Llogaritja e re e kohës për drejtësinë në Kosovë

Llogaritja e re e kohës për drejtësinë në Kosovë

Creator: Marco Fieber. Creative Commons License LogoOva slika je pod Creative Commons License licencom

Kalimi nga viti 2016 në 2017 në Kosovë nuk do të shënojë vetëm kalimin nga viti i vjetër në të riun. Nga një janari do të bëhet operative Gjykata Speciale me seli në Hagë, e cila ka për detyrë të hetojë dyshimet për krimet të cilat u bënë kryesisht ndaj civilëve serbë dhe civilëve të kombësive të tjera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Historia se si u formua kjo gjykatë pak a shumë është e njohur për të gjithë. Pas zbulimit sensacional të ish-hetueses kryesore të Gjykatës së Hagës Karla Del Ponte, i publikuar në vitin 2008 në memuaret e saj ("The Hunt" - Gjahu), që Tribunali i Hagës kishte njohuri për rrëmbimet masive në fund dhe pas luftës në Kosovë, raportuesi special i Këshillit të Evropës Dick Marty e zhvilloi hetimin në fund të vitit 2010 i cili rezultoi me raportin shokues në 27 faqe[1] në të cilin pohohet që rreth 500 civilë (rreth 400 joshqiptarë, kryesisht serbë, por edhe romë, dhe rreth 100 shqiptarë) u rrëmbyen në Kosovë pas vendosjes së KFOR-it dhe që një numër i papërcaktuar i tyre u soll në mënyrë sekrete në Shqipëri që t’u nxirreshin organet. Këshilli i Evropës e aprovoi këtë raport në fillim të vitit 2011 duke i dhënë në këtë mënyrë besueshmëri të madhe ndërkombëtare, pasi pas tij qëndronte jo vetëm organizata më e madhe evropiane por edhe organi i cili konsiderohet si mbrojtës ekskluziv i të drejtave të njeriut në Kontinentin e Evropës. Me aprovimin e raportit të Martyt, Këshilli i Evropës kërkoi "hetim të pavarur për të zbuluar të vërtetën e plotë për këto pohime". Ishte ky një sinjal që të nxitej mekanizmi për gjetjen e mënyrës për hetimin e këtyre pohimeve dhe sjelljes në gjykatë, si vendin e vetëm kompetent për përcaktimin e së vërtetës, fajit eventual dhe përgjegjësisë. Pas shumë negociatave për gjetjen e modalitetit të formimit dhe punës së kësaj gjykate, u vendos që të krijohet një gjykatë e posaçme në Kosovë, e cila në parim do të ishte pjesë e sistemit të gjyqësisë në Kosovë, por do vendosej jashtë Kosovës, dhe në të cilën do të angazhoheshin vetëm gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë. Selia e gjykatës u vendos të jetë, ku tjetër përveç atje - në Hagë - selinë ndërkombëtare të drejtësisë. Të hollat për funksionimin e saj i gjeti, kush tjetër përveç ai - Bashkimi Evropian, kurse frerët e tij (posaçërisht ata prokurorialë) i mbajnë, kush tjetër përveç - amerikanëve. Maksima që drejtësia vonon por nuk harron u vërtetua edhe në këtë rast. Duhej të kalonin gjashtë vjet nga aprovimi i raportit të Martyt në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në mënyrë që të formohej Gjykata Speciale. Duke përfshirë edhe procesin ankimor, u vlerësua se Gjykata Speciale do të funksiononte rreth tetë vjet.  

Në këtë raport Marty si më të përgjegjshmit për krimet me të cilat merret Gjykata Speciale në mënyrë të drejtpërdrejtë e përmend shumicën e liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me në krye Hashim Thaçin, të cilët kanë qenë anëtarë Grupit të të ashtuquajtur të Drenicës i cili sot përbën shtyllën e klasës politike në Kosovë. "Ne kemi zbuluar që Grupi i Drenicës e kishte shefin e vet - apo, të përdorim terminologjinë e rrjetit të krimit të organizuar 'bosin' e vet - një operues politik me imazh dhe me siguri personalitetin ndërkombëtarisht më të njohur të UÇK-së, Hashim Thaçin", vlerësoi Marty.  

