Zgjedhjet në Kosovë: Krizë e parë edhe më herët

Zgjedhjet në Kosovë: Krizë e parë edhe më herët

Creator: Vegim Zhitija. Creative Commons License LogoOva slika je pod Creative Commons License licencom

Zgjedhjet e treta parlamentare dhe njëkohësisht të jashtëzakonshme pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosovës në përgjithësi nuk i sollën asgjë të re në krahasim me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014 - të paktën jo kur bëhet fjalë për rezultatet të cilat (nuk) ofrojnë kushte për formimin e qeverisë së re dhe stabile. Për ata më pak të informuar, rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit mund të shpjegohen më së miri përmes krahasimit me titullin e filmit të njohur nga Jugosllavia e dikurshme: "Tashmë u pa". Koalicioni i përbërë nga partitë politike me histori lufte (i ashtuquajturi krah i luftës), të cilin e drejton Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e fitoi numrin më të madh të votave, rreth 33 për qind, por kjo as për së afërmi nuk mjafton për të krijuar qeverinë e vetme. Në vendin e dytë ndodhet Vetëvendosja me rreth 27 për qind, kurse koalicioni i qendrës së djathtë, të cilin e drejton Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndodhet në vendin e tretë me rreth 25 për qind të votave.  

Koalicioni të cilin e drejton PDK është fitues, por kjo është fitore e Pirros pasi koalicioni nuk mund të marrë pushtetin, sepse për këtë i duhen votat e partisë së dytë dhe të tretë sipas renditjes. Vetëvendosja dhe LDK tani për tani në mënyrë kategorike e refuzojnë idenë që të formojnë qeveri me "krahun e luftës". Në anën tjetër, ato munden lehtë të krijojnë vetë koalicion, pasi që për këtë e kanë shumicën e duhur dhe nuk iu duhen as mandatet e deputetëve të partive pakicë, në të cilët PDK llogarit seriozisht. Por, për të formuar qeverinë, Vetëvendosja dhe LDK duhen të fitojnë mandatin edhe nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Përndryshe, ai është themelues i PDK-së, zemra e të cilit (por edhe fati politik) është i lidhur në mënyrë të pandarë me folenë e tij partiake, edhe pse zyrtarisht u tërhoq nga pozita e kryetarit të partisë kur u zgjodh në pozitën e presidentit të Kosovës.  

Dhe kjo është ajo që situatën pas zgjedhjeve të reja parlamentare e bën të njohur, pothuajse identike me atë të vitit 2014. Ajo është aq e ndërlikuar saqë tani mbizotëron mendimi që nuk ka zgjidhje dhe që rezultatet e zgjedhjeve mund të sjellin deri te zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare.  

Koalicioni i pazakonshëm

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura para pak kohe në Kosovë do të mbahen mend për nga koalicionet e pazakonta. Më i pazakonshëm ishte ai në të cilin nën një flamur u bashkuan partitë themeluese të të cilave janë figurat më prominente të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në krye të bllokut ndodhet PDK, kurse në përbërje të tij janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt, i cili u propozua për kryeministër, si dhe Nisma për Kosovë e Fatmir Limajt. Për herë të parë në histori të zgjedhjeve parlamentare që nga fundi i luftës në vitin 1999, luftëtarët e dikurshëm të UÇK-së u bashkuan në një front të njëjtë. Kjo gjithashtu ishte mundësi për të bërë referendumin e parë kombëtar shqiptar i cili do t'ua mundësonte qytetarëve që të tregonin se çfarë mendonin për liderët e dikurshëm ushtarak si elitë politike dhe pushtetin e tyre të pasluftës në Kosovë. Më vonë do të shihet që ata këtë mundësi e kanë shfrytëzuar shumë mirë.  

Bashkimi i tri partive "të luftës" në koalicion të përbashkët shkaktoi befasi në publik pasi që dihet që AAK e Haradinajt dhe Nisma e Limajt nuk kanë raporte të mira me PDK-në dhe me ish-shefin e saj Hashim Thaçin.  

Kjo është arsyeja përse vëzhguesit  e vlerësuan këtë koalicion si jo të natyrshëm, pasi që brenda vetes dallon aq sa dallon edhe nga pretenduesit e tjerë në zgjedhje. Në këtë rast pushteti ishte shtytës kryesor i cili iu ndihmoi që t’i harronin armiqësitë e mëparshme. 

