Raportimi i mediave në Kosovë në shënimin e 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

Kur bëhet fjalë për çështjet që ndërlidhen me luftën, mediat në Kosovë përçojnë  më shumë dallimet etnike, përderisa ngjashmëritë ose gjërat që bashkojnë mbesin pothuajse jashtë portretizimit të përgjithshëm, duke mos përfshirë gati asnjëherë zërat kundërshtues.

/

Raportimi i mediave në Kosovë më 24 dhe 25 mars është fokusuar kryesisht në vendimin e NATO që më 24 mars 1999, të nisë një fushatë ajrore kundër Serbisë, në përpjekje për t'i dhënë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut që atëherë po kryheshin kundër popullsisë shqiptare në Kosovë.

Raportimi i mediave në këtë ditë është fokusuar në historikun e kësaj dite, përkatësisht, Operacionin e Forcave Aleate, që zgjati 78 ditë, pasi ish presidenti i Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq, pranoi tërheqjen e ushtrisë, forcave paramilitare dhe policore nga Kosova.

Në hapësirën e raportimit, transmetuesi publik, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) i ka dhënë kohën më të madhe raportimit për 25 vjetorin e fillimit të bombardimeve. Përveç RTK-së, edhe mediat tjera kishin në përmbajtën kryesore se fushata ajrore erdhi pas “dështimit të nënshkrimit të marrëveshjes së Rambouillet nga delegacioni jugosllav dhe  “intervenimi humanitar i NATO-s i dha fund gjenocidit në Kosovë”.

RTK i jep gjithashtu një hapësirë luftës, duke transmetuar drejtpërdrejtë ceremoninë e shënimit të përvjetorit të Betejës së Dukagjinit të vitit 1999 që u mbajt në Glloçan të Deçanit. Aty në fjalimet që u transmetuan direkt në RTK folësit, ndër të cilët ish kryeministri Ramush Haradinaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, folën më tepër për lavdinë e luftës së UÇK-së e më pak për përvjetorin e bombardimeve.

Në RTK  dhe në të gjitha mediat një hapësirë të madhe pati presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila së bashku me 9 ambasadorë, në mesin e  të cilëve ai i SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe Kroacisë bënë homazhe te memoriali i ushtarëve të NATO-s që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë.  Presidentja duke falënderuar “përjetësisht NATO-n”  tha se “24 marsi është dita kur bota demokratike u bë bashkë për të ndalur shfarosjen e popullit shqiptar nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit”.

Ndërsa në debatin e emisionit special për 24 mars, mysafirët në RTK, dy profesorë universitarë (Bujar Dugolli e Nuri Bexheti) flasin për ndërhyrjen e NATO-s, për dhunën e forcave serbe, rolin e UÇK-së dhe rolin amerikan në çlirimin e Kosovës.

Në edicionin qendror të lajmeve të RTK dhe 8 televizioneve tjera, KTV, RTV21, Klan Kosova, ATV, Dukagjini, T7, Kanal 10 dhe TEVE, transmetuan kronika që kujtojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, si dhe përkujtimet në rrjetet sociale të presidentes, kryeministrit, kryeparlamentarit dhe liderëve të tjerë partiakë në rrjete sociale.

Për dallim nga mediat tjera në gjuhën shqipe, KTV i jep gjithashtu një hapësirë të vogël deklarimeve në Facebook të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që e quan ndërhyrjen e  NATO-s “një agresion, shkatërrim dhe vrasje të fëmijëve” si dhe ambasadorit serb  në Uashington, Marko Gjuriq, që gjithashtu e quan “agresion”.

KTV gjithashtu publikon një reagim të aktivistes serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, që thotë se “me akuzat për agresion, autoritetet në Serbi po tentojnë të fshehin krimet që policia dhe ushtria serbe ka kryer në Kosovë ku për 78 ditë u vranë 7 mijë civilë”.

Pothuajse të gjitha mediat transmetuan informacion me të njëjtën përmbajte. Fjala gjenocid është përmendur më së shumti në kronikat e televizionit publik dhe televizionit Klan Kosova, në kronikat e lajmeve për bombardimet e NATO-s.

Përveç homazheve të presidentes te memoriali, avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga statusi i vëzhguesit në atë të anëtarit të asociuar gjithashtu ka zënë një vend qendror.