 

Gjykata hibride

Gjykata speciale në mënyrë formale (edhe zyrtarisht) nuk është gjykatë speciale penale siç ishin tribunalet penale ad hoc për ish-Jugosllavinë, Ruandën, Sierra Leonen apo Kamboxhian. Në thelb, bëhet fjalë për njësi të specializuara dhe prokurori të njëjta me ato të cilat janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por të cilat u zhvendosën nga Prishtina në Hagë. Në gjykatë dhe në prokurori do të punojë vetëm stafi ndërkombëtar. Këta janë të përkohshëm, kanë mandat saktësisht të posaçëm dhe të përcaktuar dhe janë përgjegjës për krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga 1 janari 1998 deri me 31 dhjetor të vitit 2000, të cilat, supozohet që janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së ndaj pakicave kombëtare, por edhe kundërshtarëve politikë në mesin e shqiptarëve. Rasti i " Shtëpisë së Verdhë" në veri të Shqipërisë, ku kinse iu hoqën organet të rrëmbyerëve është gjithashtu në mandatin e kësaj gjykate. Pasi që bëhet fjalë për Gjykatën e Kosovës, është dashur që ligji për formimin e saj të kalonte përmes Kuvendit të Kosovës[2], që ajo arriti ta bënte në gusht vetëm pas ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës[3]. Sipas ligjit, Gjykata Speciale do të punojë sipas ligjeve të Kosovës, por edhe së drejtës ndërkombëtare. Nuk do të varet nga instancat më të larta gjyqësore të Kosovë pasi që për kornizën e tij do të merret vendimi në nivelin e dytë ankimor. Arkivi dhe dokumentacioni i lëndëve të gjykatës do të mbahen jashtë Kosovës, sikurse edhe dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur dhe, sipas së gjitha gjasave, anonimë. Sidoqoftë, Gjykata Speciale paraqet precedencë. U mendua të jetë një gjykatë hibride kosovaro-ndërkombëtare, edhe pse në thelb kjo do të jetë vetëm gjykatë ndërkombëtare në të cilën Kosova mund të ndikojë sa edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (pra nuk ka fare ndikim). Megjithatë, Gjykata Speciale është formatizuar kështu që të mënjanojë çfarëdo përshtypjeje që bëhet fjalë për gjykatën speciale për krime të luftës përmes së cilës komuniteti ndërkombëtar e "gjykon një vend", siç ka qenë ky rasti me tribunalet e mëhershme ndërkombëtare; si dhe të krijojë bindjen që bëhet fjalë për projektin e përbashkët kosovaro-ndërkombëtar për zbulimin e së vërtetës për njërin nga raportet më shokuese ndërkombëtare për atë së çfarë ndodhi gjatë dhe pas luftës në Kosovë.   

Shtrohet pyetja se pse themeluesit e gjykatës (SHBA dhe BE) u përcaktuan për këtë format gjyqësor, për dallim nga ai tradicional që funksionoi gjatë themelimit të gjykatave speciale dhe me kompetenca ekskluzive dhe autentike ndërkombëtare për ndonjë vend të caktuar? Dy janë arsyet të cilat mund ta shpjegojnë formimin e Gjykatës Speciale sipas modelit hibrid kosovaro-ndërkombëtar. I pari kishte të bënte me ruajtjen e "fytyrës" së shtetit të porsaformuar, i cili u krijua si pjesë jo vetëm e projektit vendor por edhe ndërkombëtar që Kosova të ndahet nga Serbia, pasi që të insistuarit me këmbëngulje për zgjidhjen e krizës së Kosovës përmes Serbisë do të shpiente deri te lufta në mes tyre deri në shfarosje. Fakti që Kosova e pavarur është sa shqiptare po aq edhe ndërkombëtare, përkatësisht projekt përendimor, e përcaktoi në një masë të madhe formatin e kësaj gjykate. Kjo në masën më të madhe të mundshme e ruan dinjitetin kosovar në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Arsyeja e dytë ka të bëjë me pamundësimin e paraqitjes së raportit të Martyt para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që, përpos imponimit të formatit të tribunalit si model të krijimit të gjykatës përgjegjëse për Kosovë, do t'i hapte rrugë Rusisë që të ndikonte në mandatin dhe përbërjen e gjykatës, përfshirë edhe gjykatësit rusë para së cilëve do të mund të dilte dikush nga politikanët e sotëm të Kosovës. Zgjidhje solomoniane u gjet që Kosova ta formojë gjykatën, e cila për shkak të heqjes së dyshimeve për njëanshmëri por edhe për shkak të mbrojtes së dëshmitarëve do të vendoset jashtë vendit dhe do të ketë përbërje ndërkombëtare.