Koalicioni i drejtuar nga LDK nuk ishte aq heterogjen sa ai i PDK-së, por as ai nuk u shqua për afërsi të madhe politike të anëtarëve të vet. LDK hyri në koalicion parazgjedhur me Aleancën për Kosovën e Re (AKR) të Behxhet Pacollit, manjanit të ndërtimtarisë "i cili peshon" disa qindra milionë, dhe sot konsiderohen kosovari më i pasur. Partnerët e tjerë të koalicionit rreth LDK-së ishin Lëvizja për Drejtësi (LD), e cila mbërrtheu islamin modern, dhe partia e re Alternativa. 

Anëtari i tretë i treshës së madhe zgjedhore ishte Vetëvendosja, por jo ajo të cilën u mësuam ta shihnim, që rrokulliste kontejnerë dhe kamionë me mallra nga Serbia apo hidhte koktej mollotovi dhe gaz lotësjellës në ndërtesën e qeverisë dhe të parlamentit. Ishte shumë e qartë që kjo parti - duke vlerësuar me të drejtë që po vjen koha e saj dhe që tani duhet pasur si "grup referimi" votuesit e pavendosur apo ata të cilët ishin të zhgënjyer me PDK dhe LDK - filluan revolucion të brendshëm dhe proces të adaptimit me të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe jo vetëm me të rinjtë rebelues sikurse deri më tani. Kjo shihej duke filluar nga veshja dhe kalimi nga xhinset dhe bluzat në kostume moderne të Albin Kurtit, si dhe dalja e tij në fushatë së bashku me bashkëshorten, deri te programi zgjedhor premtimet sociale të të cilit ishin të fiksuara për të tërhequr të varfërit dhe të papunët (si kategoritë më të mëdha në Kosovë). Rezultati i zgjedhjeve tregoi që patën të drejtë. Dolën në vendin e dytë.

Në anë tjetër, PDK e cila është e para, individualisht si parti që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës asnjëherë nuk kaloi më keq dhe asnjëherë nuk mori vota më pak. Pak më mirë kaloi LDK, por për herë të parë në histori kaloi nga vendi i dytë në vendin e tretë për nga numri i votave të fituara.  

 

Oferta e zbehtë

Nëse do të krijohej lista e renditjes së kandidatëve më pak bindës gjatë fushatës zgjedhore, atëherë pa dyshim Haradinaj do ishte në vend të parë. Paraqitjet e tij para votuesve, fjalimet dhe argumentet e tij tingëlluan të vakëta dhe të zbehta. Përse? Pasi që i mungoi arma më e fortë - kritika e ashpër ndaj regjimit përmes së cilës mbahej mend si njëri nga liderët kryesor të opozitës. Ju kujtohet vetëm kundërshtimi i tij ndaj ratifikimit të marrëveshjes për ndarje të kufirit me Malin e Zi, duke  kundërshtuar edhe më ashpër se sa Vetëvendosja.  Nëse Haradinaj, për shkak të gabimeve dhe keqpërdorimeve me të vërtetë duhet të sulmojë dikë me tërë forcën gjatë fushatës parazgjedhore, atëherë ky është partneri kryesor i koalicionit të tij - PDK, të cilit, thënë drejt, mund t'i drejtohen akuzat kryesore për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot Kosova.  (Me këtë assesi nuk duhet të zvogëlohet përgjegjësia e LDK-së, e cila pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, nga partia kryesore u bë vartëse e PDK-së dhe në këtë mënyrë e solli veten në pozitë që të mos amnistohet kur të vijë "dita e kijametit" për t'i larë mëkatet.)

Gjeneral Haradinaj duke hyrë në koalicion me PDK-në me vullnetin e vet pranoi që të çarmatoset. E humbi "armikun" ndaj të cilit duhej të tregonte aftësinë komanduese për drejtimin me sukses të vendit. E udhëhoqi betejën zgjedhore pa artilerinë më të rëndë. Më shumë provoi që t’i frymëzonte ushtarët me emrin dhe aureolën e vjetër se sa përkrahjen taktike të armës më të fortë e cila mund t'i garantonte fitore. Prandaj e pati fushatën e përgjithësuar dhe jo mirë të artikuluar.  

