Mësimet nga lufta në Kosovë: nuk ka kohë për vetëkënaqësi evropiane

/
Teaser Image Caption
Ibrahim Rugova's statue, in front of the Catholic Cathedral 'Nëna Terezë' in Prishtina

Mësimet nga lufta në Kosovë: nuk ka kohë për vetëkënaqësi evropiane

 

Lufta në Kosovë e 25 viteve më parë shërben si një kujtesë se konfliktet e ngrira dhe mosmarrëveshjet dypalëshe nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë. Në mjedisin aktual gjeopolitik, ato do të shpërthejnë në fytyrën e Evropës.

 

Evropa Perëndimore aktualisht është në mes të periudhës së saj më të gjatë të paqes në histori. Disa gjenerata të evropianëve u lindën dhe u rritën në kohë paqeje nën ombrellën e NATO-s dhe BE-së, gjë që i ka bërë luftërat në Evropë të duken të pamundura dhe irracionale – si gjëra që ndodhin në vende shumë të brishta. Kjo fatkeqësisht ka bërë që Perëndimi të jetë në mënyrë të rrezikshëm i vetëkënaqur dhe të jetë i papërgatitur për të parashikuar, parandaluar dhe reaguar ndaj luftërave.

 

KTHIMI NË TË ARDHMEN E KONFLIKTIT TË  DHUNSHËM

 

Kjo është një çështje shqetësuese pasi fare pranë në Evropën Lindore ose Lindjen e Mesme, paqja dhe rendi duket se janë në themele të pasigurta. Edhe në rajonet që shpesh shihen si të paqëndrueshme ose të zhytura në grindje etnike, luftërat më të gjera deri vonë dukeshin një rezultat i pamundur – derisa ato në të vërtetë shpërthyen.

 

 

Dy vjet më parë, në ditët para pushtimit rus, atmosfera në Kiev ishte ajo e mosbesimit, madje si më parë, Rusia tashmë kishte aneksuar Krimenë në vitin 2014 dhe inteligjenca amerikane kishte zbuluar qindra mijëra ushtarë dhe armë të rënda të rreshtuara përtej kufirit. Pak më shumë se tre vjet më parë, armenët e Nagorni-Karabahut, të cilët tani janë bërë refugjatë në Armeni, ishin në mënyrë të vendosur në kontroll të këtij territori i cili njihet ndërkombëtarisht si i Azerbajxhanit. Vetëm disa muaj më parë, Izraeli jetonte nën iluzionin se kufiri i tij me mure të forta me Gazën ishte aq i padepërtueshëm, dhe Hamasi aq i paaftë, sa nuk shqetësohej të vendoste trupa të mjaftueshme. 

 

Mënyra në të cilën këto situata në dukje të qëndrueshme fshihnin brishtësi të thella të brendshme që shpërthyen në konflikt të dhunshëm dukej jashtëzakonisht e njohur për ne nga Ballkani. Më shumë se tri dekada më parë, shkalla e dhunës që shoqëroi shpërbërjen e Jugosllavisë nuk pritej nga shumica e qytetarëve të saj, edhe pse plumbat e parë po shkrepshin. Megjithatë, në retrospektivë, sinjalet e spiraleve të tilla të rrezikshme janë pothuajse gjithmonë të dukshme për ata që duan t’i lexojnë ato. Veprimet ose mosveprimet e gabuara të Perëndimit nga luftërat jugosllave mund të ofrojnë disa udhëzime se si të reagohet ndaj sfidave të sotshme.

 

KURRË MË AUSHVICI

 

Merrni për shembull luftën e Kosovës (1998-1999), të cilës ju kushtua vëmendje ndërkombëtare veçanërisht pasi NATO nisi një fushatë bombardimi ajror të paparë kundër Jugosllavisë së copëtuar (përkatësisht Serbisë) për të parandaluar fushatën e spastrimi etnik kundër shumicës së shqiptarëve etnikë të Kosovës.

 

Sipas kushtetutës jugosllave të vitit 1974, Kosova kishte qenë një entitet autonom brenda Jugosllavisë së Titos, duke gëzuar statusin de facto në nivel republike. Kur në fund të viteve 1980-ta, udhëheqësi nacionalist dhe hegjemonist i Serbisë Sllobodan Millosheviç nisi një agjendë revizioniste që synonte nënshtrimin e Jugosllavisë ndaj dominimit serb, një nga hapat e tij të parë ishte heqja e autonomisë së Kosovës. Ky hap ishte një nga shkaktarët që përshpejtoji kërkesat secesioniste në republikat tjera. Serbia u përgjigj me dhunë – së pari në Slloveni, pastaj në Kroaci, dhe pastaj në Bosnjë dhe Hercegovinë – duke kryer krime të luftës kundër civilëve dhe gjenocidin e parë të njohur ndërkombëtarisht në Srebrenicë.    