Në aspektin ligjor pra, Gjykata Speciale mbetet gjykatë kosovare edhe pse Kosova nuk do t'i shqiptojë dënimet. Një ditë, kur Gjykata Speciale të jetë pjesë e historisë edhe pa marrë parasysh nëse raporti i Martyt do të konfirmohet apo jo, do të mund të përfundohet që e vërteta për raportin e Martyt u zbulua falë gatishmërisë së Kosovës për të sakrifikuar një pjesë të sovranitetit shtetëror, përkatësisht gjyqësor. Duhet gjithashtu të kihet parasysh fakti që bashkësia ndërkombëtare e shtyu këtë projekt dhe që Kosova u bë padashje pjesë e tij. Madje, mund të konkludohet se ajo iu imponua Kosova nga jashtë. Në Kosovë kjo krijoi rezistencë të madhe ndaj kësaj gjykate, prandaj mund të thuhet që gjykata duhet të llogaritë në një mjedis armiqësor në shtetin i cili e krijoi. Duhet të brengosen thelemuesit dhe gjykata me këtë reagim duke marrë parasysh që kryeprokurori David Shvendiman gjatë vizitës në Beograd në nëntor tha se ai është i përkushtuar në drejtimin e këtij procesi i cili është "legjitim dhe i cili do të konsiderohet i tillë nga të gjithë me të cilët ka të bëjë zyra e prokurorisë"?[4] Para se të kërkohet përgjigje në këtë pyetje, ndoshta do të ishte më mirë të shtrohet pyetja nëse Kosova duhet te jetë e shqetësuar për shkak të disponimit të tillë armiqësor ndaj gjykatës, pasi sot ka më së paku nevojë për konfrontim me SHBA-të dhe BE-në.  

 

Moszbardhja shkaktoi  ndërkombëtarizim

Për Kosovën do të vijnë ditë të vështira kur para Gjykatës Speciale të ngriten aktakuzat në lidhje me krimet për të cilat flet raporti i Këshillit të Evropës. Kur mendohet për raportin dhe qasjen të cilën Kosova duhet ta ketë ndaj Gjykatës Speciale, gjëja e parë të cilën politikanët dhe partitë por edhe mediat dhe qytetarët duhet t’ia sqarojnë vetes është çështja se pse u vendos që drejtësia ndërkombëtare të marrë përgjegjësinë për të përcaktuar të vërtetën e raportit të Martyt, për të cilin sipas parimeve të vendit dhe lëndës përparësi kompetente pati Kosova? Përgjigjja në këtë pyetje është e thjeshtë: Kosova nuk i bëri detyrat e shtëpisë, nuk tregoi vullnet politik të fillonte hetimin e pavarur dhe efikas për pretendimet se ekzistojnë krimet monstruoze të luftës dhe krimet ndaj njerëzimit (të cilat nuk parashkruhen), prandaj kjo kompetencë kaloi në instanca ndërkombëtare. Fakti që gjyqësia ndërkombëtare merret me një çështje e cila është kompetencë e brendshme nuk është gjë e mirë për shtetin më të ri në kontinent, i cili është duke kërkuar vendin e vet nën qiellin evropian. Nëse dëshiron të bëjë hapa më të shpejtë deri në tryezën evropiane, atëherë Kosova duhet ta kuptojë që këto lloj problemesh nuk mund të zgjidhen duke i lënë anash apo duke mos i zbardhur, pasi që atëherë "ndërkombëtarizohen" dhe bëhet njollë e madhe në kostumin e shtetit i cili nuk është i gatshëm apo nuk është i aftë që të merret me to. Nëse do të ta merrte nismën vetë Kosova, të kishte krijuar një ekip hetues apo gjykatë speciale e cila do të ishte përgjegjëse për raportin e Martyt, të kishte arritur të bindte botën që e kishte pranuar me seriozitet dhe sikur të kishte reaguar ndaj raportit, askujt nga jashtë nuk do t’i binte ndërmend që të kërkonte përfshirjen e gjyqësisë ndërkombëtare në këtë punë. Mirëpo Kosova veproi ndryshe. Pas publikimit të raportit të Martyt, kryeministri i atëhershëm Thaçi, duke u ndjerë si cak kryesor i këtij raporti, paralajmëroi padi kundër raportuesit special të Këshillit të Evropës. Padinë nuk e paraqiti fare deri më tani. 