As kandidati për kryeministër i koalicionit të LDK-së, Avdullah Hoti, nuk do të mbahet mend për fushatë të fortë. Nuk është befasi. Bëhet fjalë për ministrin e financave në largim dhe profesorin e universitetit, i cili hyri rastësisht në politikë dhe në bazë të rrethanave mbeti po aty. Hoti nuk është profil i kandidatit për të cilin në Kosovë votohet tradicionalisht. Megjithatë, ai e udhëhoqi fushatën në mënyrë të drejtë dhe akademike, duke mos siguruar vota shtesë të votuesve të pavendosur, por edhe duke mos e rrezikuar bazën e votuesve të cilët tradicionalisht votojnë për LDK, me Rugovën në krye të saj ose pa të. Nëse jo për rezultatet në zgjedhje, Hoti do të mbahet mend për punën e bërë mirë në njërën nga ministrit më të ndjeshme: gjatë mandatit të tij, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, u vendos disiplinë në arkën e shtetit dhe në fonde të tjera publike të cilat më nuk mund të trajtohen si xhep i huaj në të cilin secili mund ta fusë dorën aq sa do, pa dhënë llogari për këtë.

Kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër ishte Albin Kurti, themelues i Lëvizjes, "Che Guevara" i dikurshëm kosovar, lider i pabindur i studentëve dhe njëri nga "të burgosurit më të njohur të ndërgjegjës" nga koha e regjimit të tmerrshëm serb në Kosovë. Të vetëdijshëm që popullariteti iu rrit dukshëm për shkak të guximit (të padukshëm te të tjerët) për t'ia thënë troç në fytyrë Thaçit çdo gjë që mendojnë për regjimin e tij, si dhe që t'i kundërvihen seriozisht (edhe me gaz lotësjellës në parlament). Vetëvendosja para zgjedhjeve vendosi të "qetësohet" edhe të "qytetërohet" në luftë për pushtet. Për ata me kujtesë më të gjatë, ishte interesante të shihej Kurti me shoqe e shokë të cilët pothuajse deri dje i rrokullisnin furistradat e UNMIK-ut apo me ngjyrë i godisnin përfaqësuesit e regjimit, se si e bënin fushatën në bazë të rregullave moderne evropiane të PR-it, me platformë socialdemokrate dhe krijim të shpresës që do të jetë më mirë nëse ata do të vijnë në pushtet në këtë vend tashmë të zhgënjyer. Me imazhin e liderit të pakorruptuar, votuesit i prekën pikërisht aty ku ishin më të ndjeshëm, duke iu premtuar çrrënjosjen e së keqes së korrupsionit e cila e zuri Kosovën si një oktopod. Përpos kësaj, premtuan edhe drejtësi për të gjithë, vendosje të rendit dhe ligjit në shoqëri, kujdes social për kategoritë më të goditura si dhe përgjegjësi për keqpërdorimet, sidomos vjedhjen e pamëshirshme të burimeve të shtetit. Maja e malit qe premtimi që ajo çfarë është vjedhur do të nacionalizohet. Dhe suksesi nuk mundi të mungonte. E zunë vendin e dytë, e shënuan për nga përqindja rritjen më të madhe të numrit të votuesve dhe nëse mund t'ju besohet rezultateve jozyrtare individuale sipas numrit të votave të cilin e fitoi secila parti për vete dhe për koalicion, u bënë partia me numër më të madh të votave në Kosovë. 

 