 

Në fillim të luftërave jugosllave, shqiptarët e Kosovës, të udhëhequr nga fituesi i çmimit Sakharov, Ibrahim Rugova, zgjodhën një rrugë alternative krahasuar me republikat tjera. Në vitin 1990, Kosova shpalli pavarësinë përmes një referendumi dhe filloi me një lëvizje të rezistencës jo të dhunshme dhjetëvjeçare. Qindra mijëra punëtorë të sektorit publik që refuzuan të zotoheshin për besnikëri ndaj qeverisë së Serbisë u shkarkuan nga ai që në mënyrë efektive u bë një shtet aparteid. Një sistem paralel i qeverisjes u krijua nga qeveria në mërgim e cila drejtonte shkolla të cilat funksionin në shtëpi me ndërrime dhe punonte për të siguruar mbështetjen perëndimore. 

 

Qasja e Evropës ndaj agresionit të Serbisë në Jugosllavi, ashtu si reagimi i saj ndaj pushtimit të Krimesë nga Putini në vitin 2014, ishte indiferente dhe e butë. Duke vendosur embargon e armëve nga të gjitha anët dhe duke dërguar një mision paqeruajtës të pafuqishëm të OKB-së në Bosnjë, ajo favorizoi në mënyrë disproporcionale serbët e armatosur më mirë, duke imponuar sanksione ekonomike dhe politike joefektive ndaj tyre. Vetëm kur u bë i qartë numri viktimave në njerëz të gjenocidit në Bosnjë, Perëndimi – i shtyrë kryesisht nga SHBA – vazhdoi më seriozisht me kërcënime ushtarake, duke e detyruar Millosheviçin të nënshkruante Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, ndonëse e shpërbleu atë me një entitet etnik që rezultonte nga gjenocidi.

 

Ndikimi i Dejtonit në Kosovë ishte i rëndë. Dështimi i Perëndimit për t’i adresuar vështirësitë e Kosovës paralelisht me luftërat e tjera jugosllave tregoi një moment tjetër të keqkuptimit serioz të rajonit. Më e rëndësishmja, ai delegjitimoi rezistencën jo të dhunshme të Rugovës mes shqiptarëve. Duke jetuar në prag të mbijetesës, shumë veta morën armët dhe iu bashkuan kryengritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër objektivave policore dhe ushtarake sërbe. Duke ndjerë një mundësi për të çliruar Kosovën nga popullsia e saj shqiptare dhe i inkurajuar nga paqësimet e mëparshme perëndimore, Millosheviçi reagoi brutalisht me vrasje masive të civilëve, gjë që çoi vetëm në një rezistencë më të fuqishme të armatosur në Kosovë. 

 

Perëndimi - i kujdesshëm ndaj një gjenocidi të ri pasi Bosnja dhe Ruanda kishin kapur vëmendjen botërore - bëri një përpjekje të fundit diplomatike në bisedimet e paqes në Rambuje për të parandaluar një luftë më të madhe. Shqiptarët e Kosovës me ngurrim ranë dakord për një marrëveshje që zyrtarisht ruante sovranitetin e Jugosllavisë, por forcat jugosllave zëvendësoheshin nga ato të NATO-s. Beogradi refuzoi dhe u bombardua më pastaj. Në shenjë hakmarrjeje, dëboi më shumë se 1 milion shqiptarë në vendet fqinje dhe vrau mijëra civilë.

 

“Në Gjermani mësuam mësimin e ‘kurrë më luftë’, por edhe ‘kurrë më Aushvic’”, deklaroi Joschka Fisher ndërsa mbrojti me pasion ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Kjo e fundit përfundoi me sukses në qershor të atij viti me humbjen ushtarake të Serbisë dhe instalimin e një administrate të OKB-së dhe një force paqeruajtëse të NATO-s (e cila është ende e vendosur në vend).  

 

 

RUSSSIA SHFRYTËZON HESAPET E PAPËRFUNDUARA TË PERËNDIMIT

 

Shpallja e mëvonshme e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 – rezultat i një procesi të ndërmjetësuar nga OKB-ja nga Marti Ahtisaari dhe subjekt i garancive të fuqishme për mbrojtjen e pakicave etnike – ishte përfundimi logjik i idesë se historia e sundimit të Serbisë në Kosovë e kishte lënë atë pa asnjë të drejtë morale ose ligjore ndaj territorit (shqiptarët do të thoshin se ajo kurrë nuk kishte pasur ndonjë të drejtë). Më shumë se njëqind vende, kryesisht ato perëndimore, ndanë këtë pikëpamje kur njohën pavarësinë e Kosovës. Por jo edhe Serbia dhe – ndoshta më e rëndësishmja – as Rusia, e cila që atëherë e ka penguar Kosovën të anëtarësohet në OKB. As pesë vende të tjera të BE-së (katër të NATO-s), të cilat kanë penguar perspektivat e anëtarësimit të Kosovës në këto organizata. 