Dëshmitarët sfida më e madhe

Në Prishtinë ekzistojnë dy rryma të mendimit për atë se kush do të vihet në bankën e të akuzuarve në Hagë. Njëra thotë që do të jenë zyrtarët kosovarë, të cilët u ngritën në politikë duke iu falënderuar pjesëmarrjes së tyre në luftë dhe pozita komanduese në UÇK. Sipas këtyre mendimeve, raporti i Martyt është akuzë e drejtpërdrejtë me emra konkretë të pjesëtarëve të rrethit më të ngushtë të UÇK-së dhe në bazë të kësaj, i tërë projekti ndërkombëtar për formimin e Gjykatës Speciale nuk ka si të mos përfundojë pa "big bang", përkatësisht ngritjen e aktakuzave kundër të gjithëve të cilët përmenden në raportin e Martyt. Të tjerët pohojnë që nuk ishte e mundur të evitohej krijimi i Gjykatës Speciale pasi që raporti i Martyt nuk ishte më raport i një individi, përkatësisht u kthye në raport pas së cilit qëndron i tërë Këshilli i Evropës, por që të akuzuarit do të jenë komandantë rajonalë të UÇK-së përgjegjës për zonat në të cilat ndodhën rrëmbimet dhe zhdukjet masive. Të dy rrymat e konfirmojnë përshtypjen që asnjë projekt i ngjashëm i deritanishëm gjyqësor ndërkombëtar nuk ishte i mbështjellë nën petkun e misterit siç është rasti me Gjykatën Speciale, sidomos kur të merret parasysh identiteti i atyre për shkak të të cilëve kjo u krijua.

Emrat janë të rëndësishëm, pasi që nëse vërtetohen pohimet e rrymës së parë, Kosova do të humbë lidershipin politik. Por ato nuk janë më të rëndësishme apo të vetmet të rëndësishme. Duhet pasur parasysh që si sfidë më e madhe e cila del para gjykatës është gjetja e dëshmive, përkatësisht sigurimi i dëshmitarëve. Edhe pse u referohet "insajderëve", Marty në raportin e tij i citon vetëm dëshmitarët anonimë, që është e kuptueshme nëse merret parasysh pozita e tyre e pasigurt në Kosovë. Pohimet kryesore që ai dhe ekipi i tij modest nga disa hetues janë që gjatë punës në raport i përdorën kryesisht informacionet dhe burimet e shërbimeve të huaja për rrëmbimet e përhapura të cilat ndodhën gjatë fundit edhe pas luftës në Kosovë. Gjithashtu pohohet që Marty, për shkak të frikës për sigurinë e dëshmitarëve të cilët i siguroi, pranoi që emrat e tyre t'ia zbulonte vetëm prokurorit amerikan Clint Williamson, i cili e drejtonte ekipin special përgjegjës për hetimin e pohimeve nga raporti i Martyt. Për Williamson, në anën tjetër, thuhet që për hirë të sigurisë së dëshmitarëve hetimin e organizoi kështu që organizmi i tij madh i hetuesve kishte informacione vetëm për një pjesë të vogël të mozaikut, kurse qasje të plotë në të gjitha të dhënat pati vetëm ky prokuror me përvojë, i njohur për atë që mori pjesë në hartimin e aktakuzës së Hagës kundër liderit të dikurshëm të Serbisë Sllobodan Millosheviqit. Ekzistojnë edhe pretendime, të cilat është vështirë të konfirmohen në mënyrë të pavarur, që rreth 400 njerëz dhanë dëshmi në favor të aktakuzave, kurse rreth 30 prej tyre me siguri me emër dhe mbiemër të plotë ose si dëshmitarë anonimë do të dëshmojnë para gjykatës, dhe që në bazë të programit të veçantë të mbrojtjes dëshmitarët kryesorë të raportit të Martyt, në mesin e të cilëve është edhe një numër pjesëtarësh të dikurshëm të UÇK-së, ka kohë që u larguan nga Kosova dhe sot me identitet të ndryshuar jetojnë në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Këto thashetheme fitojnë në kredibilitet kur dihet që dëshmitarët janë "thembra e Akilit" e sistemit gjyqësor të Kosovës, siç u vlerësua atëbotë në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, pasi ata dhe familjet e tyre nuk janë të sigurta, i nënshtrohen presionit dhe sulmeve, kurse jetën e kanë në rrezik.

