Serbi-Kosovë: Përshkallëzimi etnopolitik në paralajmërim?

Serbi-Kosovë: Përshkallëzimi etnopolitik në paralajmërim?

Para tridhjetë vjetësh, në verë të vitit 1989, fjalimi polarizues i Slobodan Milosheviqit në Fushë Kosovë e shënoi fillimin e politikës së tij  “të mobilizimit të serbëve” në territorin e Jugosllavisë. Njëzet vjet më parë Gjermania, në kuadër të Aleancës së NATO-së, konsideroi veten të detyrueshme që të ndërhynte ushtarakisht kundër asaj që mbeti nga Jugosllavia që të ndalonte vrasjen masive dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës.

Pas viteve traumatike nëntëdhjetë, kur politika e elitës nacionaliste, e orientuar për ndarjen e ish-Jugosllavisë sipas kufijve etnikë, shkaktoi luftëra të përgjakshme dhe krime të tmerrshme, Evropa më në fund u ballafaqua me përgjegjësinë e vet për këtë që të angazhohet në rregullimin paqësor të Ballkanit Perëndimor të bazuar në sundimin e ligjit dhe barazinë e të gjithë qytetarëve dhe qytetareve. Si themel ndërkombëtar juridik obligues i një rimëkëmbjeje të këtillë u pranuan kufijtë midis republikave të ish-Jugosllavisë.

Po sot? Sa i përket Serbisë dhe Kosovës, Bashkimi Evropian, me sa duket, pothuajse është gati ta mbështesë marrëveshjen e presidentit të Serbisë dhe atij të Kosovës, Vuçiqit dhe Thaçit, dhe në këtë mënyrë t’ia japë bekimin e vet kthimit të politikës së “korrigjimit të kufijve” etnikë – me pasoja të papara për tërë rajonin.

Me sa duket tre udhëheqësit e fuqishëm dhe autoritarë të rajonit, Vuçiqi, Thaçi dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, e ringjallën idenë e vjetër nga vitet tetëdhjetë: Zonën në veri të Kosovës, e cila është e banuar me popullsinë shumicë serbe, do ta merrte Serbia, kurse zonën në jug të Serbisë, e cila është e banuar me popullsinë shumicë shqiptare (Lugina e Preshevës), do ta merrte Kosova. Atëherë, me këtë, të gjitha kërkesat e ndërsjella do të pajtoheshin dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin do të zgjidheshin. Parulla ka këtë përmbajtje që atëherë të dyja palët, edhe serbët edhe shqiptarët e Kosovës, do të mund të përqendroheshin në reformat e brendshme dhe në procesin e asocimit në Bashkimin Evropian.

Vitin e kaluar kjo “zgjidhje ideore” mjaft me sukses “u hodh”  falë lobimit të fuqishëm: idenë e pranoi përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogerini, e cila dukshëm po lufton me të gjitha forcat për një sukses të madh politik gjatë mandatit. Por e pranoi edhe këshilltari për siguri i presidentit amerikan, Tramp, Xhon Boltoni, i cili gjithsesi nuk ka simpati ndaj zgjidhjeve të vendosura shumëpalëshe dhe zgjidhjeve të orientuara jo etnike nga periudha e Klintonit. Pikërisht ashtu siç e pranuan edhe disa qeveri në Bashkimin Evropian, të cilat vlerësuan se të gjitha paralajmërimet e njohësve të rrethanave në rajon janë të papërfillshme nëse, siç duket, pas ngecjes shumëvjeçare në të ashtuquajturin “procesin e normalizimit të marrëdhënieve” të Serbisë dhe Kosovës më në fund  mund të arrihet përparim i mirë.

Pse BE duhet t’i bëjë ballë shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë

Pse “zgjidhja” e propozuar në formë të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë nuk do ta çlironte rajonin, por vetëm do ta ashpërsonte edhe më shumë konfliktin e mundshëm?

1. Praktikisht hiqet dora nga parimi i Kosovës shumëetnike i përcaktuar me Planin paqësor të Kombeve të Bashkuara për Kosovë (plani i Ahtisarit): Përderisa serbët e Veriut të Kosovës do t’i bashkoheshin Serbisë, ata serbë që jetojnë të shpërndarë nëpër pjesët e tjera të vendit do të bëheshin objekt  i manipulimit në të dyja anët. Do të kishin mbështetjen edhe më të vogël për integrim të plotë si shtetas të Kosovës. Dhe pa një integrim të tillë pozicioni i tyre i palakmueshëm shoqëror dhe ekonomik nuk do të përmirësohej, gjë që përsëri do të shpiente deri te emigrimi i pashmangshëm i brezit të ardhshëm. Shkëmbimi i territoreve midis Serbisë dhe Kosovës më pas do ta shlyente njollën e politikës së tokës së djegur të Millosheviqit dhe idesë për krijimin e  hapësirës së pastër etnike, pasi që pikërisht në këtë moment Bashkimi Evropian dhe SHBA në një mënyrë groteske po përhapin dhe po i mbështesin recetat e tilla nga e kaluara.