 

Përpjekja e Kosovës për njohje të mëtejshme ndërkombëtare u bë e rëndësishme gjatë viteve ndërsa fuqia e Rusisë u rrit dhe ndërsa agjenda e saj revizioniste kundër rendit të sigurisë perëndimore – e manifestuar drejtpërdrejt në Ukrainë – u bë globale për nga natyra. Rusia i kushtoi vëmendje të veçantë rajoneve si Ballkani Perëndimor, ku kishte (dhe vazhdon të ketë) një interes të madh për të hapur fronte të reja për të larguar vëmendjen nga angazhimet kryesore të luftës në Ukrainë, dhe ku gjen një Serbi revanshiste dhe nacionaliste aleate, po aq të etur për të rishikuar zgjidhjet perëndimore të viteve të ‘90-ta në Bosnjë dhe Kosovë. 

 

Si rezultat i kontekstit gjeopolitik, gjatë viteve të fundit, Kosova është kthyer në qendër të vëmendjes globale pas tensioneve të mëdha në veriun e saj me shumicë serbe, duke përfshirë sulmet kundër ushtarëve të NATO-s në maj 2023 nga protestuesit serbë; rebelimin e armatosur nga ekstremistët e mbështetur nga Beogradi në tetor të të njëjtit vit; dhe vendosjen masive të forcave ushtarake sërbe pranë kufijve të Kosovës.

 

Ndërsa NATO (KFOR) vazhdon të parandalojë një përshkallëzim më të gjerë, dialogu i ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve ka qenë instrumenti kryesor politik i Perëndimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes gjatë dekadës së kaluar. Ndërsa ka arritur të zgjidhë disa çështje teknike si menaxhimi i vendkalimeve kufitare ose pagesa e faturave të energjisë; çështjet më të mprehta politike mbeten përtej mundësive dhe përballen me mungesën e gatishmërisë nga të dyja palët për t’u zbatuar, pavarësisht këmbënguljes së BE-së dhe SHBA-së se një marrëveshje verbale ligjërisht e detyrueshme është arritur pranverën e kaluar në Ohër.

 

Çështjet kryesore të diskutueshme janë veçanërisht njohja e Kosovës nga Serbia, e cila do t’ia mundësonte kësaj të fundit të bashkohej me organizatat ndërkombëtare, dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të integronte serbët e mbetur të veriut të Kosovës në sistemin e qeverisjes së Kosovës. Arsyeja e dështimit të negociatave është se asnjëra palë nuk beson se Perëndimi mund të garantojë marrëveshjet dhe as nuk ka ndonjë stimulim real për të ofruar.

 

Si rezultat, marrëveshjet duket se kanë çuar në efekt të kundërt duke nxitur një përshkallëzim të tensioneve, pasi që palët kërkojnë të vendosin fakte të reja në terren. Si rezultat i kësaj gjendje të paqartë, veriu i Kosovës është bërë ndoshta pika më e ndjeshme e sigurisë në Evropë pas Ukrainës.

 

 

KOHA ËSHTË ESENCIALE

 

Njëzet e pesë vite pas luftës, Kosova është një vend shumë më i mirë – politikisht, ekonomikisht, shoqërisht – dhe pavarësisht sfidave të saj mund të konsiderohet si një histori suksesi perëndimore e shtet-ndërtimit. Megjithatë, në të njëjtën kohë në kontekstin e zhvillimeve më të gjera në Evropë, paqëndrueshmëria kryesore e shkaktuar nga situata në veri dhe gjendja e paqartë e Kosovës në aspektin ndërkombëtar e bëjnë mundësinë e konfliktit jo shumë të largët.

 

Zgjidhja e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të mbetet një çështje urgjente për BE-në dhe përfshirja e konsiderueshme e SHBA-së është jetike. Ndryshimet e vazhdueshme gjeopolitike kërkojnë një unitet transatlantik që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të ecë përpara, duke rezultuar mundësisht në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që përputhet me garancitë perëndimore për zbatimin e plotë të saj. 

 

Mësimi nga luftërat jugosllave dhe agresioni dhjetëvjeçar i Rusisë në fqinjësi të afërt si në Gjeorgji (2008) dhe në Ukrainë (që nga viti 2014) është se Perëndimi duhet të përfshihet në mënyrë të plotë për të adresuar këto paqëndrueshmëri para se të shpërthejnë në konflikt më të gjerë. Për ta bërë këtë, ata duhet të veprojnë nga një pozicion force dhe butësie – pasi kjo është gjuha e vetme që kuptojnë autoritarët si Putini, Millosheviçi dhe Vuçiçi. 

 

Koha është gjithashtu esenciale. Një administratë e re e mundshme e Trumpit në SHBA, me një angazhim të dyshimtë ndaj NATO-s, do të vinte seriozisht në provë aftësinë e Evropës për t’u mbrojtur kundër një agresioni të pashmangshëm dhe më të gjerë rus. Në atë skenar, Ballkani Perëndimor me siguri do të ishte objektiv kryesor.