Fenomeni Vetëvendosje

Koalicioni i luftës i drejtuar nga PDK fitoi më së shumti vota - rreth 240.000, që është për 50.000 më shumë nga Vetëvendosja në vendin e dytë dhe 60.000 më shumë se sa koalicioni me LDK-në në krye. Edhe pse rezultatet individuale për secilën parti nuk do të publikohen zyrtarisht - pasi që publikohet rezultati total për secilin koalicion, përveç Vetëvendosjes dhe disa partive të tjera të vogla të cilat garuan vetëm - sipas rezultateve individuale të cilat secila parti i paraqet për vete, doli që AAK dhe Nisma e ruajtën numrin e votuesve të vet. Nëse kjo është e vërtetë, del që PDK i fitoi vetëm 100.000 vota, që do të paraqiste, edhe përkundër rezervave ndaj numërimit individual të numrit të votave, befasinë më të madhe të zgjedhjeve të 11 qershorit. Sa për krahasim, PDK në zgjedhjet e 2014 dhe në koalicion me disa parti më të vogla (të cilat nuk kanë peshë të madhe te votuesit dhe të cilat i fituan disa dhjetëra mijëra vota) i fitoi  rreth 222.000 vota. Kjo mund të thotë që PDK nga viti 2014 e humbi gjysmën e votuesve, përkatësisht që më 11 qershor i fitoi pothuajse aq vota sa humbi nga viti 2014: rreth 100.000. Rezultatin katastrofal individual i PDK-së në raport me rezultatet e mëparshme e konfirmon edhe vlerësimi që nga 39 mandate deputetësh, në këto zgjedhja PDK i fitoi 21, apo 16 më pak se në vitin 2014. Koalicioni i udhëhequr nga LDK (pra së bashku me dy partnerët) i fitoi rreth 180.000 vota. Bazuar në vlerësim individual të secilës parti për numrin e votave të fituara, vlerësohet që LDK që nga viti 2014  i humbi 10.000 deri 15.000 votues, që nuk është ndonjë dënim i madh për "mëkatin" e bërë për shkak të "martesës" me PDK-në pas zgjedhjeve të parafundit.   

Sidoqoftë, Vetëvendosja mund të konsiderohet partia e parë individuale në zgjedhjet e fundit pasi  i fitoi 190.000 vota, që është për 90.000 vota më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2014, dhe mund të llogaritë në rreth 30 deputetë. 

Është vështirë që në këtë moment të analizohet në mënyrë të sigurt fenomeni Vetëvendosje, sidomos nëse kemi parasysh platformën e saj politike me primesa nacional-romantike dhe përpjekjet për bashkimin e Kosovës me Shqipëri. Për të qenë paradoksi  edhe më i madh, pas Serbisë, Vetëvendosja është kundërshtari më i madh i pavarësisë së Kosovës, por jo me qëllim të kthimit nën pushtetin e Beogradit por me idenë e bashkimit të saj me Shqipërinë. Nuk duhet, për këto arsye të përjashtohet mundësia që pas suksesit të Vetëvendosjes në masë të madhe qëndron i ashtuquajturi votim jo i drejtpërdrejtë, d.m.th., përcaktimi për atë parti jo për shkak të identifikimit me programin e saj por për të votuar kundër partive të cilat deri tani ishin në pushtet dhe mënyrës së deritashme të udhëheqjes në Kosovë. Gjithashtu, një faktor shumë i rëndësishëm i përcaktimit të votuesve për këtë parti mund të jetë edhe pastërtia politike dhe morale e djemve dhe vajzave të kësaj lëvizjeje. Mund të pajtoheni me ta apo jo, mund t’ju nevrikosin për mënyrën e kohëpaskohshme anakronike (madje edhe revolucionare) të menduarit dhe të vepruarit, por duhet treguar respekt për pastërtinë e tyre morale, pasi nuk kanë afera, skandale dhe keqpërdorime korruptuese.      

 

Rezultati pa rezultat

Rezultatin e zgjedhjeve të paradokohshme vëzhguesit tashmë e shpallën "rezultat pa rezultat". Askush nga "treshja e madhe" nuk mund ta formojë vetë qeverinë dhe secili prej tyre mund të marrë pjesë në mënyrë vendimtare në formimin e saj, por vetëm përmes koalicionit me njërin nga dy anëtarët e tjerë të këtij grupi. Koalicioni i drejtuar nga PDK meriton të fitojë rastin të formojë qeverinë e re pasi që Kushtetuta në mënyrë të qartë e përcakton që kjo është e drejtë e partisë me numrin më të madh të votave në përpjekjen e parë. Pyetja është, do të jenë Vetëvendosja dhe LDK[1] të gatshme të hynë në një aventurë të tillë. 

PDK ishte parti udhëheqëse në dy qeveritë paraprake. Dy herë  ishte aktere e rënies së parakohshme të qeverisë dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, kurse i la në baltë edhe partnerët e atëhershëm të koalicionit. Për shkak të kësaj, askush më nuk i beson që të bëjë pazar me ta pas votëbesimit të tretë të qeverisë dhe shpalljes së zgjedhjeve të 11 qershorit. Në radhë të parë, LDK tregoi rezistencë të madhe ndaj koalicionit të mundshëm të ri me PDK-në pasi e  pagoi çmimin për krijimin e shumicës së deritanishme parlamentare për partinë e Thaçit. Rezistenca e përgjithshme e opozitës ndaj PDK-së është e forcuar edhe përmes politikës së theksuar kundër-PDK-së, të cilën tashmë me vite e demonstroi Vetëvendosja, e cila mund të hyjë në koalicion me PDK-në vetëm nëse përcaktohet për vetëvrasje politike.   