 

Vetëm jo sipas shembullit të EULEKS-it

Do të ishte gabim i madh të fetishizohet gjyqësia ndërkombëtare dhe të pritet që Gjykata Speciale lehtë dhe me efikasitet të kryejë punën e vet. Thënë thjesht, Kosova ka përvojë të keqe me bartësit ndërkombëtarë të drejtësisë. E tërë gjyqësia kosovare që nga lufta e këndej gjendej nën administrim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar. Së pari UNMIK-u ishte ekskluzivisht përgjegjës për ndjekjen e kryerësve të veprave më të rënda penale, kurse pas shpalljes së pavarësisë këtë rol e mori EULEKS-i. Vetëm nga mesi i vitit 2016, prokuroritë dhe gjykatat morën kompetenca të plota për procedimin e krimeve të luftës, si dhe veprave të tjera të rënda penale me prapavijë politike dhe etnike. As UNMIK-u dhe as EULEKS-i gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve nuk e ndërmorën as hapin më të vogël për të zbardhur rastin për të cilin flitet në raportin e Martyt dhe për të cilin është kompetente Gjykata Speciale – edhe pse të gjithë patën njohuri për të. Rrëmbimi dhe zhdukja e rreth 500 njerëzve brenda afatit prej rreth gjashtë muajsh nuk është gjë e vogël. Nuk është fjala për numra të thjeshtë por për qenie njerëzore, familjet e të cilëve asnjëherë nuk u pajtuan me këto humbje, duke kërkuar të vërteten, drejtësinë dhe gjetjen e përgjegjësisë. Përgjigjja në pyetjen përse këta dy mekanizma ndërkombëtarë nuk dhanë rezultate të pritura në zbardhjen e dyshimeve për ekzistencën e njërës prej veprave më të rënda penale të cilat ndodhën gjatë luftës në Kosovë paraqet histori të veçantë. Për të kërkuar përgjigje është dashur shumë kohë dhe hapësirë. Kjo çfarë për Gjykatën Speciale është me rëndësi është fakti që kjo nuk guxon t’i përsëritë gabimet e UNMIK-ut dhe të EULEKS-it, dhe as që guxon të vihet në çfarëdo lidhje me ta. Kjo vlen posaçërisht për EULEKS-in, pasi që në mes tij dhe Gjykatës Speciale nuk guxon të ekzistojë asnjë lloj vazhdimësie nëse duhet që Gjykata Speciale të ketë sukses; pasi që misioni më i madh (dhe më i shtrenjtë) civil në histori të BE-së ishte aq i pasuksesshëm sa që idhtarët më të mëdhenj të BE-së në Kosovë bënë pyetje se si është e mundur që një organizatë e madhe dhe e suksesshme, siç është BE, "të lindë" një foshnje aq të pasuksesshme. EULEKS-i gjatë gjithë tetë vjetëve të tij ishte drejtpërdrejt kompetent për atë për çfarë flet raporti i Martyt, por nuk e lëvizi as gishtin më të vogël që ta ndriçonte këtë rast. Në vend që për synim të ketë zbatimin e praktikës më të mirë evropiane dhe "evropianizimin" e gjyqësisë kosovare, EULEKS-i për shkak të paaftësisë, rekrutimit joadekuat dhe shpesh të gabuar të gjykatësve dhe prokurorëve evropianë, mungesës së kurajos, politikës dhe prirjes ndaj kompromiseve arriti që të "kosovarizohet". Megjithatë, misioni i EULEKS-it nuk të mund të konsiderohet si dështim total, pasi që ekziston dikush që është edhe me e dobët në këtë fushë: gjyqësia vendore e Kosovës. Përsa i përket Gjykatës Speciale, asaj i duhen profilet e gjykatësve dhe të prokurorëve të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, dhe jo amatorë të cilët në shumicën e rasteve përmes EULEKS-it u morën për herë të parë me aktivitete gjyqësore dhe prokurorirale. 

