhe të parandalojnë çdo ide për procese gjyqësore të cilat do të zhvilloheshin kundër tyre.
Në vitin 1993 kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së e themeloi Tribunalin e Hagës, një nga qëllimet e punës së asaj gjykate ishte edhe kontributi për pajtim në rajon. Me të gjitha gabimet dhe lëshimet, Tribunali i Hagës gjatë 25 vjetëve të ekzistimit[1] bëri shumë – për fillim, i dënoi 90 nga 161 persona, sa ishin të akuzuar. Në mesin e tyre janë politikanët në pozita të larta në shtetet dhe entitetet në rajon, oficerët ushtarakë dhe policorë, si edhe një pjesë e vrasësve më të vrazhdë nga fundi i strukturave zyrtare. Edhe më e rëndësishme se sa kjo, Tribunali mblodhi material voluminozë për luftërat e viteve ’90 dhe në bazë të tij nxori përfundime për faktet dhe ngjarjet e luftërave gjatë viteve ’90-të.
Tërë kjo mund t’i kontribuonte pajtimit. Por, për pajtim duhet të jenë të dy palët. Ai tjetri, përkatësisht shtetet e krijuara me shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë, nuk e donin pajtimin, së paku jo të bazuar në bazë të fakteve për të kaluaren.
Nga vetë themelimi i Tribunalit të Hagës, pushtetet politike të shteteve në rajon, para se gjithash në Serbi dhe në Kroaci, e penguan zhvillimin e tij në mënyra të ndryshme – duke refuzuar që t'i ekstradonin të akuzuarit dhe ta dërgonin dokumentacionin nga arkivat e veta, duke u dhënë udhëzime dëshmitarëve në interesin e shtetit që të mos e flisnin të vërtetën dhe me lloj-lloj pengesash të tjera.
Pavarësisht nga të gjitha këto, Tribunali i Hagës arriti t'u bëjë ballë obstruksioneve dhe t’ia dorëzojë rajonit rezultatet çfarë askush nuk i priste në fillim të punës së tij. Së pari, arriti t’i nxjerrë të gjithë të arratisurit para bankës së drejtësisë – secili që ishte i akuzuar, edhe u gjykua. Pastaj, një numër i lordëve luftarakë të rajonit dhe udhëheqësve të fushatave të gjera kriminale i largoi nga strukturat e pushtetit ose i pengoi që të ktheheshin në to – për shembull ish-presidentin e RF të Jugosllavisë Slobodan Milosheviqin, liderët e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mladiqin ose liderin e kroatëve në Bosnjë Jadranko Përliqin. Tribunali i Hagës arriti që shtetet e rajonit t’ia dorëzojnë materialin arkivor, zhvilloi hetime gjithpërfshirëse në terren dhe kështu gjeti me dhjetra mijëra dokumente ushtarake dhe policore, biseda të përgjuara, video xhirime, fotografi, shënime nga takimet e organeve të larta shtetërore. Arriti t'i gjente dhe t'i dëgjonte 4.650 dëshmitarë – viktima të mbijetuara, kushërinj të të vrarëve, por edhe insajderë nga strukturat e ndryshme politike dhe ushtarake – dhe t'i marrë deklaratat e tyre në rreth 2,5 miliona faqe transkriptimi.
Sot rajoni gjendet në një situatë çfarë kurrë në histori nuk ishte pas periudhës traumatike të pasluftës, edhe pse pati aq shumë. Për herë të parë një narativ historik mund të ndërtohet plotësisht në fakte dhe jo në mite. Për herë të parë u mundësua një shikim i qartë i fakteve në lajthimet nga e kaluara dhe iu dha rasti që të shikohet e keqja e ëndërrave për zgjerimin territorial dhe kufizimin kombëtar në Ballkan. Mirëpo, kjo nuk ndodhi. Pjesërisht për shkak se, siç tha gazetari nga Sarajeva, Boro Kontiqi, „njerëzit tanë më shumë besojnë në fantazma, se sa në fakte“, por pjesërisht sepse ato fantazma nga mediat dhe kreu politik paraqiten si të vërteta, kurse faktet si llomotitje e panevojshme gjyqësore.