2. Shkëmbimi i territoreve nuk do ta zgjidhte asnjë nga problemet zhvillimore të rajonit, të shkaktuara nga sundimi autoritar dhe korrupsioni i rëndë. Përkundrazi, një mundësi e këtillë është në kundërshtim me përpjekjet e tjera të BE që të zbatohen reformat dhe bashkë me këtë po zmadhon mitin për “udhëheqësit e mëdhenj kombëtarë”, të cilët si “garanci të stabilitetit” po ngriten mbi “kritikat meskine” të kundështarëve të vet për situatën jodemokratike në vend. Sapo  që vlerësojnë se interesat dhe fuqia e tyre janë në rrezik, edhe në të ardhmen – të mbështetur  me një  “marrëveshje të këtillë pajtimi”  – do të gjejnë “detyra të rëndësishme kombëtare” për zgjidhjen e të cilave interesat e tjera do të humbin rëndësinë që kanë. Njëkohësisht një marrëveshje e tillë do të mbetej në shenjë të vendimit jodemokratik, i zbatuar në mënyrë autoritare pavarësisht nga vullneti i shumicës së shoqërisë.

3. Ndryshimi i kufijve sipas parimeve etnike po u dërgon sinjale dëmsjellëse shteteve fqinje, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë Veriore. Nuk është gjë e papritur që anëtari serb i kryesisë së BeH, Milorad Dodiku, është një nga sponsorët në lobim ndërkombëtar për “shkëmbimin e territoreve”: Sepse nëse bashkësia ndërkombëtare e jep pëlqimin që serbët e Veriut të Kosovës“ të sillen në shtëpi në Serbi”, atëherë çfarë e ndalon atë që edhe ai Republikën “e vet” Serbe ta marrë me vete në shtëpi nga Bosnja e Hercegovina e padashur? Tashmë vite me radhë Dodiku po luan me projektin e quajtur shkëputje, kurse Bashkimi Evropian, i lodhur nga provokimet e shumta, po ia tërheq vërejtjen  me një interesim gjysmak.

Mbetet e paqartë edhe se si do të reflektohej marrëveshja e shkëmbimit të territoreve ndaj  shqiptarëve në Maqedoninë Veriore: Pse atyre, të cilët megjithatë e përbëjnë një të tretën e popullsisë në vend, do t’u mohohej mundësia që të bashkohen me vëllezërit dhe motrat sipas parimit etnik nga ana tjetër e kufirit? Dhe tani kur jemi te parimi i  ndarjes etnike: Çfarë e parandalon në një afat të gjatë  rindarjen e pjesës jugore të Ballkanit Perëndimor midis “popujve të mëdhenj”, serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve, ndarjen në të cilën më vonë do të gjendej edhe ndonjë zgjidhje për “të tjerët” (boshnjakët, maqedonasit...)?

4. Nuk dihet as çfarë pasojash do të kishte precedent në formë të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë me bekimin e dhënë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në konfliktet në territoret e tjera në Evropë: A do ta kuptonte këtë Viktor Orbani si inkurajim që  korrigjimin e “Turpit trianon” ta shprehte  si program politik? A do ta shfrytëzonte rastin Vladimir Putini, pasi që e ktheu në shtëpi Krimenë, të fillojë edhe “korrigjimet e tjera të kufijve me pëlqim të dyanshëm” në Ukrainën Lindore? A do të vinim atëherë përsëri në të ardhmen deri te konsensusi i shumicës që shtetet me popullsi shumëetnike megjithatë janë përjashtim të cilit duhet t’i shmangemi?

Bashkimi Evropian nuk ka asnjë arsye kuptimplotë që të heqë dorë nga parimet e veta dhe të marrë mbi vete një rrezik kaq të madh  për një “zgjidhje” të dyshimtë dhe vështirë të qëndrueshme midis Serbisë dhe Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe, më në fund, njohja e Kosovës nga ana e Serbisë është tepër e rëndësishme, por nuk është as qëllimi i vetëm as në plan të parë në procesin e asocimit të këtyre dy vendeve në Bashkim Evropian. Plani i Ahtisarit për Kosovën dhe marrëveshja e BE-së me Serbinë, përkatësisht Kosovën, japin orientime të cilave BE duhet t’u përmbahet me durim dhe në mënyrë të qëndrueshme, edhe përkundër goditjeve dhe zhgënjimeve të shumta gjatë viteve të kaluara:

  • Barazia e plotë ligjore dhe politike dhe integrimi i të gjithë qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës dhe të Serbisë pa e marrë parasysh origjinën etnike.
  • Reformat kryesore të sistemit të drejtësisë dhe të  pushtetit ekzekutiv.
  • Parandalimi i partokratisë dhe sundimit të klaneve përmes reformës së sistemit zgjedhor dhe administratës publike.
  • Liria e garantuar e fjalës dhe liria e mediave.

Bëhet fjalë për kredibilitetin e Evropës.

 

* Me marrëveshjen e Trianonit (Trianoni i madh, Paris) pas Luftës së Parë Botërore u rregullua shkëputja e pjesëve të tjera të Mbretërisë Hungareze dhe bashkimi i tyre shteteve fqinje dhe shteteve pasardhëse.

Povezani sadržaj

  • Srbija-Kosovo: Etnopolitička eskalacija u najavi?

    Balkanu prete nove „korekcije granica“ i pregovori o teritorijama prema upitnim etničkim kriterijumima – i to na podstrek Trampove administracije i uz saglasnost EU. Ali razmena teritorija između Srbije i Kosova samo bi zaoštrila konfliktni potencijal.

    Autor/ka Valter Kaufman