 

Cunami në skenën politike

Nëse para Gjykatës Speciale nxirren ata të cilët si të akuzuar përmenden në raportin e Martyt, atëherë kjo do të ishte një formë e cunamit i cili do të shkaktonte lëvizje tektonike, ndoshta edhe ndryshim të gjeneratave të skenën politike të Kosovës. Pa Thaçin dhe Grupin e Drenicës Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përjetonte rënie nga e cila vështirë që do të zgjohej në një afat të gjatë, siç ndodhi me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) pas vdekjes së babait të kombit, Ibrahim Rugovës në vitin 2006. LDK ende nuk mund të rikthehet nga kjo goditje dhe që nga ajo kohë më nuk është parti në pushtet por vartëse e tij. Dalja e PDK-së në plan të dytë patjetër do të krijonte hapësirë për kundërshtarët e saj politik, duke ia dhënë rastin partisë më të madhe (dhe sipas disave dhe të vetmes) opozitare - Vetëvendosjes ‒ që të merrte pushtetin së bashku me partitë e tjera të vogla të opozitës. Në demokracitë normale kontributi në përparimin e shoqërisë të cilin e ofron një parti politike është faktor kryesor i cili e përcakton fituesin në luftën për pushtet. Në "demokracitë" ballkanike kjo është më ndryshe. Pushtetin e fitojnë ata që i kontrollojnë mediat, fondet publike, agjencitë kryesore shtetërore apo janë të shkathët në vjedhjen e votave. Në rastin e Kosovës, si faktor shtesë dhe ndoshta i përcaktuar del Gjykata Speciale. Edhe pse ky nuk është qëllimi i saj, kjo gjykatë mund të luajë rol të rëndësishëm në rikonfigurimin e skenës politike në Vitin e Ri 2017. Mund "ta godasë" rëndë partinë kryesore kosovare duke e sjellë nga pozita e drejtuesit në ulesën e fundit, siç mund të krijojë rast unik për Vetëvendosjen që të dalë nga partia kryesore opozitare në partinë në pushtet. Nëse do të ndodhte një skenar i tillë, atëherë kjo do të ishte një ironi e llojit të vet pasi Vetëvendosja fuqishëm i kundërshtoi ndryshimet kushtetuese dhe aprovimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke konsideruar që ajo do ta sjellë tërë UÇK-në në bankën e të akuzuarve. Në kreun e PDK-së janë të vetëdijshëm për këtë skenar dhe kjo i shpjegon tendosjet e fundit në mes të partnerëve të koalicionit PDK-së dhe LDK-së, si dhe paralajmërimet për shkaktimin e shpejt të krizës artificiale në koalicionin në pushtet për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme menjëherë në pranverë, përmes së cilave do të zbutej "goditja" e Gjykatës Speciale ndaj partisë më të madhe në Kosovë dhe do të sigurohej edhe një mandat në pushtet. Këto përllogaritje, megjithatë, mund t'i prishë punë David Shvendimanit, nëse nuk do të presë që partitë në Kosovë ta përfundojnë rekonfigurimin zgjedhor me qëllim të zbutjes së pasojave të cunamit të Hagës, por menjëherë në fillim të vitit 2017, t'ia dërgojë Kosovës zarfet e vulosura me urdhra për arrestim.   