Pra, të nisemi nga Serbia dhe nga ana serbe në luftë, nga dokumentet e Hagës do të shohim që luftërat më 1991-1995 të udhëhequra nga Beogradi dhe këtë me qëllim të qartë që të pushtohen dhe të pastrohen etnikisht pjesët e Kroacisë dhe të BeH-së, mundësisht t'i bashkohen Serbisë, dhe tërë kjo ishte e planifikuar paraprakisht dhe që gjatë realizimit të këtij plani u vranë me dhjetëra mijëra dhe u përzunë me qindra mijëra civilë. Është e qartë, gjithashtu, që për realizimin e këtij koncepti, ta quajmë Serbi e Madhe, morën pjesë strukturat ushtarake dhe policore të Serbisë dhe të organizatave politike në BeH dhe në Kroaci. Dikush do të thotë që roli i Serbisë në luftën në BeH, për shembull, nuk përmendet në aktgjykimet e Hagës, si ato ndaj Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mladiqit. Është e vërtetë, nuk thuhet haptazi që Serbia e udhëhoqi luftën në BeH, por baza e lëndëve dëshmuese në Hagë dhe faktet e përcaktuara në mënyrë gjyqësore na e japin një pamje të qartë të përkrahjes politike nga Beogradi për pushtetin e serbëve të Bosnjës, të ndihmës ushtarake për njësitë të cilat bënë krime dhe të pranisë së njësive policore dhe ushtarake nga Serbia në BeH gjatë tërë kohëzgjatjes së luftës. Më në fund, Ratko Mladiqi dhe oficerët e ushtrisë së tij të cilët e planifikuan dhe e bënë gjenocidin në Srebrenicë, e terrorizuan Sarajevën 44 muaj lufte, e zhvilluan sistemin e kampeve të përqendrimit anembanë BeH, gjatë tërë kohëzgjatjes së luftës i pagoi Beogradi, nga buxheti i Ushtrisë së Jugosllavisë. Një numër i madh i këtyre oficerëve, në krye me Ratko Mladiqin, sot janë pensionistë të Republikës së Serbisë.
Gjithashtu, nga dëshmitë shihet qartë se vrasjet e disa mijërave dhe dëbimi i së paku 800.000 shqiptarëve të Kosovës gjatë ndërhyrjes së NATO-s në RF të Jugosllavisë më 1999 i bënë njësitë policore dhe ushtarake të Serbisë, si edhe me urdhrin e kreut të shtetit në ekzekutimin e policisë rreth 1.000 trupa të civilëve shqiptarë u zhvendosën nga Kosova në varrezat masive në Serbi.
Vazhdojmë më tutje, shembulli i rolit të Kroacisë në BeH. Këtu nga dokumentet e Hagës shihet qartë që ideja e kreut shtetëror të Kroacisë ishte që me ndihmën e udhëheqësisë ushtarako-politike të kroatëve të Bosnjës të merret, të spastrohet etnikisht dhe të bashkohet me Kroacinë një pjesë e BeH. Për këtë arsye, në territorin e imagjinuar kroat boshnjakët u vranë, u mbyllën, u munduan dhe u dëbuan. Edhe pse gjeneralët kroatë me një aktgjykim të turpshëm ankues u liruan nga përgjegjësia për krime në Krajinë gjatë kohës dhe pas operacionit „Stuhia“ në verë të vitit 1995, megjithatë nga dëshmitë shihet qartë që krimet ndaj serbëve u bënë, dhe secili që di të lexojë, e ka të qartë se i planifikoi dhe në vepër i zbatoi shteti kroat.
Madje edhe gjërat që nuk ishin objekt i gjykimit, për shembull Marrëveshja serbo-kroate për ndarjen e BeH, sot me pak përpjekje mund të lexohen nga aktgjykimet dhe materiali dëshmues të cilin Tribunali i Hagës e mblodhi.