LDK dhe Vetëvendosja nuk janë të afërta dhe koalicioni i tyre i mundshëm është i mundur vetëm pasi në radhë të parë i bashkon "armiku" i përbashkët dhe animoziteti ndaj PDK-së dhe pasi që duan me etje ta shohin partinë e dikurshme të Thaçit në opozitë. Në kombinim me raportet të cilat mbizotërojnë te grupet kryesore politike në Prishtinë, rezultatet e zgjedhjeve të fundit shkojnë më shumë në favor të Vetëvendosjes dhe LDK-së se sa PDK-së, prandaj disa vëzhgues përfunduan që këto dy parti janë "fituese" të vërteta të zgjedhjeve, pasi që numri më i madh i votave (dhe mandateve) të cilat i fitoi koalicioni i PDK-së nuk shërbejnë për asgjë tjetër përveç që pa konkurrencë të jenë forcë kryesore opozitare në mandatin e ardhshëm.

Koalicioni të cilin e drejton PDK, i cili jozyrtarisht i fitoi 39 mandate deputetësh, ka mundësi teorike që të arrijë numrin famoz prej 61 votash në parlament dhe ta formojë qeverinë edhe me dhjetë mandate deputetësh të Listës Serbe dhe 10 të tjerë të cilët u përkasin pakicave joserbe, si dhe disa deputetë "fluturues" nga Vetëvendosja dhe LDK, të cilët mund të "binden" që të votojnë për Haradinajn kryeministër vetëm nëse u premtohen pozita të ambasadorëve apo milionat nga buxheti publik.

Qeveria e tillë në të cilën Vetëvendosja dhe LDK janë opozitë, kurse PDK dhe deputetët serbë në pushtet, nuk mund të ketë asnjë lloj stabiliteti, duke marrë parasysh lojalitetin absolut të Listës Serbe ndaj Beogradit, i cili i shndërroi në marioneta. Për shembull, do të jetë mjaft që Prishtina vetëm njëherë ta nervozojë Beogradin - ta ndalojë vizitën e  Marko Gjuriqit në Kosovë - në mënyrë që t’i votohet mosbesimi. Thjesht, qeveria e koalicionit në Kosovë, shumica e së cilës ka vartësi jetike ndaj Listes Serbe, do të ishte ndonjë formë hibridi i qeverisë së Beogradit dhe Prishtinës, në parlament do të hynte faktori i Beogradit dhe më asgjë në Kosovë nuk do të ishte si më parë. 

 

Faktori Thaçi

Kriza politike gjashtëmujore, e cila mbizotëroi për shkak të situatës identike pas zgjedhjeve të vitit 2014, la pas vetes një rashomon të vërtetë në të cilin më asgjë nuk është e qartë dhe asgjë nuk mund të shërbejë si mostër për zgjidhjen e situatës së porsakrijuar. Gjykata Kushtetuese për shkak të krizës parlamentare të vitit 2014, me një sërë vendimesh dhe komentesh politike e krijoi bazën ligjore sipas së cilës partia apo koalicioni me numër më të madh të votave në zgjedhje (pra PDK, edhe atëherë edhe tani) pothuajse padyshim ka të drejtë të formojë qeverinë, dhe jo partia apo koalicioni me shumicën e garantuar parlamentare. Fakti që partia me numrin më të madh të votave nuk e ka edhe numrin më të madh të deputetëve, atëherë nuk u mor si kriter për të përcaktuar se kujt duhet besuar mandati për formimin e qeverisë. Si presidente e butë, Atifete Jahjaga e cila nuk pati kurajo që në bazë të së drejtës në diskrecion të cilën ia siguron Kushtetuta, dhe përkundër qëndrimeve të mjegullta të Gjykatës Kushtetuese, mandatin t'ia ofrojë opozitës së bashkuar, e cila e pati numrin e mjaftueshëm të mandateve për të krijuar qeverinë dhe dërguar PDK-në në opozitë, kriza mund të bllokonte tërë sistemin shtetëror, duke ia hapur rrugën kaosit total. Pas presionit nga Perëndimi, LDK e braktisi frontin opozitar dhe kaloi në anën e PDK-së, duke e formuar me të qeverinë.   