Në lajmet e televizioneve dhe mediave të shkruara pati kryesisht deklarime të ish-presidentit amerikan Bill Clinton, gjeneralit Ëesley Clark dhe liderëve politikë në Kosovë, por jo informacione për disa nga sulmet që shkaktuan viktima civile.

Përveç deklaratave të mëhershme të ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton, dhe liderëve të tjerë  janë  transmetuar edhe intervista të reja. RTK transmeton një intervistë me një pilote amerikane (Faruzia Kallaba) që kishte marrë pjesë në bombardime dhe një intervistë me ish-zëdhënësin e NATO-s, Jamie Shea, që flasin për domosdoshmërinë e “intervenimit humanitar” si dhe një kronikë për kujtimet e qytetarëve gjatë kohës së bombardimeve. RTV 21 transmeton një intervistë me ish-komandantit të NATO-s për Evropë, Ëesley Clark, ndërsa  Klan Kosova, një sekuencë të shkurtër të një interviste me një kolonel amerikan, Jeffrey Fischer.

Mediat e shkruara si Kallxo, Koha, Telegrafi, Gazeta Express, RTKlive, Indeksonline dhe të tjera publikuan përmbajtje pak a shumë të ngjashme me ato të televizioneve, duke theksuar aspektin historik dhe duke cituar deklaratat e Presidentes, kryeministrit, kryeparlamentarit si dhe liderëve të opozitës.

Për dallim nga mediat në gjuhën shqipe, mediat serbe në Kosovë TV Most dhe TV Puls u kanë dhënë më shumë hapësirë deklarimeve të zyrtarëve në Serbi dhe kanë përfshirë gjithashtu deklarimin e presidentes së Kosovës që flet gjithashtu për shpresën që Kosova të anëtarësohet së shpejti në NATO.

Analize e kontekstit

Mediat në gjuhën shqipe, në përgjithësi, shpjegojnë kontekstin e bombardimeve në mënyrën që shpjegon se Kosova ishte një rajon autonom në ish-Jugosllavi, i cili ka luftuar për të qenë pjesë e barabartë brenda federatës jugosllave.

Për ta vënë Kosovën nën kontroll të drejtpërdrejtë dhe për të forcuar pushtetin e tij personal politik, lideri nacionalist i Serbisë, Slobodan Millosheviç, e privoi Kosovën nga autonomia e saj në vitin 1989. Shqiptarët e Kosovës kundërshtuan ashpër revokimin e autonomisë dhe vazhduan rezistencën paqësore, e më pas rezistencën e armatosur për liri e pavarësi.

Në përgjithësi, në të gjitha lajmet qendrore të televizioneve në gjuhën shqipe në Kosovë theksohet fokusi në “ndaljen e gjenocidit dhe spastrimit etnik” si dhe në shfaqjen e arritjeve të tjera të NATO-s; lehtësimi i tërheqjes së forcave jugosllave nga Kosova pas kapitullimit të ish-Jugosllavisë, duke çuar në vendosjen e Kosovës nën protektorat ndërkombëtar pas miratimit të Rezolutës 1244 të OKB-së. Vendosjes së praninë së saj ushtarake, duke mundësuar kthimin e individëve të zhvendosur dhe bashkëpunimin me OKB-në , BE dhe OSBE për krijimin e një administrate të përkohshme në vend.

Por raportimet nuk përfshinin detaje që ndërlidhen me problemet e operacionit, gabimet në planifikim apo viktimat e paqëllimshme civile shqiptare, serbe e rome.

Duke analizuar dhe krahasuar raportimet e mediave, kryesisht mënyrën se si ato mbuluan përvjetorin e 25-të të sulmeve ajrore të NATO-s në Kosovë, përmbajtja e tyre rezulton se për intervenimin  ushtarak në shkallë të gjerë të NATO-s, mediat në Kosovë adoptuan dy korniza të ndryshme mediatike, të ndara përgjatë vijave etnike.

Përderisa mediat në gjuhën shqipe, në Kosovë, e paraqitën intervenimin si ndërhyrje për të ndalur “spastrimin etnik dhe gjenocidin”, mediat në gjuhën serbe publikuan kryesisht lajme dhe interpretime që ushqejnë narrativën se ishte një “agresion” ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë.

Reflektimet e përgjithshme të mediave ndaj sulmeve ajrore tregojnë për një ndikim të fuqishëm të interesit kombëtar në kornizat e raportimit.