Kjo është vetëm një pjesë e përfundimeve që dalin nga puna e Tribunalit të Hagës dhe mund të na shërbejnë ta shikojmë të kaluaren në mënyrë të drejtë, të marrim qëndrim ndaj lajthimeve që i patëm dhe një herë e përgjithmonë të heqim dorë nga konceptet që shkaktuan luftëra dhe krime masive ndaj civilëve. Por jo, ne bëmë krejtësisht të kundërtën – faktet i shtymë nën qilim dhe nuk e kthyem më kokën në drejtim të tyre. Sepse kështu është më lehtë. Jo vetëm që është më lehtë, por kështu nuk bisedohet për përgjegjësinë penale, morale dhe për çdo përgjegjësi tjetër të zyrtarëve të ndryshëm aktualë shtetërorë dhe politikanëve në pushtet, të cilët morën pjesë në luftëra, i mbështetën qëllimet e luftës në shtetet e veta dhe, jo rrallë, morën pjesë në planifikimin dhe kryerjen e krimeve të luftës. Për shembull, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi, i cili gjatë luftës i takonte palës politike luftarake radikale, vite me radhë është duke i mohuar arritjet e Tribunalit të Hagës dhe nuk thotë asgjë përveç kritikave në llogarinë e tij, por njëkohësisht, nga dita në ditë po e përsërit që nuk duhet t'i kthehemi asaj që ndodhi në të kaluaren, por që duhet të shikojmë në të ardhmen. „Po të kisha unë një të kaluar të tillë, gjithashtu do të shikoja vetëm në të ardhmen“, iu përgjigj një gazetar i Beogradit.
Prandaj, kjo është arsyeja pse pajtimi në rajon po ngec. Ata që më shumë ia zënë për të madhe Tribunalit të Hagës se nuk i kontribuoi pajtimit, pra politikanët në Serbi para se të gjithash, pastaj në Kroaci dhe në vende të tjera në rajon, në të njëjtën kohë bënë çdo gjë që qe e mundur që faktet të cilat i siguroi kjo gjykatë të mbeten të padukshme për shumicën e qytetarëve. Politikanët janë ata që përkundër dëshmive për krimet e planifikuara flasin për mbrojtjen e popullit të vet, në vend të dëshmive për pjesëmarrjen e shtetit në krime, flasin shumë për historitë për ekstremistët e rebeluar si kryerës, në vend që kriminelët e gjykuar të luftës t’i largojnë nga jeta publike, i lavdërojnë dhe bashkëpunojnë me ta.
Meqë ra fjala për këtë, të pyesim veten se si saktësisht Tribunali i Hagës do të mund të na pajtonte nëse kriminelët e luftës të cilët i dënoi ai ne i kthejmë në institucionet e shtetit dhe i promovojmë si autoritete morale të shoqërisë. Ja, për shembull, gjenerali serb Vladimir Lazareviqi i cili u dënua për krimet e luftës ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë pas vuajtjes së dënimit në Tribunal u kthye në Serbi me aeroplan të Qeverisë, në aeroport i organizuan pritje heronjsh në të cilën ishin ministrat e qeverisë, kryetari i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, personalitetet e larta kishtare. I njëjti ky gjeneral shumë shpejt pas kësaj u bë ligjërues në Akademinë Ushtarake shtetërore. Para tij, edhe një i dënuar, „njeriu i Milosheviqit“ për Kosovë, Nikola Shainoviqi, pas vuajtjes së dënimit shumë shpejt u zgjodh anëtar plotësues i këshillit kryesor të Partisë Socialiste të Serbisë në pushtet (ish-partia e Slobodan Milosheviqit). Partia e dytë në pushtet – Partia Përparimtare Serbe e Aleksandër Vuçiqit në tribuna e solli kriminelin e luftës Veselin Shlivançaninin, i dënuar në Hagë për krime ndaj kroatëve në Vukovar. Ish-presidenti i Serbisë, gjithashtu anëtar i Partisë Përparimtare Serbe Tomisllav Nikoliqi, e pranoi në Presidencën e Serbisë për konsultime Momçilo Krajishnikun, gjithashtu i dënuar i Hagës, dorë e djathtë e luftës e Radovan Karaxhiqit. Për çfarë u konsultuan, vallë?