Në kuptimin hipotetik, kur qeveria me PDK-në në krye të kthejë mandatin e parë të kryeministrit pasi që askush nuk dëshiron ta ndajë mandatin me të, Thaçi është i obliguar që për herë të dytë (dhe të fundit) të emërojë mandatarin. Sikurse në vitin 2014, edhe tani ky do të jetë moment vendimtar i zgjidhjes - apo ndërlikimit të ri - pasi që me të drejtë supozohet që mandati i parë i dhënë Haradinajt do të kthehet nëse koalicioni i PDK-së nuk do të jetë në gjendje që ta kthejë në anën e vet Vetëvendosjen apo LDK-në. Vendimi për mandatarin e dytë është drejtpërdrejt në duart e Thaçit, i cili si kryeministër në largim në zgjedhjet e parafundit ishte nxitës i situatës kaotike për të parandaluar largimin e PDK-së nga pushteti. Do të ngrihet ai tani si president i të gjithë kosovarëve mbi afinitetet politike dhe të lejojë që partia e tij të shkojë në opozitë duke ua besuar mandatin partive kryesore të opozitës në raundin e dytë, përkatësisht atyre të cilat mund ta bëjnë këtë pa problem, qëndrimi nënshtrues ndaj Listës Serbe (Beogradit) apo dhënia e mitos për deputetët e palës tjetër? Kjo është e vështirë të besohet kur të merret parasysh oreksi i Thaçit për pushtet i cili e ktheu në politikan më të fuqishëm të sotëm në Kosovë, por edhe hija e Gjykatës Speciale e cila ngadalë por me siguri me vite po bie mbi Kosovën, por assesi nuk po jetësohet. 

Vendimi që qeverinë t'ju dorëzojë kundërshtarëve më të ashpër politik (Vetëvendosjes) apo partnerëve të dikurshëm politik të tradhtuar dhe në zemër të goditur (LDK), Thaçin do e bënte shumë të lëndueshëm dhe në afat të gjatë jashtëzakonisht të pasigurt, pasi që Vetëvendosja i përmbahet si një mantre insistimit që dikush (lexo Thaçi) duhet të japë llogari për degradim, të cilin Kosova e pavarur e përjetoi në kohën kur duhej të lulëzonte, gjendjen e tmerrshme në ekonomi, arsim, shëndetësi, privatizim, kompani publike si dhe për krim dhe korrupsion në strukturat shtetërore. Nëse arrin që të ushtrojë pushtetin me efikasitet, është e vështirë të pritet që Vetëvendosja të lëshojë mundësinë më të mirë deri më tani për ta goditur politikanin të cilin e vlerëson fajtor kryesor për prapambetjen e vendit që nga pavarësia deri më tani. 

Si mund të anashkalojë Thaçi dhënien e mandatit koalicionit të mundshëm të Vetëvendosjes me koalicionin e LDK-së? Shumë lehtë, pasi që e gëzon të drejtën e diskrecionit që pas mandatit të parë të pasuksesshëm për formimin e qeverisë, mandatin t’ia ofrojë ose partisë së njëjtë ose koalicionit të cilit kjo nuk i shkoi për dore në raundin e parë - në këtë rast me një mandatues në ri në vend të Haradinajt - apo që këtë të drejtë t’ia ofrojë dikujt tjetër që mund të garantojë që ka 61 apo më shumë nënshkrime të deputetëve për formimin e qeverisë së koalicionit. 

Qëllojani pra se kujt do t'ia japë Thaçi besimin e mandatuesit për krijimin e qeverisë. 

Për shkak të "drejtimit" me sukses të krizës parlamentare pas zgjedhjeve në vitin 2014, PDK dhe sistemi kushtetues-gjyqësor të cilin kjo parti e kontrollon, kanë përvojë të mjaftueshme që t'iu mundësojë atyre të cilët kanë më shumë se sa numër të mjaftueshëm të mandateve ta krijojnë qeverinë. Në këtë mënyrë, vazhdon kriza, por me diferencë të madhe në krahasim me vitin 2014. LDK si faktori më labil i opozitës ndaj PDK-së e mori leksionin e hidhur nga flirtimi me PDK-në, pasi kjo i ra kokës.   