Emrat e ish-komandatëve të lartë të UÇK-së, ndaj të cilëve kryhen hetimet në lidhje me raportin e Martyt, ende janë sekret i plotë dhe askush në Prishtinë, përpos ambasadorit amerikan, nuk ka ide për vetë hetimin. Është shumë logjike që para gjykatës të dalin edhe emrat e tjerë përpos atyre të cilët i përmend Marty në raportin e tij, pasi është e mundur që hetimi sekret shumëvjeçar të ketë marrë ndonjë kthesë tjetër dhe të ketë sjellë njerëz të tjerë. Kjo gjithashtu mund të vërtetojë nëse disa prej konkludimeve të Martyt janë të pabaza. Përse " disa" dhe jo të gjitha? Pasi që Williamsoni në konferencën lamtumirëse për shtyp, të mbajtur para se t'ia dorëzonte mandatin kolegut amerikan Shvendimanit, deklaroi[5] që hetimi të cilin e drejtoi ai gjeti dëshmi për rrëmbime masive dhe zhdukje pas luftës në Kosovë dhe që në lidhje me këtë pjesë të raportit të Martyt ai mund t’i ngritë menjëherë aktakuzat. "Ekipi i specializuar hetues arriti deri te dëshmitë e pakontestueshme për ngritjen e aktakuzës kundër disa drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Rezultatet e hetimit në masë të madhe përputhen me raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011", tha Williamsoni. Sipas tij, "viktimat e këtyre krimeve janë kryesisht serbët, romët dhe pakicat tjera, por edhe shqiptarët të cilët konsideroheshin si bashkëpunëtorë të serbëve apo ishin, gjë që është rasti më i shpeshtë, kundërshtarë politik të udhëheqësve të UÇK-së." "Ekipi i specializuar hetues arriti deri te dëshmitë e pakontestueshme që disa udhëheqës të lartë të UÇK-së përdorën elemente të organizatës kriminale për të rritur pushtetin politik dhe për të krijuar pasuri për vetveten", tha ai. Mirëpo hetimi, sipas Williamsonit, nuk arriti të siguronte dëshmi të mjaftueshme bindëse për tregtimin me organet e të rrëmbyerëve, që nuk do të thotë që ai nuk shkoi në drejtim të duhur. Në lidhje me këtë, ai tha se hetimi i tij tregoi që  "tërësisht” janë të pabaza pohimet për qindra njerëz të cilët u vranë me qëllim të marrjes së organeve të tyre, por mund të bëhet fjalë vetëm për "disa sosh".

Edhe përkundër emrave të panjohur të komandatëve të dikurshëm të UÇK-së dhe sot politikanëve të profilit të lartë të cilët mund të akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë, misteri i dytë më i madh i cili e përcolli nga fillimi këtë histori ka të bëjë me (pa)besueshmërinë e një pohimi monstruoz që civilëve të rrëmbyer u janë hequr organet e brendshme për të tregtuar më vonë me to. Në këtë qëndron ndoshta edhe arsyetimi më i fortë për krijimin e Gjykatës Speciale, pasi që një pohim i tillë serioz mund ta hetojë dhe ta përcaktojë të vërtetën vetëm dikush që është i pavarur, dhe jo njëra nga palët në konflikt. Ky është shkak shtesë pse është dashur që të krijohet në të gjitha mënyrat një instancë e pavarur gjyqësore jashtë Kosovës, të cilën do të përbëjnë gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë dhe e cila do ta përcaktojë të vërtetën e plotë, si dhe përgjegjësinë nëse do të ketë nevojë për këtë. 

 