Duke ndjekur një rol të interesit nacional, në raportimin për përvjetorin e intervenimit të NATO-s, mediat në Kosovë tregojnë një prirje të qartë për të krijuar narrativa kohezive, në të shumtën me elemente që theksojnë ndarjen etnike.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s u identifikua si kontekst tematik, ndonëse një pjesë e rëndësishme e përmbajtjes i kushtohet gjithashtu ndërtimit të sovranitetit të Kosovës.

Ndonëse shumica e teksteve ishin neutrale dhe të shkruara me një gjuhë më të moderuar, burimet dhe intervistuesit kishin një qasje me elemente, të cilat përjetësojnë imazhin e Kosovës si viktimë e Serbisë.

Duke lënë jashtë shumë çështje të kohës së bombardimeve, sidomos numrin e viktimave civile, për të cilët në Kosovë pak dihet se si ka ndodhur në të vërtetë, kornizat e raportimit bazohen në burime që i përshtaten interesave nacionale dhe ilustrohen  nga përdorimi i stereotipeve.

Në mediat e Kosovës në përgjithësi, ka pak informacion autentik për atë që ka ndodhur gjatë bombardimeve ngase shumica e informacionit është i bazuar në raportimet e mediave ndërkombëtare.

Në atë kohë kishte një fushatë sistematike të spastrimit etnik të qeverisë serbe në Kosovë, e kryer nga trupat ushtarake e paraushtarake dhe pak kishte mundësi për ato pak media lokale për të pasur informacion autentik dhe profesional nga terreni.

Kur bëhet fjalë për çështjet që ndërlidhen me luftën, mediat në Kosovë përçojnë  më shumë dallimet etnike, përderisa ngjashmëritë ose gjërat që bashkojnë  mbesin pothuajse jashtë portretizimit të përgjithshëm, duke mos përfshirë gati asnjëherë zërat kundërshtues.

Pavarësisht se në tekstet informative, lajmet në televizione dhe media të shkruara në gjuhën shqipe rreth 24 marsit ishin më neutrale dhe të bazuara në fakte, zgjedhja e burimeve të tyre  në të shumtën kishte mundësi që të polarizojë  raportimin.  Raportimet e shumicës së mediave për 24 mars tregonin se emocionet dhe polarizimi ishin në zemër të shumicës së teksteve.

Gjuha e raportimeve në disa raste si p.sh në RTK dhe Klan Kosova ishte e bazuar në një tekst që ndërtohet në një nivel të polarizimit mes dy entiteteve, shqiptare e serbe, duke rritur nivelin e emocional narrativ brenda përmbajtjes së analizuar.

Në shumicën e raporteve nuk kishte shumë nivel emocional, megjithëse gjuha e disa prej të intervistuarve, sidomos ata që flisnin për përjetimet e asaj kohe qoftë civilë apo ish guerilë, përmbante më shumë emocione.

Nga analizat e raportimeve për këtë përvjetor të intervenimit të NATO-s dhe duke krahasuar me raportimet e mëhershme vërehet pak ndryshim në qasjen e raportimit.

Në kornizat e raportimit janë ende të rrënjosura stereotipet që kanë dominuar diskursin e përgjithshëm për më shumë se dy dekada, shumica e të cilave janë të ndërlidhura me Serbinë dhe serbët si kryerës të spastrimit etnik.

Sidoqoftë, fushata e bombardimeve të NATO-s gjatë vitit 1999 në Kosovë mbetet një temë kontradiktash mes mediave shqiptare dhe serbe në Kosovë.

Mediat shqiptare u japin platformë figurave kryesore shqiptare që ishin pjesë të bisedimeve në konferencën e Rambouillet dhe në luftë,  ndërsa në ato serbe më tepër hapësirë patën ish-zyrtarët serbë që mbanin poste të larta politike apo ushtarake gjatë pushtetit të Sllobodan Millosheviçit, për të folur kundër NATO-s.

Përderisa në pjesën më të madhe të mediave shqiptare raportimet mbi intervenimin e NATO-s e cilësojnë si ndërhyrje humanitare, për të parandaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, mediat serbe vazhdojnë narrativat anti-NATO, për ndërhyrjen në luftën e Kosovës.

Në kontekstin e përgjithshëm, pavarësisht ndarjes përgjatë vijave etnike dhe narracionit të njëanshëm mediat në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe në Kosovë mbesin nën ndikimin e grupeve politike dhe pasqyrojnë realitetin e përgjithshëm politik e shoqëror në vend sa i përket perceptimit për intervenimin e NATO-s.