Pra, në cilin drejtim të vazhdojë situata dhe kriza gjithnjë e më e mundshme politike në Kosovë? Si përfundim më i mundshëm imponohen zgjedhjet e reja (të katërtat me radhë) të parakohshme parlamentare. Kjo nuk do të ndodhë menjëherë, pasi që përmes manovrave politike dhe gjyqësore do të vazhdojë blerja e kohës - që është njëri nga caqet kryesore të atyre të cilët para disa muajsh erdhën deri te ideja e nxitjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për të shtyrë sa më shumë që është e mundur kafshatën jashtëzakonisht të hidhur të cilën Kosova duhet ta gëlltisë së shpejti: problemin e Gjykatës Speciale. 

 

Haga si „gjenerator“ i krizës

Sipas kësaj teorie, shkaktimi artificial i zgjedhjeve të parakohshme ishte i motivuar me blerjen e kohës, apo shtyrjen e fillimit të mandatit të kësaj gjykate dhe të prokurorisë së saj referuese, të cilat duhet të fillojnë të ngrenë aktakuza. Përmes zgjedhjeve është provuar stabilizimi i fuqisë politike për katër vjetët e ardhshme për ata të cilët mund të preken nga gjykata, si dhe hapja e hapësirës për pazare me faktorët ndërkombëtarë prapa skenave, në të cilat ata në Prishtinë të cilët nuk ndihen të sigurt në lidhje me atë nëse janë në listën e Gjykatës Speciale apo jo, do të paraqiteshin si qeveri e zgjedhur për katër vjetët e ardhshme dhe si faktor i vetëm i garantimit të stabilitetit dhe paqes në Kosovë. Përveç kësaj, ata do të ishin përgjegjës për plotësimin e drejtë "të detyrave të shtëpisë" të cilat u janë caktuar nga jashtë - ratifikimi i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, vazhdimi i dialogut me Serbinë, krijimi i bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, krijimi i ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo ndryshimit të ligjeve. Teori dhe shpjegime të tjera racionale pse e rrëzoi PDK veten nga pushteti - nuk ka.  

Sidoqoftë, për shkak të kaosit aktual parlamentar-zgjedhor në Kosovë, Gjykata e Hagës për shumë kohë nuk do të jetë në gjendje që të ngrejë aktakuzat e para, kurse Gjykata Speciale nuk do të jetë në gjendje të filloj asnjë lloj gjykimi. Hapat e tillë në atmosferën e tendosur e cila mbizotëron tani në Kosovë, do mund të interpretoheshin si përzierje e tyre në krizën paszgjedhore apo edhe qëndrim kundër njërës anë (të akuzuarës) dhe marrja e anës tjetër (kundërshtare). Në Prishtinë askush seriozisht nuk e përjashton mundësinë e trazirave pas ngritjes së aktakuzave dhe arrestimit të të dyshuarve të parë, edhe në një situatë stabile politike. Natyrisht, një hap i tillë i Hagës do të ishte shumë më i rrezikshëm në kushtet e emocioneve të forta të cilat mbizotërojnë jo vetëm në Prishtinë në lidhje me krijimin e qeverisë së re. Kjo tregon se sa patën të drejtë ata të cilët shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme vetëm para një viti të mbajtjes së tyre të rregullt, sikurse edhe rrëzimin e vetvetes nga pushteti si diçka politikisht unike, e komentuan si "konspiracion" kundër Gjykatës Speciale.    

Kriza pas zgjedhjeve parlamentare e vitit 2014 zgjati gjashtë muaj dhe mezi u zgjodh me ndihmën dhe presionin nga jashtë. Duke pasur parasysh përvojën "e vlefshme" të cilën protagonistët e atëhershëm (dhe të tanishëm) e krijuan në "menaxhimin" e krizave dhe punëve të këtij lloji, nuk do të ishte çudi që edhe kjo e tanishmja të zgjatë po aq. 

Për dallim nga e kaluara, kriza e tanishme ka edhe një mundësi të madhe dhe deri më tani të pashfrytëzuar për rigjenerim: shpallja e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme pas gjashtë muajsh.

 

 

[1] Nevojitet vetëm njëri prej tyre, sepse në formulën në pushtet, përkatësisht në numrin e përgjithshëm prej 61 votave të deputetëve që i numëron 120 vende, hyjnë edhe 20 vende të partive pakicë.