Siguria e dëshmitarëve çelës i suksesit

T'u kthehemi emrave të të akuzuarve të ardhshëm të Hagës, që paraqesin çështjen më intriguese për publikun vendor por edhe të gjerë. Si pjesë e projektit të gjykatës speciale aleatët perëndimorë i ndan detyrat. Amerikanët e morën hetuesinë dhe prokurorinë, përderisa evropianët, sipas rregullit, përpos gjetjes së mjeteve, e drejtuan procesin e krijimit të gjykatës dhe rekrutimin e stafit. Kjo sjellë deri te përfundimi se vetëm disa ditë para funksionalizimit të gjykatës (dhe ndoshta edhe para ngritjes së aktakuzave) vetëm amerikanët e dinë se kush do të akuzohet, kurse gjykata dhe gjykatësit do ta mësojnë këtë të njëjtën ditë sikurse edhe publiku i gjerë. Për shkak të asaj që prokuroria nuk mori shumë kohë për t'u themeluar, siç ishte rasti me gjykatën, dhe pasi që ekipi i specializuar të cilin e drejtuan Williamsoni dhe Shvendimani në fund vetëm u riemërua në prokurori speciale, pohohet që këto aktakuza, me gjasë, u krijuan para shumë kohe, që u vulosën dhe që gjenden në zarfe. Përpos deklaratave të zakonshme që Kosova duhet të bashkëpunojë me Gjykatën Speciale, diplomatët amerikanë deri më tani nuk folën shumë për atë se kujt do të mund t'i adresoheshin zarfet me aktakuza dhe urdhra për arrestim të cilat Shvendimani do t'i dërgojë në Kosovë. Për herë të parë dhe të fundit kjo ndodhi më 20 maj 2015, kur ambasadori i atëhershëm amerikan i propozuar në Kosovë, Gregory Delawi dëshmoi para Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Senatit Amerikan si kandidat i propozuar i presidentit Barack Obama për ambasador në Kosovë. Ai me atë rast i tha senatit amerikan që në "Kosovë duhet vepruar në mënyrë të duhur ndaj dyshimeve për krimet e bëra në mes të viteve 1998 dhe 2000", pasi që "një prokuror amerikan gjeti dëshmi që ndodhën gjëra të tilla nga ana e një numri të vogël të udhëheqësve të dikurshëm të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".[6] Nuk duhet theksuar në mënyrë të posaçme që udhëheqësit e sotëm kryesor të Kosovës janë ata në biografitë e të cilëve UÇK paraqet katapultim në politikë. Ndodhet presidenti aktual i Kosovës Thaçi në listën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale? Përgjigjja në këtë pyetje është shumë e thjeshtë. Nëse prokuroria siguroi dëshmi kundër ish- liderit politik të UÇK-së, atëherë ai do të akuzohet. Në të kundërtën, ai nuk do të ulet në bankën e të akuzuarve të Hagës. Edhe pse Thaçi pas luftës u konsiderua si i favorizuar i diplomacisë amerikane, ka pak të ngjarë që amerikanët, në rast se do të ketë dëshmi të besueshme kundër tij, ta amnistojnë për shkak të interesave politike, siç pohojnë kundërshtarët e tij. Puna e Gjykatës Speciale shkoi aq larg saqë është vështirë të pritet që politika, dhe jo gjykata (përkatësisht prokuroria), ta përcaktojnë kush do të akuzohet dhe kush jo, apo kush do të përgjigjet për krime lufte dhe kush jo. Pyetja e cila është më e rëndësishme nga ajo nëse Thaçi do të akuzohet apo jo, është ajo që ka të bëjë me sigurinë e dëshmitarëve, pasi që dëshmitarët janë kyçë për përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale. Praktika e deritanishme e gjykatës tregoi që dëshmitarët janë kategoria më e pambrojtur dhe më e rrezikuar në Kosovë. Kanë pësuar edhe dëshmitarët të cilat i mbrojti drejtpërdrejti EULEKS-i, siç ishte rasti i Agim Zogajt në rastin Kleçka. Mbrojtja e dëshmitarëve dhe e familjeve të tyre do të paraqetë sfidë kryesore për gjykatën. Nëse në këtë arrihet sukses, atëherë ka mundësi që të përcaktohet e vërteta e plotë e raportit të Martyt. Kjo është mënyra e vetme që Kosova të dalë fituese në tërë këtë histori të cilën Karla Del Ponte e nisi si një top bore poshtë një shpati me dëborë në mënyrë që të përfundojë me Hagën dhe me ortekun në Prishtinë. Kosovës i duhet e vërteta për atë se çfarë ndodhi në fund dhe pas luftës në territorin e saj, dhe që ka të bëjë me rrëmbimet masive. Prandaj me të drejtë mund të thuhet që me formimin e Gjykatës Speciale në sistemin e sundimit të së drejtës në Kosovë fillon "llogaritja e kohës" në krahasim me atë çfarë ndodhi para saj në lidhje me krimet e që mund të sjellë deri tek ofrimi i drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.

 

Lexojeni raportin e Martyt

Në lidhje me të panjohurën më të madhe për atë se kush do të jetë në listën e të akuzuarve, në Prishtinë qarkullojnë histori që listën e të akuzuarve tashmë e krijoi Williamsoni dhe që Shvendimani e trashëgoi nga kolegu amerikan, duke vazhduar punën në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për rastet të cilat tashmë ekzistojnë. Një burim i afërt me Williamson i tha autorit të këtij teksti që e kishte pyetur Williamsonin, para fundit të mandatit të tij se cilët janë emrat të cilët do të jenë në listën e të akuzuarve. Përgjigjja e tij ishte "lexoje raportin e Martyt".