Ia zënë për të madhe Tribunalit të Hagës se vetëm u kontribuoi ndarjeve të popujve edhe ashtu të ndarë në Ballkan. Është e vërtetë, por si kjo ndodhi saktësisht? Ashtu që punën e tij e shikojmë si një garë sporti, duke i numëruar sa të dënuar janë tanët dhe sa të tyre, secili aktgjykimi u prit me lot në njërën anë dhe me këngë në anën tjetër, edhe pse asnjëri nga ata që qanin apo këndonin nuk e lexoi asnjë aktgjykim. Falë gënjeshtrave të politikanëve dhe mediave, njerëzit besojnë që në Hagë të akuzuarit u dënuan vetëm pse janë serbë apo kroatë, që gjykatësit nuk flenë me net duke menduar si të na bëjnë keq ne që të vuajmë, si të na bëjnë kriminelë dhe të imponojnë fajin kolektiv.
Ndoshta pikërisht këtu edhe është hilja– duke ikur nga faji kolektiv, arritëm të ikim nga përgjegjësia kolektive. Meqë, edhe pse nuk jemi të gjithë fajtorë për krime, megjithatë kemi një përgjegjësi për atë që ndodhi në të kaluaren. Qoftë si përkrahës të politikave të cilat shkaktuan krime, qoftë si qytetarë të painteresuar të cilët nuk i kundërshtuan politikat e tilla.
Mirëpo, ne sot e mbajmë përgjegjësinë më të madhe – të mësojmë sa më shumë për ngjarjet nga e kaluara dhe njohurinë t'ua bartim gjeneratave të reja. Tërë këtë me qëllim që krimet të mos përsëriten më. Gjenerata e lindur pas Luftës së Dytë Botërore i udhëhoqi luftërat në ish-Jugosllavi. Këta janë njerëz që nuk patën përvojë lufte, por për të dëgjuan histori romantike ose u edukuan në narativët e bazuar në mite. Nëse historia na mëson diçka, ky skenar nuk duhet të përsëritet. Pranë nesh pikërisht është duke u rritur një gjeneratë e cila lindi pas luftërave të viteve ’90-të, të cilën përsëri po e rrisim me narativ të bazuar në mite dhe në histori romantike për heronjtë e luftës. Por që kësaj here, ndryshe nga Lufta e Dytë Botërore, heronjtë e shpallur të luftës në fakt janë kriminelë të thjeshtë. Dështimi që këtë gjeneratë të re ta njoftojmë me faktet për luftërat mund të ndikojë që këta të rinj, njëherë kur të rriten dhe të bëhen vendimmarrës, të fillojnë luftëra të reja me ëndrra të vjetra të parealizuara.
Tribunali i Hagës me siguri mund të ndihmojë këtu. Megjithatë, është gabim ta marrim fundin e historisë për të kaluaren. Përkundrazi, ai duhet të jetë fillim i bisedës së sinqertë rajonale çka dhe për çfarë bëmë gjatë viteve nëntëdhjetë, themel i fortë mbi të cilin mund të ndërtojmë shtëpinë e paqes së përhershme në Ballkan.
[1] Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e përfundoi punën më 31 dhjetor 2017. Atëherë kompetencat për lëndët e papërfunduara (Stanishiqi dhe Simatoviqi të shkallës së parë dhe Vojislav Shesheli, Radovan Karaxhiqi dhe Ratko Mladiqi në procedurë ankimore) kaluan në Mekanizëm për Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, gjithashtu me seli në Hagë.